DETAJE/ Atë e bir dhunuan ish-zv.dekanin, gruaja: e masakruan, 9 qepje në kokë. Ja pse nisi sherri

Dhunimi i ish-zv.dekanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës erdhi pas një sherri për token.

Ilo Mele është dhunuar barbarisht nga dy persona, ndërsa shkak i ngjarjes është bërë një konflikt pronësie. Kimisti 76-vjeçar, disa vite më parë, ka blerë një sipërfaqe toke në Kolonjë, ndërkohë që në mënyrë të vazhdueshme ka qenë në konflikt me disa persona, të cilët, gjithashtu, pretendojnë pronësinë e tokës.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Skorovot në Kolonjë, ku Adem dhe Gjergj Murataj, atë e bir, kanë dhunuar me dru 76- vjeçarin, duke i shkaktuar atij dëmtime në kokë. Gjithçka ka nisur në momentin kur topografi ka shkuar te sipërfaqja e tokës për të bërë matjet pas një vendimi Gjykate që pret të gjejë zbatimin.

Të dyja palët janë gjendur përballë njëri-tjetrit dhe në momentin që eksperti i matjeve ka nisur punën, dy autorët kanë nisur t’i hakërrehen 76-vjeçarit dhe madje e kanë dhunuar atë fizikisht, duke i ka shkaktuar dëmtime në kokë dhe trup.

Pas kësaj ngjarjeje, Policia ka bërë të mundur arrestimin e dy agresorëve, ndërkohë që Mele është transportuar në Spitalin Rajonal të Korçës, ku mjekët janë detyruar të qepin 9 plagë të shkaktuara nga dhuna.

Bashkëshortja e ish-zv.dekanit tregon se ngjarja ka precedent dhe se mund të ishte parandaluar, ndërsa akuzon për neglizhencë të instancave. “Bëhet fjalë për një tokë të marrë me ligjin 7501, e kemi të blerë nga personi që e kishte me certifikatë të hipotekuar dhe jemi pronarë me dokumente.

Ky problem ka 2 vite që është shfaqur, pasi pretendojnë se e kanë të tyren, kemi 1 vit që e ndjekim me Gjykatë. Burrin e kanë dhunuar dhe herë tjetër. Hera e parë ka qenë në Gjykatë, e kanë goditur me pretendimin se tokën e kanë të trashëguar. Por ne kemi dokumente të pastra. E kemi paditur, është dënuar me një gjobë 50 mijë lekë të rinj.

Ndërkohë që Gjykata ka lënë porosi për shqyrtim në vend dhe ka dërguar dje ekspertin topograf për të bërë matjet.

Eksperti është dëshmitar, të dy atë e bir e kanë vënë përtokë dhe i biri, rreth të 40-ve, ka marrë një dru dhe e ka goditur nga mbrapa. Ka 9 qepje në kokë. Ne duam ta ndjekim zyrtarisht këtë gjë, por e vërteta është që pushteti lokal nuk ka vepruar, sipas ligjit i takonte pushtetit lokal ta ndiqte. Ai nuk ka asnjë lloj dokumenti që është pronar i tokës. Rastin e parë kam qenë vetë prezent.

Policia u shmanget personave në fjalë, janë rebelë. Ne pretendojmë që ata të marrin dënimin e merituar, Gjykata të mbajë përgjegjësi, duke i dhënë të drejtën atij që i takon. Është një fakt i rëndë, duhet të kemi mbështetjen e shtetit”, shprehet Veronika Mele.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne