Të paktën 43 palestinezë, përfshirë shtatë fëmijë, janë vrarë në sulme të reja ajrore izraelite në Rripin e Gazës, thanë autoritetet dhe media.
Avionët luftarakë goditën disa zona në Rafah në Gazën jugore, duke lënë të paktën shtatë të vdekur, sipas agjencisë shtetërore palestineze të lajmeve, WAFA.
Katërmbëdhjetë janë vrarë në një bombardim të Izraelit në Jabalia në veri të Gazës, tha një burim.
Një sulm izraelit shënjestroi një shtëpi në Rafah perëndimore, duke vrarë pesë persona, përfshirë tre fëmijë, tha WAFA. Dy persona u vranë në një tjetër sulm në një shtëpi në qytet, ndërsa shtatë u raportuan të bllokuar nën rrënoja.
Ministria e Brendshme palestineze tha se dhjetë persona u vranë kur avionët luftarakë izraelitë goditën dy shtëpi në Deir al-Balah në qendër të Gazës.
Ndërkaq, katër fëmijë dhe një grua u vranë në një sulm të veçantë në një shtëpi në Rafah lindore, tha ministria.
Konflikti në Gaza, nën bombardimet dhe bllokadën izraelite që nga 7 tetori, filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” – një sulm i befasishëm i shumanshëm me lëshime raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri.
Hamasi tha se inkursioni ishte në hakmarrje për sulmet ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë.
Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” në Rripin e Gazës, duke i vënë 2,3 milionë banorët e territorit nën një rrethim total dhe një bllokadë nga ushqimi, karburanti dhe furnizimet mjekësore.
Të paktën 4.137 palestinezë, duke përfshirë 1.524 fëmijë dhe 1.000 gra, janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza. Shifra është më shumë se 1.400 në Izrael./AA