Dalin para drejtësisë dy ish-zyrtarë, Gjykata dënon ish-inspektorët e IKMT dhe INUV për korrupsion

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka çuar për gjykim çështjen penale ndaj Andri Mehjas dhe Gentian Bakos, të akuzuar për korrupsion pasiv gjatë ushtrimit të funksioneve publike, në bashkëpunim.

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i shpalli fajtorë të dy të pandehurit dhe i dënoi secilin me nga 3 vite burg. Duke zbatuar gjykimin e shkurtuar, dënimi përfundimtar për të dy u reduktua në 2 vite burgim.

Gjykata urdhëroi pezullimin e dënimeve me burg për të dy të pandehurit, të cilët do të qëndrojnë në provë për një periudhë 4-vjeçare, me kusht që të mos kryejnë vepra të tjera penale dhe të qëndrojnë në kontakt të rregullt me Zyrën e Shërbimit të Provës në Elbasan.

Për Andri Mehjan, u vendos gjithashtu ndalimi për të ushtruar funksione publike për 5 vite. Të dyve iu kthyen sendet personale të sekuestruara gjatë hetimeve, ndërsa një kapele me logon e Policisë së Shtetit do të kalojë në favor të shtetit.

Të pandehurit do të përballojnë shpenzimet e gjykimit dhe kanë të drejtë ankimi brenda 15 ditëve./gazetaipakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne