Gazetarja Ola Xama ka denoncuar mbrëmjen e djeshme në rrjetet sociale lidhjet në konflikt interesi të familjarëve të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Xama ka deklaruar se Ajola Xoxa, bashkëshortja e Veliajt, ka përfituar 44.4 mijë euro nga Qendra Harabel dhe nga Balkan Youth Link Albania (BYL-A). Ajo ka denoncuar se këto kompani janë sponsorizuar në pjesën më të madhe të ekspozitave dhe eventeve të tyre nga Bashkia Tiranë dhe nga institucione në varësi të Bashkisë Tiranë. Sipas saj, “Harabel” ka marrë pagesa edhe nga Ministria e Kulturës. Gazetarja ka theksuar se Ajola Xoxa paguhet nga OJQ që mbështeten nga Bashkia e kryeqytetit, ku drejtues është bashkëshorti i saj.
Statusi i Ola Xama në rrjetet sociale
Bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë Ajola Xoxa rezulton të jetë e punësuar dhe paguar nga Qendra Harabel dhe projekti Balkan Youth Link Albania. Sipas asaj që ka deklaruar vetë në deklaratën vjetore të pasurisë dhe interesave privatë për vitin 2023, Xoxa ka përfituar 44.4 mijë euro nga këto dy shoqata.
Sot në Kronos kemi publikuar listën e eventeve ku Qendra Harabel, që ka të punësuar si Drejtore Kreative znj.Xoxa dhe projekti Balkan Youth Link Albania, janë sponsorizuar në pjesën dërrmuese të ekspozitave dhe eventeve të tyre nga Bashkia Tiranë, projekti “Tirana Kryeqyteti i Rinisë” dhe Agjencia e Industrisë Kreative, këto dy të fundit janë institucione varësie të po Bashkisë Tiranë. Pra skema është e qartë, Xoxa paguhet nga OJQ që mbështeten nga bashkia e kryeqytetit dhe ku drejtues është bashkëshorti i saj!
Sipas të dhënave të thesarit të shtetit edhe Ministria e Kulturës ka bërë 7 pagesa direkte për Qendrën Harabel në vlerën 39 mijë euro, për të sponsorizuar ekspozitën “Komedia Hyjnore”, projekti “Antikiteti në artin bashkëkohor shqiptar” dhe Ekspozitën Ndërkombëtare të Arteve të Bukura “Zabel”.
Për vitin 2023 znj.Xoxa deklaroi një pasuri në llogari bankare në vlerën 617 mijë euro, ku 97 mijë euro janë shtuar vetëm gjatë vitit të shkuar dhe burimi ka qënë puna e saj në 2 kompanitë private që zotëron dhe pagesat si kuratore nga Harabel dhe Balkan Youth Albania./Lapsi