Dokumentim Krimeve të Shtetit Indian në Kashmir

  1. nga Waseem Shehzad.

Forcat okupuese indiane janë përfshirë në krime të tmerrshme kundër civilëve të pambrojtur në Kashmir për dekada të tëra. Ndërsa India refuzon të lejojë organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut ose mediat të vizitojnë rajonin e Kashmirit, një organizatë indiane e të drejtave të njeriut ka dokumentuar me përpikëri krimet specifike dhe ka identifikuar emrat e autorëve që qeveria indiane refuzon të ndëshkojë.

Dy ngjarje kanë dominuar lajmet në nënkontinentin Indo-Pakistan kohët e fundit. Njëra ishte ngjarja e 16 dhjetorit 2012, përdhunimi në grup ndaj një 23 vjeçareje në një autobus në Delhi dhe tjetra, kërcënimet midis Indisë dhe Pakistanit për shkeljet në linjën e kontrollit në Kashmir. Retorikat lumë midis rivalëve tradicionalë janë kthyer në mënyrë periodike në të shtëna reciproke në të cilat të dyja palët kanë pretenduar se tjetra ka vrarë ushtarët e saj.

Ndërsa këto bisedime midis Indisë dhe Pakistanit kanë lënë në hije problemet më të rënda të brendshme që prekin të dy vendet, është zbuluar se që nga 16 dhjetori i përdhunimit në grup ndaj studentes dhe vdekjes së saj të mëvonshme më 28 dhjetor nga lëndimet e pësuara gjatë sulmit të tmerrshëm, ka pasur të tjera incidente të përdhunimit në Indi. Një i tillë ndodhi në 12 janar, kur një shofer autobusi dhe ndihmësi i tij rrëmbyen gjatë natës një pasagjere femër, e çuan atë në një fshat të largët dhe më pas “ftuan” edhe pesë miq të tjerë. Gruaja 29-vjeçare u përdhunua nga shtatë burra gjatë gjithë natës. Për raste të tilla të shpeshta të përdhunimit ndaj grave në Indi ka shume indinjatë – në vitin 2012 ka pasur rreth 24,000 raste përdhunimesh të regjistruara në të gjithë Indinë; numri aktual është shumë më i lartë prandaj janë kërkuar veprime të shpejta kundër autorëve. Shumica e njerëzve në Indi besojnë se as policia, as autoritetet nuk janë seriozë për ndërmarrjen e masave kundër shkelësve. Ekziston gjithashtu një pikëpamje gjerësisht e përhapur midis pushtetareve se gratë përdhunohen për shkak të mënyrës së veshjes dhe faktit që ato gjenden jashtë natën. Shumë nga politikanët e akuzuar për krime të përdhunimit në të vërtetë kane marrë të drejtën për të kandiduar për partitë kryesore politike.

Nëse ky është qëndrimi i zyrtarëve indianë ndaj grave të tyre, çfarë shansi kanë gratë e varfra të Kashmirit kundër indianëve me uniformë që përdorin përdhunimin si një instrument lufte? Çështja e përdhunimit të grave të Kashmirit, si dhe vrasja e burrave, grave dhe fëmijëve në Kashmir ishte subjekt i një raporti të ashpër të publikuar më 6 dhjetor 2012 nga Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut mbi Drejtësinë në Kashmirin Indian(IPTK). Një organizatë tjetër, Shoqata e Prindërve të Personave të Zhdukur (APDP), gjithashtu mori pjesë në raport.

Titulluar Autorët e supozuar – Tregimet e mosndëshkimit në Jammu dhe Kashmir, te dhënat e raportit u njoftuan në një konferencë shtypi më 6 dhjetor në Srinagar, kryeqyteti i Kashmirit të pushtuar nga India (raportin e gjeni: www.kashmirprocess.org). Raporti shqyrton 214 raste të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe për herë të parë, shfaqet roli i 500 autorëve të këtyre krimeve. Mes autorëve të raportit janë aktivistë të njohur për të drejtat e njeriut si Gautam Navlakha, Kartik Murukutla, Pervez Imroz dhe Khurram Pervez.

Në dy vjet përgatitje, raporti përdori informacionin e marrë nga dokumentet zyrtare shtetërore përveç dëshmive të dëshmitarëve. Studiuesit shqyrtuan dokumentet e policisë, dokumentet gjyqësore dhe pothuaj-gjyqësore si dhe dokumentet e qeverisë. Duke përdorur legjislacionin “E Drejta për Informim”, të dy organizatat kërkuan informacion mbi Raportet e Informacionit të Parë (FIR), numrat e kërkesave të Gjykatës së Lartë dhe dokumentacionin tjetër për të marre me kujdes një pasqyrë të përbërë të kulturës së mosndëshkimit të përhapur midis personelit të sigurisë që vepron në Jammu dhe Kashmir si dhe zyrtarëve të qeverisë indiane në Delhi.

Për të kuptuar më mirë se çfarë po ndodh në Kashmir, është e rëndësishme të kihet parasysh se India mban një ushtri pushtuese prej 700,000 ushtarësh në Kashmir (nën kontrollin indian) me popullsi prej rreth tetë milionë banorë. Këta përbëjnë ushtrinë e rregullt indiane, Forcën e Sigurisë Kufitare dhe Forcën e Policisë Qendrore Rezervë (CRPF). Nga forcat e ndryshme, këto të fundit janë më të njohurit. Rradhët e tyre janë të mbushura nga hindusë racistë të cilët kanë një inat të veçantë kundër muslimanëve qoftë në Indi apo edhe në Kashmir. Një krah tjetër ushtarak janë Pushkat Rashtriya, që janë po aq demonikë në qasjen e tyre dhe kënaqen veçanërisht në poshtërimin e myslimanëve.

Në kryeqytetin, Srinagar, ka 300,000 trupa dhe personel të sigurisë indiane për një popullsi prej një milion banorësh. Kështu, në Srinagar kemi një ushtar për çdo tre civilë , duke e bërë atë qytetin më të militarizuar në botë. Në çdo cep të rrugës ka nga një bunker ushtarak. Natyrisht me përqendrim kaq të lartë të personelit të armatosur, numri i vrasjeve është gjithashtu shumë i lartë. Pothuajse çdo lokalitet tani ka varrezat e veta. Parqet dhe hapësirat e hapura janë shndërruar në varreza. Ajo që është po aq tronditëse është mospërfillja totale për dinjitetin njerëzor, sidomos nderimitqë duhet tu bëhet grave të Kashmirit, prej të cilave më shumë se 10,000 janë përdhunuar nga forcat okupuese indiane që nga fillimi i revoltës së fundit që filloi në vitin 1989.

Raporti konfirmon se krimet jo vetem që kryhen por nuk ka asnjë përpjekje nga autoritetet për t’iu përmbajtur sundimit të ligjit. “Tipari përcaktues i shkeljeve të të drejtave të njeriut këtu [Kashmir] është se në emër të kundërshtimit të dhunës militante, shteti indian autorizon forcat e armatosura për të kryer çdo lloj operacioni, shpesh pa respektuare ligjet dhe normat. Në shumicën e rasteve krimet nuk vihen në dukje apo nuk hetohen fare. “Studiuesit pranojnë se analiza e tyre e rasteve është e paplotë, sepse ata nuk kanë qasje në të gjithë informacionin, por këmbëngulin që gjetjet e tyre të hedhin dritë mbi një aspekt të turpshëm të praktikave shtetërore indiane .

Pavarësisht nga mungesa e informacionit të plotë, ata theksojnë se “edhe statistikat fillestare që gjenden në të [raport] zbulojnë një pamje të tmerrshme. Në 214 raste paraqitet një listë prej 500 autorësh individualë, që përfshin 235 ushtarakë, 123 personel paraushtarak, 111 policë të Jammu dhe Kashmir dhe 31 militantë / bashkëpunëtorë të mbështetur nga qeveria. Emërtimet e disa prej këtyre autorëve të dyshuar tregojnë për një përfshirje të thellë institucionale të shtetit indian në krimet “.

Raporti pastaj ulet sipas rangut. Kjo është ajo ku tejkalohen përpjekjet e mëparshme për të nxjerrë një pamje më të plotë të krimeve shtetërore indiane kundër Kashmirit. “Në mesin e autorëve të dyshuar janë dy gjeneralë të mëdhenj dhe tre brigadarë të Ushtrisë indiane. Përveç nëntë kolonelëve, tre nënkolonelëve, 78 majorëve dhe 25 kapitenëve janë edhe 37 zyrtarë të lartë të forcave paramilitare federale, një drejtor i Përgjithshëm i Policisë në Jammu dhe Kashmir, si dhe një Inspektori i Përgjithshëm. “Kur oficerë të tillë të lartë janë të përfshirë në krime, nuk është për t’u habitur që gradat më të ulëta të veprojnë me keq. Kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur në Kashmir.

Ndërsa statistikat nuk mund të përcjellin thellësinë e vuajtjes, ato japin një paraqitje të shkurtër mbi shkallën e mizorive që po ndodhin në Kashmir. Që nga vitet 90, gati 100,000 banorë të Kashmirit, duke përfshirë gra dhe fëmijë, janë vrarë. Statistika të tjera të përpiluara nga raporti i Shërbimit të Medias të Kashmirit jep 107,000 fëmijë jetimë dhe 22,764 gra të veja në Kashmir, të gjitha si rezultat i brutalitetit të ushtrisë indiane. Përveç 120,465 civilëve të arrestuar, afër 7,000 vetë janë vrarë në arrestimet policore nën torturat; 8,000 persona të tjerë, sipas raportit të IPTK / APDP, janë zhdukur nga trupat indiane pasi u morën nga shtëpitë ose vendi i punës. Dëshmia për zhdukjet e tilla dhe se çfarë fati patën kur “u kapën” nga forcat okupuese u sigurua nga zbulimi i 6.000 varreve pa emra rreth dy vjet më parë.

Pavarësisht nga fakti se kryengritja e armatosur ka përfunduar dhe njerëzit janë përfshirë vetëm në protesta jo të dhunshme, kjo nuk i ka penguar forcat okupuese indiane nga vazhdimi i krimeve të tyre. Vrasjet e meshkujve, sidomos ndaj të rinjve dhe përdhunimet e grave nuk kanë përfunduar; kjo e fundit është një dredhi e përdorur për të poshtëruar njerëzit e Kashmirit për t’i detyruar ata të braktisin çdo nocion të kërkimit të lirisë.

Disa episode janë kaq të tmerrshme saqë nuk përshkruhen. Ndoshta sulmi në fshatin e largët Kunan Poshporas në natën e 23 shkurtit 1991 tejkalon të gjitha krimet e tjera nga ushtria indiane. Ishte mesi i muajit Shabanqë muslimanët e kane muaj të mirë. Njerëzit e këtij fshati, si kudo në Kashmir dhe në pjesën më të madhe të botës myslimane, ishin të angazhuar në namazet e natës, kur qindra ushtarë nga pushkët Rashtriya hynë brenda natës. I rrethuan të gjithë burrat dhe djemtë dhe i morën në një fushë të hapur ku i detyruan të uleshin në të ftohtin e hidhur. Ushtarët indian pastaj hynë nëpër shtëpi dhe gjatë gjithë natës përdhunuan më shumë se 100 gra që nuk mundën tu shpëtonin: vajzat e reja, gjyshet 80 vjeçare dhe madje edhe gratë shtatzëna. Ky ritual kafshëror vazhdoi gjatë gjithë natës.

Në mëngjes, një oficer i lartë ushtarak indian erdhi në fshat dhe u tha grave se njerzit e tij nuk kishin bërë “asgjë të keqe”. Një nga viktimat mori guxim për të sjellë një gjyshe 80-vjeçare përpara oficerit që ti tregonte atij se as kjo grua e vjetër nuk u kursye. “Çfarë lloj kafshe je ti?” Ajo i bërtiti në fytyrë oficerit të vetëdijshëm pasi nderi i saj tashmë ishte shkelur dhe ajo e kishte kapërcyer frikën e vdekjes. Sipas njerëzve lokalë, zyrtari u largua pa shqiptuar një fjalë, por fshati u mbajt i rrethuar për katër ditë duke mos lejuar askënd që të largohej ose të hynte. Ditën e pestë, fshatarët shkuan në stacionin lokal të policisë për të paraqitur një ankesë. Zyrtari i Qarkut, S.M. Yasin erdhi për të regjistruar dëshminë e viktimave. Në raportin e tij, ai tha se njesitë, pushkët Rashtriya kishin “vepruar si kafshë”.

Përdhunimet masive u raportuan gjerësisht në median ndërkombëtare, duke përfshirë një raport nga Barbara Crossette në New York Times (7 prill 1991), si dhe raportin e Human Rights Watch për Indinë lëshuar më 1 janar 1992. Pavarësisht provave dërrmuese, qeveria indiane i mohoi dhe i hodhi poshte pretendimet për përdhunime si një dredhi propagandistike nga “militantët e Kashmirit” me qellim për të mbledhur simpati nerkombetare. Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e vitit 1992 për të drejtat e njeriut, hodhi poshtë pretendimet e qeverisë indiane dhe ishte i vendosur që atje ” kishte dëshmi të besueshme për të mbështetur akuzat se një njësi e ushtrisë elite u angazhua për përdhunimin masiv në fshatin e Kunan Poshporës në Kashmir” (Barbara Crossette, New York Times, 1 shkurt 1992).

Kunan Poshpora mund të ketë qenë krimi më i tmerrshëm, por nuk ishte aspak një rast i izoluar. Një tjetër sulm trondites ndodhi më 29 maj, 2009 kur dy vajza, 17-vjeçarja Aasiya Jan dhe kunata e saj 22-vjeçarja Neelofar Jan, kaluan pranë një pikë kontrolli ushtarak në Shopian. Dy vajzat u rrëmbyen, u përdhunuan sistematikisht nga ushtarët dhe më pas u vranë. Trupat e tyre gjysmë të zhveshur u hodhën në një lumë aty pranë. Trupat e tyre u zbuluan vetëm kur niveli i ujit në lumë u tërhoq disi. U bënë disa javë protesta, por autoritetet indiane të okupimit nuk deshen tja dinin madje edhe kur qeveria lokale ngriti një komision hetimor dhe paraqiti raportin e tij më 9 korrik. Një biznesmen i Kashmirit, Mohammed Hussain Zargar ishte kaq i mërzitur për atë që kishte ndodhur me vajzat sa e mori përsipër të kërkonte fajtorët për këtë krim të urryer dhe ti conte në gjykatë që të ndëshkoheshin. Disa muaj më vonë, trupi i tij me shenja të qarta torturash u zbulua në një pemtore. Ishte rrëmbyer nga personeli i ushtrisë indiane dhe ishte torturuar deri në vdekje për ta bërë atë një shembull për të tjerët që guxojnë të vënë në dyshim versionin zyrtar të ngjarjeve.

Duke pasur parasysh këto statistika të tmerrshme, është e arsyeshme të supozohet se ndaj krimeve indiane do të ketë më shumë mbulim mediatik sidomos në Perëndim. Në vend të kësaj, duket se ka një përpjekje të qëllimshme për ti mbuluar këto krime. Kjo bazohet në nocionin Perëndimor se India është një treg i gjerë për mallrat. Eshte e vërtetë se ekziston një klasë e mesme prej 350 milionë njerëzish që kanë nevojë për mallra që prodhon Perëndimi, por kjo nuk mund të justifikojë krimet e tmerrshme që forcat okupuese indiane kryejnë kundër banorëve të pafajshëm të Kashmirit ose kulturën e mosndëshkimit në nivel zyrtar duke refuzuar hetimet, aq më pak të dënojnë autorët .

Raporti i IPTK / APDP e pranon këtë fakt. “Rastet e paraqitura në këtë raport tregojnë se ekziston një politikë për të mos hetuar apo ndjekur penalisht forcat e armatosura për shkeljet e të drejtave të njeriut. Ka një vullnet të rastit për të porositur lehtësim kompensues, por jo për t’i sjellë autorët para drejtësisë. Përkundrazi, autorët e dyshuar të krimeve shpërblehen dhe promovohen nga shteti. “Kjo në mënyrë të qartë e përfshin bashkëpunimin shtetëror në krimet kundër njerëzimit.

Bashkëpunimi i qeverisë indiane në këto krime u konfirmua edhe në dokumentet e publikuara nga WikiLeaks në dhjetor 2010. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC), që gjetjet e tij nuk i bën publike për shkak të frikës nga antagonizmi i qeverisë pritëse, mbajti një konferencë të rrallë në vitin 2005 ndaj ambasadorit te atëhershëm amerikan në Indi, David Mulford. Në konferencë u shpreh shqetësim i madh për shkeljet e të drejtave të njeriut në Kashmir dhe u fol për torturat në qendrat e paraburgimit. Pas këtij njoftimi, ambasada amerikane dërgoi një kabllogram në Departamentin e Shtetit, i cili u deklarua “i klasifikuar” (nuk do të bëhej publik) nga Zëvendës Shefi i Misionit Robert Blake, i cili më vonë shërbeu si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Azinë Jugore dhe Qendrore. Ambasada raportoi se Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka arritur në përfundimin se India “lejon torturën” dhe se viktimat e torturave ishin civilë, pasi militantët vriteshin në mënyrë rutinore.

Sipas kabllogrameve të rrjedhura, stafi i Komitetit Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) u tha diplomatëve amerikanë se kishin bërë 177 vizita në qendrat e paraburgimit në Jammu dhe Kashmir dhe gjetkë në Indi midis viteve 2002 dhe 2004 dhe kishin takuar mbi 1,491 të burgosur. Ata kishin qenë në gjendje të intervistonin 1.296 persona privatisht. Në 852 raste, të paraburgosurit raportuan keqtrajtim, tha ICRC-ja. 171 persona përshkruan se ishin rrahur dhe 681 thanë se ju ishin nënshtruar një ose më shumë prej gjashtë formave të torturës.

Këtu përfshihen 498 persona tek të cilët ishte përdorur energjia elektrike, 381 perona ishin varur në tavan, 294 pesonave ju kishin dërrmuar muskujt në këmbët e tyre nga personeli i burgut, 181 personave, ua kishin terhequr këmbët 180 gradë “, 234 i kishin torturuar me ujë dhe kishte eshe 302 raste” abuzimesh seksuale “, Raportohet që ICRC tu ketë thënë amerikanëve. “Numrave u shtohen edhe 681 raste të tjera, ku shumë të burgosur u nënshtroheshin më shumë se një forme keqtrajtimi, tha kabllogrami. ICRC tha se të gjitha degët e forcave indiane të sigurisë i përdornin këto forma keqtrajtimi dhe torture. Kabllogramet e ambasadës gjithashtu thanë se ICRC-së i ishte refuzuar hyrja në “Ndërtesën e ngarkesave, qendra më e famshme e ndalimit në Srinagar”.

Autorët e raportit të IPTK / APDP kanë bërë thirrje për ngritjen e akuzave kundër autorëve në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (ICC), sepse India ka dështuar në përgjegjësinë e saj. Ata për të gjitha këto kane bërë një padi të fortë dhe i kanë bërë thirrje ICC-së që të marrë njoftimin e tyre mbi këto krime. Duke pasur parasysh mjedisin ndërkombëtar, qeveritë dhe institucionet perëndimore që përdorin ICC-në si një instrument kundër kundërshtarëve, vendeve apo zyrtarëve që nuk i pëlqejnë, është shumë e vështirë që zyrtarët indianë të paraqiten para gjykatës. Fakti që disa organizata po fillojnë ti ngrenë këto raste do të thotë se po rritet ndërgjegjësimi për krimet indiane në Kashmir. Kjo në vetvete është një zhvillim pozitiv dhe duhet të mirëpritet./ Gazeta Impakt

burimi:crescent

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne