Dështon tenderi për pajisjet e repartit për IVF në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës

Ka dështuar tenderi për ta pajisur repartin e dedikuar për metodën e fertilitetit të asistuar mjekësor (IVF) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Për disa kërkesa dhe pajisje nuk janë pranuar fare oferta”, thuhet në një dokument të divizionit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë.

Ky divizion tha se për të vazhduar procesin për pajisjen e raportit, “sipas profesionistëve duhet të rishikohen specifikat teknike” para se të hapet sërish tenderi.

Edhe Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar për REL-in se tenderi për pajisjet e IVF-it ka dështuar.

“Gjatë procesit tenderues janë pranuar shumë pyetje sqaruese dhe janë bërë korrigjimet e kërkuara me qëllim të lehtësimit dhe mundësisë më të gjerë për ofertim. Por, meqenëse nuk kishte oferta të përgjegjshme pritet që gjatë ritenderimit, të arrijmë t’i kontraktojmë”, u tha në përgjigjen e MSH-së.

Ndërkaq, më 21 shtator Kuvendi i Kosovës pritet të votojë në parim Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar.

Në këtë legjislacion është përfshirë edhe pjesa që gratë e pamartuara të mund të lindin fëmijë përmes metodës IVF. Megjithatë, disa deputetë kanë shprehur kundërshti për këtë.

Sipas legjislacionit që Qeveria i ka dërguar Kuvendit, të drejtën e shfrytëzimit të IVF-së e kanë edhe gratë e pamartuara, mbi 18 vjeç, që janë në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe janë të afta “për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore”.

Kosova synon që të ketë një repart të posaçëm për IVF-në në Qendrën Klinike Universitare (QKUK). Për pajisjet e nevojshme për këtë repart, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 1.5 milion euro.Aktualisht, kjo metodë kryhet vetëm në institucionet private.

Në Klinikën e Gjinekologjisë, në kuadër të së cilës do të jetë reparti i IVF-së, po presin pajisjet për këtë metodë mjekësore. Punimet në infrastrukturë për repartin e ri veçse janë kryer.

IVF-ja është një metodë fertiliteti, së cilës i nënshtrohen personat që nuk mund të lindin fëmijë në mënyrë natyrale.

Përmes kësaj procedure, ekipi mjekësor heq vezët nga vezoret e një gruaje dhe më pas i fekondon ato me spermë në laborator. Embrionit të fekonduar i jepen disa ditë për t’u rritur dhe më pas ai vendoset në mitrën e gruas. Procesi zakonisht zgjat katër deri në gjashtë javë.

Por, as kjo metodë nuk është 100 për qind e suksesshme./REL

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne