Dëshmia e ushtares izraelite ngre pikëpyetje nëse ushtria qëlloi mbi civilët më 7 tetor

Dëshmia e një ushtareje izraelite ka ngritur pikëpyetje për atë nëse ushtria qëlloi mbi civilët izraelitë në bazë të “Protokollit të Hannibal-it” gjatë sulmit të befasishëm nga grupi palestinez Hamas në vendbanimet hebraike pranë Rripit të Gazës.

Në një raport të transmetuar dje nga ‘Channel 12’, një togere e dytë nga një njësi tankesh izraelite, e identifikuar si Michal, ka folur për përvojën e saj në ndjekjen e militantëve palestinezë në operacionin e 7 tetorit. “Arritëm në hyrje të kompleksit (Hulit) dhe porta ishte e mbyllur. Një ushtar erdhi tek unë, disi i frikësuar, duke thënë ‘tani kanë hyrë terroristët’. Ne hymë në kompleks, thyem portën me tank dhe ndoqëm udhëzimet e treguara nga ushtari”, tha ajo.

“Pastaj ushtari më tha ‘gjuaj atje, terroristët janë atje’. E pyeta a ka civilë (izraelitë) atje… Përgjigja e tij ishte ‘nuk e di, gjuaj’. Vendosa të mos e gjuaj objektivin (me predhë tanku), sepse ishte një vendbanim izraelit, por qëllova me mitraloz në hyrje të një shtëpie”, tha ajo. Raporti i ‘Channell 12’ vjen pasi më herët një pilot me forcat e armatosura izraelite tha se ushtria zbatoi ‘Protokollin e Hannibal-it” gjatë sulmit të befasishëm nga Hamasi më 7 tetor.

Në një intervistë me të përditshmen izraelite ‘Haaretz’, nënkoloneli Nof Erez tërhoqi vëmendjen për mundësinë se forcat izraelite që iu përgjigjën sulmit të Hamasit mund të kenë zbatuar direktivën ‘Protokolli i Hannibal-it’. Raporti i të përditshmes izraelite zbuloi se një ushtar izraelit qëlloi mbi “personat e armatosur palestinezë” dhe izraelitët që ndiqnin një festival muzikor në rajonin Be’eri në periferi të Gazës më 7 tetor.

Izraeli nisi një fushatë masive ushtarake në Rripin e Gazës pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi. Që atëherë, sipas shifrave të autoriteteve në Gaza, mbi 15 mijë palestinezë janë vrarë, të paktën 6.150 fëmijë dhe 4 mijë gra. Numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është rreth 1.200./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne