Avokati i familjes së Martin Canit, 14-vjeçari që u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputeti socialist, Erion Braçe, ndaj pretendimeve të këtij të fundit për nisjen e hetimeve, në lidhje me raportimet e mediave për vrasjen e Martin Canit pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Pas mbledhjes së komisionit për dezinformimin, Braçe iu referua raportimit për vrasjen e Martin Canit dhe u shpreh se “i kemi kërkuar prokurorisë të hetojë deri në fund një rast model dezinformimi që i është bashkëngjitur atij krimi. Një rast shumë i qartë dezinformimi me synim të qartë politik që vazhdon. Komisioni ka kërkuar edhe hetimin e këtij aspekti, të dezinformimit. Në raport me SPAK, BKH dhe me atakun e drejtpërdrejtë apo përfshirjen në ngjarje të këtyre institucioneve”. Në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News”, Redi Ramaj tha se institucionet shtetërore kanë dështuar totalisht për mënyrën se si e kanë menaxhuar rastin për të informuar qytetarët dhe familjen që pati këtë fatkeqësi .“Rasti i Martin Canit është një rast i cili në këndvështrimin tim por dhe të familjes, institucionet shtetërore kanë dështuar totalisht për mënyrën se si e kanë menaxhuar rastin për të informuar qytetarët dhe familjen që pati këtë fatkeqësi. Të çosh fëmijën në një insticion publik shtetëror dhe të të vritet në derën e tij është krimi më i madh që mund t’i ndodhë një shoqërie dhe trauma më e madhe që mund t’i ndodhë një familjeje shqiptare. Të dalësh sot dhe të thuash se është abuzuar me rastin në një kohë që familja, dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë, të vetmin burim informacioni kanë pasur vetëm median. Sot që flasim, unë kam depozituar në të gjithë institucionet kërkesa për informacion, dhe ende nuk kam asnjë material të dosjes. Për hir të familjes i kam kërkuar për të mos pasur pika të errëta në këtë ngjarje, të jetë e gjitha e zbardhur dhe transparente. Jo vetëm që nuk ka hetuar Policia e Shtetit, por ka dalë me disa deklarata të paqarta, dhe nëse flasim për dezinformim duhet të referojmë në radhë të parë Policinë e Shtetit. Ditën e parë raportoi për 3 apo 2 fëmijë të përfshirë në konflikt, pastaj thotë 5, pastaj 7, dhe sot janë 11 fëmijë që janë përfshirë në konflikt. Familja dyshon se ka dhe persona të rritur të përfshirë. Përveç kësaj është folur se disa ditë para ngjarjes, pra të premten pasi të hënën ndodhi ngjarja, është përfshirë një person madhor në konflikt me Martinin, i cili nuk ka folur në familje për atë ngjarje. Këtë e thonë dëshmitarë të tjerë, të cilët nuk janë pyetur nga Policia e Shtetit. Para se të flasë z. Braçe, apo kushdo që të jetë, duhet të flasë në radhë të parë për këto institucione. Keni dëgjuar ndonjë nga shkollat të reagojë për ngjarjen: mësues apo drejtorë shkollash. Drejtoresha e shkollës “Fan Noli” as privatisht nuk e ka ngushëlluar familjen e Martinit. Dhe nëse ka pasur informime apo raportime të nxituara nga gazetarët, kjo ka ardhur pikërisht për shkak të mos raportimit të ngjarjes nga institucionet e shtetit”, u shpreh avokati Redi Ramaj./Lapsi

