CNN: Trump u strehua në bunkerin e Shtëpisë së Bardhë gjatë protestave

Pretendohet se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump gjatë protestave që u zhvilluan të premten para Shtëpisë së Bardhë kundër vrasjes së afroamerikanit George Floyd është fshehur në bunkerin e sigurisë.

CNN në lajmin e saj që e bazon mbi një punonjës të Shtëpisë së Bardhë dhe nga forcat e sigurisë pretendon se Trump ka qëndruar në bunkerin nëntokësor rreth 1 orë para se të nxirrej në katin e sipërm.

Burimi nga forca e sigurisë dhe burimi tjetër lidhur me çështjen për CNN ka thënë se kur shpërthyen protestat të premten përreth Shtëpisë së Bardhë, Melania Trump bashkëshortja e Trump dhe djali i tyre Barroun janë dërguar në bunkerin nëntokësor.

Ndërsa burimi i dytë thekson se “Presidenti Trump, bashkëshortja e tij Melania Trump, djali Barron Trump dhe të gjithë anëtarët tjerë të familjes do të dërgoheshin në Qendrën e Operacioneve të Situatës Emergjente nëse situata në Shtëpinë e Bardhë rritej në nivelin e “kuq”.

– Trump lavdëroi shërbimin sekret të SHBA-ve

Pas përfundimit të protestave para Shtëpisë së Bardhë të shtunën, Trump tha se ishte i sigurtë dhe në një postim nga Twitteri lidhur me protestat ai lavdëroi shërbimin sekret amerikan duke thënë “Nuk mund të ndihesha më i sigurtë”.

Trump në një deklaratë për gazetarët në oborrin e Shtëpisë së Bardhë të shtunën tha se protestuesit të premten do të “përballeshin me qentë” dhe do të shpërndaheshin me shpejtësi nga “Punonjësit e Shërbimit të Fshehtë” në rast se rimblidheshin dhe nëse kapërcenin korridorin e sigurisë.

Protestat kundër vrasjes së Floyd vazhdojnë në të gjithë SHBA-në nga marta e deri më sot ndërsa në fundjavë ato arritën kulmin edhe në kryeqytetin Washington.

Pas akteve të dhunshme që ndodhën natën e të shtunës, protestuesit u mblodhën sërish përreth Shtëpisë së Bardhë mbrëmjen e së dielës, ku qindra persona protestuan kundër dhunës policore me sloganet “Drejtësi për Floyd”.

Kreu i Bashkisë së Washington DC, Muriel Bowser vendosi orë policore në të gjithë qytetin nga ora 23:00 të dielën deri në orën 06.00 të hënën.

– Përgjërimet e Floyd “Nuk mund të marr frymë” sollën në rend dite dhunën policore

George Floyd, 46 vjeç, u arrestua nga policia të martën në Minneapolis nën dyshimin për mashtrim. Ai iu përgjërua policëve duke thënë: “Nuk mund të marr frymë”, pasi një polic i kishte vendosur për një kohë të gjatë gjurin mbi qafën e tij.

Floyd ndërroi jetë në spitalin ku u dërgua nga ekipet shëndetësore që mbërritën në vendngjarje, ndërkohë që pamjet e regjistruara me celularë nga qytetarët që kalonin në rrugë shkaktuan reagime të mëdha në rrjetet sociale.

Pamjet ndezën sërish debatin e dhunës policore kundrejt njerëzve me ngjyrë në SHBA dhe si rrjedhojë u mbajtën protesta në shumë qytete të vendit kryesisht në Minneapolis.

Guvernatori Tim Walz shpalli gjendjen e emergjencës në rajon dhe deklaroi se ka ngarkuar me detyrë Gardën Kombëtare që të mbështesin policinë dhe të marrin situatën nën kontroll në rajon.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne