Dënimi i Apelit për Salianjin/ “Asnjë marrëdhënie normale institucionale me mazhorancën”, VOA: Deklarata e Gazment Bardhit, e paqartë!

Në Shqipëri, deputeti demokrat Ervin Salianji, u paraqit pasdite vonë të premten, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke ju përgjigjur urdhërit të prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të një ditë më parë të Gjykatës së Apelit e cila e dënoi atë më 1 vit burgim. Zoti Salianji u gjet fajtor për akuzën e “Kallzimit të rremë” për rastin e një audio-përgjimi, të bërë publik në vitin 2018, ku pretendohej se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte përfshirë në një episod trafiku droge. Gjatë ditës, ai refuzoi propozimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, për ngujimin në seli të të gjithë deputetëve duke mos njohur vendimin e gjykatës, që sipas tyre është marrë nën ndikimin politik të kryeministrit Edi Rama.

Zoti Salianji e kaloi pjesën më të madhe të ditës në mjediset e Partisë Demokratike, ku deputetët u mblodhën në një takim të gjatë për të diskutuar qëndrimin që duhej të mbanin për situatën e krijuar pas dënimit të tij. “Ndaj kësaj padrejtësie nuk duhet të pajtohemi e nënshtrohemi e për këtë arsye, qëndrimi unanim ka qenë kërkesa drejtuar deputetit Salianji, që të mos e zbatojë vendimin politik të Ramës, të firmosur nga tre gjyqtarë”, tha pas mbledhjes kreu i grupit parlamentar Gazmend Bardhi, duke shtuar se “grupi në mënyrë unanime sugjeroi ngujimin pa afat të të gjithë deputetëve në selinë e PD”.

Por zoti Salianji nuk e pranoi një propozim të tillë duke shpjeguar se “duke qenë se jam shprehur se do të përballem, kudo që ta kërkojnë, edhe me këtë pengmarrje banditekse, duke më privuar lirinë për 1 vit e duke më ndërprerë mandatin dhënë nga qytetarët, do ta bëj betejën aty. Beteja do të jetë një betejë që shpresoj të frymëzojë qytetarët. Ne vendosim sakrificën qoftë duke sakrifikuar lirinë për të thënë të vërtetën, se e vërteta nuk ka çmim, dhe e vërteta në fund të triumfojë, siç do të triumfojë dhe opozita”, u shpreh ai më pas në dalje nga selia e Partisë Demokratike, për të shkuar drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Aty u prit aty nga mbështetës të opozitës, me të cilët u përshëndet përpara se te hynte në godinë, ku në prani të avokatit të tij, kreu procedurat ligjore. Në përfundim të tyre, automjete të policisë e shoqëruan atë drejt burgut të Fierit ku prej sot ai nis vuajtjen e dënimit.

Vendimin e Gjykatës së Apelit opozita e ka interpretuar si një goditje direkte ndaj saj, të dirigjuar nga kryeministri. Ndërsa mbrëmë kryesia e Partisë vendosi t’i propozojë Këshillit Kombëtar “përshkallëzim dhe radikalizim” të aksionit të saj. “Nuk do të thotë që të mblidhemi në bulevard, por do të thotë. se do të jemi në terren në të gjitha akset kryesore. Bllokimi i akseve do të jetë një nga idetë që do t’i propozohen këshillit kombëtar”, bëri të ditur Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka.

Ndërsa sot zoti Bardhi njoftoi se “që nga ky moment me burgosjen politike të deputetëve të opozitës, nuk ka për të patur asnjë marrëdhënie normale intitucionale me shumicën e komanduar nga Edi Rama në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh ai pa shpjeguar më tej, se çfarë nënkupton saktësisht ky qëndrim./VOA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne