Dosja/ 10 momentet që lidhin Olsi Ramën me grupin e kokainës së Xibrakës

Gazment Bardhi bëri publike sot detaje nga dosja hetimore e laboratorit të Xibrakës ku sipas tij pjesë e grupit ka qenë edhe Olsi Rama. Rrethanat dhe faktet që lexoi Bardhi duke iu referuar dosjes hetimore janë përmbledhur në 10 nënndarje më poshtë nga zyra e shtypit e PD-së.

Kujtojmë se në vitin 2014 në fshatin Xibrakë të Elbasanit, në një operacion të drejtuar nga forcat speciale gjermane u zbulua një laborator i nxjerrjes së kokainës së shkrirë.

Pjesë nga dosja që lexoi sot Gazment Bardhi
Pjesë nga dosja që lexoi sot Gazment Bardhi

Për të bërë të mundur nxjerrjen e kokainës ishin marrë nga dy kolumbianë që kishin njohuri për procesin e nxjerrjes së drogës së shkrirë në disa veshje. Kreu i grupit, Genci Xhixha nuk u arrestua asnjëherë, por mundi të arratisej në mënyrë  të mistershme falë një sms që dyshohet se dekonspiroi operacionin.

10 FAKTET DHE “RASTËSITË DOMETHËNËSE” QË PROVOJNË PËRFSHIRJEN E OLSI RAMËS NË DOSJEN “XIBRAKA” JANË:

1. Prokuroria dhe gjykata shqiptare kanë pranuar se personat e dënuar (9 shtetasë, prej të cilëve 7 shqiptarë dhe 2 kolumbian) nuk janë të vetmit persona që kanë qenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Në datën 08.03.2016 Prokuroria për Krime të Rënda ka ndarë procedimin për “bashkëpunëtorët e paidentifikuar” duke e emërtuar me nr. 335/1 të procedimit, për të cilin ka vlerësuar se kishte nevojë për hetime të tjera lidhur me identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë aktivitet kriminale për të cilët hetimet duhet të vazhdonin.

2. Në shumicën e raporteve të shërbimit të grupeve policore të vëzhgimit, ku rezulton të jenë identifikuar të gjithë personat e përfshirë, evidentohet githmonë një person i paidentifikuar që përshkruhet si “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurta”. Olsi Rama, vëllai i Kryeministrit Edi Rama, ka lindur më 09.09.1969 dhe në periudhën Dhjetor 2014-Janar 2015 ka qenë 45 vjeç. Nga pamja e fotografisë së tij rezulton gjithashtu se ai është një person “me flokë të shkurtra”.

3. Në takimin e datës 13.01.2015 me pothuajse të gjithë anëtarët e grupit kriminal, “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurta”, që ka mbetur i paidentifikuar, ka qenë përdorues i automjetit me targa AA653DM.

4. Nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton se Olsi Rama është përdorues i automjetit me targa AA653DM.

5. Automjeti me targa AA653DM, në drejtimin e të cilit ishte anëtari i paidentifikuar dhe që cilësohet si “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurtra”, rezulton të jetë përdorur edhe nga pjesa tjetër e drejtuesve të grupit kriminal, ku përfshihen Genci Xhixha, Ermal Hoxhën dhe Gentian Gjonaj.

Dokument i sistemit TIMS i publikuar nga Gazment Bardhi
Dokument i sistemit TIMS i publikuar nga Gazment Bardhi

6. Pra, automjeti me targa AA653DM, që në datën 13.01.2015 në takimin e organizuar mes anëtarëve të organizatës kriminale, drejtohej nga personi i paidentifikuar dhe i cilësuar si “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurtra”, gjatë periudhës Prill – Dhjetor 2014, është përdorur për hyrje-dalje nga Shqipëria, sipas sistemit TIMS, nga Olsi Rama, Genci Xhixha (bosi i grupit kriminal), Ermal Hoxha (anëtar i grupit kriminal) dhe Gentian Gjonaj (anëtar i grupit kriminal).

7. Përdorimi i të njëjtit automjet më së paku provon një miqësi të konsoliduar mes Olsi Ramës dhe personave drejtues të organizatës si Genci Xhixha apo Gentian Gjonaj.

8. Dyshimi i hetuesve shqiptar ka qenë se Genci Xhixha është njoftuar paraprakisht për mundësinë e arrestimit dhe është larguar nga territori shqiptar në mënyrë ilegale më datë 14 Janar 2015. Vëllai i Kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, rezulton nga sistemi TIMS të ketë datë nga Shqipëria më datë 14 Janar 2015, në orën 15.38 min, nga pika e kalimit të kufirit “Morinë” në Kosovë, me një automjet që rezulton çuditërisht si asnjëherë tjetër i paregjistruar në sistem.

9. Nga verifikimi i sistemit TIMS, Olsi Rama, ashtu si Genci Xhixha, konstatohet se ka hyrje-daljet më të shpeshta dhe me kohë të shkurtër qëndrimi nga muaji Tetor 2014-në muajin Janar 2015, kohë në të cilën shtrihet periudha e përgatitjes deri në finalizimin e veprës penale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

10. Nga verifikimi i sisitemit TIMS rezulton se vëllai i Kryeministrit të Shqipërisë, Olsi Rama, ka dalë jashtë territorit shqiptar, me date 07/11/2014, një ditë përpara mbërritjes në Shqipëri, të dy shtetasve kolumbian Cesar Adolfo Avila Gutierrez dhe ëalther Moren Morena, të cilët me njohuritë e tyre kimike bënë të mundur fillimin e procesit të përpunimit të kokainës. Sipas gjykatës shqiptare rezulton se një person i paidentifikuar, ka bërë të mundur ardhjen në Shqipëri të tyre në datën 08/11/2014.

Genci Xhixha, kreu i trafikanteve të kokaines
Genci Xhixha, kreu i trafikanteve të kokaines

Dekonspirimi i policisë për Genci Xhixhën në 2015

Nga të dhënat që zbuloi Gazment Bardhir rezulton se Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama ka përdorur të njëjtën makinë me targa AA653DM që përdornin e grupi i trafikantëve të kokainës, të cilët ngritën një laborator në Xibrakë, sipas dokumentave që zbuloi sot kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

Bardhi tha se Olsi Rama ishte mik i ngushtë me Genci Xhixhën, kreun e grupit të trafikantëve që e sillte kokainën nga Kolumbia dhe më pas e trafikonte drejt Gjermanisë.

Genci Xhixha nuk u arrestua asnjëherë nga policia shqiptare pasi dyshohet se ai u njoftua me një sms se laboratori i kokainës mbahej nën vezhgim nga forcat speciale.

Në dosjen e prokurorisë, asokohe u përfshinë 12 raporte vëzhgimi të Policisë së Shtetit me autorizim të Prokurorisë së Krimeve të Rënda të kryera gjatë periudhës dhjetor 2014- janar 2015.

Në të gjitha këto vëzhgime të kryera në qytetet Tiranë, Elbasan, Xibrakë dhe në rrugën që lidh këto dy qytete, gjithçka ka ecur normalisht deri në datën 14 janar 2015. Atë ditë pretendohet se Genci Xhixha ka qenë në Shqipëri dhe paradite është nisur në drejtim të Elbasanit.

Linja logjike e ngjarjeve ishte që ai të shkonte në laboratorin e Xibrakës, ku ndodheshin në atë moment disa nga bashkëpunëtorët e tij. Por ndërsa ishte nisur për në Elbasan, në orën 10:35 Genci Xhixha ka marrë një mesazh që ka ndryshuar rrjedhën e gjërave.

Financuesi e furnizuesi i laboratorit të Xibrakës është kthyer menjëherë pasi kishte kaluar rrethrrotullimin e TEG-ut për në Tiranë, duke anuluar udhëtimin në Elbasan. Skuadra e policisë që po ndiqte automjetin ku ndodhej Genci Xhixha ka parë se ai ka ndërruar rrugë papritur, duke u kthyer në drejtim të Tiranës.

Pamje nga laboratori i kokaines ne Xibrake
Pamje nga laboratori i kokaines ne Xibrake

Po atë ditë, disa minuta pas këtij episodi grupi i vëzhguesve që ishte vendosur në Xibrakë ka parë personat që vepronin në laborator të nxirrnin në pjesën e pasme të ndërtesës fuçitë me solucion kokaine dhe t’i derdhnin në tokë, pasi me sa duket ishin njoftuar se ishin nën hetim e vëzhgim. Ky ka qenë momenti i ndërhyrjes së policisë, e cila arrestoi në flagrancë personat e dyshuar.

Genci Xhixha ndërkohë ka arritur të dalë nga Shqipëria po atë ditë siç dyshohet, por nuk la asnjë gjurmë të kalimit të tij në pikat kufitare të vendit. Sipas hetuesve, ai ose ka kaluar kufirin në këmbë për në ndonjë vend fqinj ose ka përdorur identitet tjetër.

Si nisën hetimet me kërkesë të autoriteteve gjermane

Pikënisja e hetimeve që çuan në zbulimin e laboratorit të Xibrakës ishte një informacion i mbërritur nga Gjermania në datën 14 dhjetor 2015. Policia gjermane kishte rënë në gjurmët e Ilir Hysenit, personit që priste atje dhe shpërndante më tej drogën që nisej nga laboratori i Xibrakës.

Pas informacionit të mbërritur nga Gjermania, prokuroria shqiptare filloi hetimet dhe autorizoi policinë për të bërë vëzhgim të fshehtë ndaj grupit të personave, që dyshohej se ishin aktivizuar në trafikun e drogës përmes laboratorit të drogës në Xibrakë.

Prokuroria thekson se të arrestuarit Gentjan Gjonaj, Kelmend e Arjan Dalipi kanë gjetur vendin e laboratorit, duke marrë më qira ambientet e magazinave në Xibrakë. Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, lidhje e dorës së parë me Genci Xhixhën, menaxhonte dy “kimistët” kolumbianë, Cesar Avila dhe Valter Moreno. Ata kanë hyrë në Shqipëri në nëntor 2015.

Shtetasi Saimir Batku i kapur me një sasi droge më 14 janar 2015 në Tiranë ka qenë transportuesi i lëndës nga Xibraka në Tiranë e Durrës për ta nisur në Gjermani, ku pritës dhe shpërndarës më tej i saj ka qenë Ilir Hyseni./Lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne