Rajoni

Diplomatja e Maqedonisë së Veriut në OKB gjendet e vdekur në New York

Një diplomate nga misioni i Maqedonisë së Veriut në Kombet e Bashkuara (OKB) u gjet e vdekur mbrëmë në banesën e saj në Manhattan në New York.

Informacionin për Agjencinë për Informim të Mediave e konfirmuan nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Nga Misioni i Përhershëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut në OKB në New York, mbërriti një lajm i trishtueshëm që na tronditi të gjithëve, për jetën e humbur tragjikisht të një anëtareje të misionit tonë, një diplomate karriere në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Me këtë rast, ne dëshirojmë të shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjen dhe të dashurit dhe në emër të të gjithë kolegëve nga Ministria e Punëve të Jashtme që humbën një mikeshë të ngushtë dhe një përfaqësuese të vlefshme dhe të përkushtuar të diplomacisë”, thuhet në deklaratë.

Nga ministria thonë se janë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet kompetente në SHBA-së për të gjitha detajet në lidhje me ngjarjen tragjike.

Mediat në New York raportuan se diplomatja në misionin e OKB-së u gjet e vdekur në banesën e saj në Manhattan. Sipas deklaratës së policisë amerikane, nuk kishte shenja dhune./AA

OPINIONE