Shqiperia

Dita e informacionit politik, Kryeministri – veteranëve: Armiku i brendshëm po saboton integrimin

Kryeministri Edi Rama u ka shpjeguar një përfaqësie të veteranëve mësimin politik që ata e dinë përmendësh. Integrimin tonë në Europë – nënkupto qeverinë në përpjekjet e saj për Shqipërinë e re – e pengon armiku i brendshëm.

Një forcë e brendshme është përpjekur dhe përpiqet çdo ditë të pengojë hapjen e negociatave duke e kthyer këtë objektiv kombëtar në një argument të retorikës së ditës. Ne vjet morën rekomandimin pa kushte dhe po vjen, Këshilli Evropian vendosi që për arsye të brendshme në disa prej vendeve të BE-së, kjo temë të adresohet qershorin që vjen.

Po vjet, Këshilli Evropian vendosi që pavarësisht se negociatat nuk u çelës zyrtarisht, procesi i hulumtimit që nis me çeljen zyrtare të negociatave të fillojë, ka filluar qysh vjeshtën e shkuar. Dërdëllisin lart e poshtë për të çakërdisur dynjanë, Shqipëria ka nisur një proces që kanë nisur të gjitha vendet pasi kanë hapur negociatat.

Rekomandimi shkon në Këshillin Evropian i përbërë nga 28 vende anëtare, të cilat vlerësojnë rekomandimin në nivel politik dhe vjet ishin shumica dërrmuese e vendeve që e pranuan rekomandimin dhe kërkuan hapjen e menjëhershme të negociatave.

Mjafton kjo për të kuptuar se ka një lidhje të drejtpërdrejtë të asaj që bën një vend për integrimin dhe asaj që vendet e tjera bëjnë në varësi të proceseve të tyre të brendshme.

Nga ana tjetër me shumë rëndësi është të kuptohet që Shqipëria do të ishte kokëulur në rast se Komisioni Evropian do të kishte rezerva. Ne do të bëjmë gjithçka të marrim vendimin pozitiv mundësisht në qershor por brenda këtij viti, ka thënë z. Rama.

Sigurisht që veteranëve që janë kryesisht enveristë, përgjithësisht socialistë meqenëse atë parti e identifikojnë me PPSh-në dhe zakonisht antiveriorë, ky leksion u rri përzemër. Sepse zoti Rama e di shumë mirë se u flet “tanëve” ndërkohë që tema shqetësuese për këta zotërinj do të duhet të ishte pensioni dhe kushtet e jetesës. Dhe jo integrimi dhe BE-ja e cila mundet të ketë vullnetin e duhur, por ja që nëse në zgjedhjet e majit fitojnë të djathtët as që do të dijë më për zgjerim.

Kryeministri flet kështu për një arsye të thjeshtë: atij i intereson të ketë shumicën sepse në emër të saj flet. Ky është kryeministër që do të përfaqësojë vetëm ato vota që merr edhe pse merr vendime në emër të Republikës. Ndaj i mban të mpirë me dërdëllitjet e duhura kategori të tilla. Dhe pastaj i vjen çudi se si dhe pse me të ka shumë njerëz që nuk duan të bashkëjetojnë politikisht.

OPINIONE