Dronët Bayraktar dhe partneriteti strategjik, ambasadori turk zbulon detaje të reja nga telefonata e Ramës me Erdoganin

Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Tayyar Kagan Atay ka dhënë një deklaratë për mediat nga qyteti i Korçës. Ai dha detaje rreth telefonatës së Ramës me Erdoganin.

“Dje është bërë një bisedë telefonike mes presidentit tonë dhe kryeministrit Edi Rama. Ju e dini që ata kanë një miqësi midis tyre dhe një dialog të vazhdueshëm. Ata takohen shpesh dhe kjo bisedë telefonike është bërë në kuadër të takimeve të tyre që janë të vazhdueshme. Është biseduar për fusha të shumta, është folur edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare. Siç edhe është prekur përsëri pjesa e kërkesës së vazhdueshme të bërë edhe publike nga ana e presidentit tonë për pastrimin e organizatës terroriste Feto këtu në Shqipëri sidomos në fushën e arsimit dhe fesë dhe kjo është prekur edhe në bisedën telefonike”, tha ai.

Pas telefonatës a ka patur ndonjë reagim për organizatat terroriste dhe a vazhdon Shqipëria dhe Turqia ta shohin njëri-tjetrin si vende aleate strategjike?

“Patjetër partneriteti strategjik do të vazhdojë, siç e thatë edhe ju dhe e dini Shqipëria ka blerë nga Turqia 3 dronë Bayraktar dhe patjetër që këto marrëdhënie do të vazhdojnë. Plus kësaj ju e dini që Turqia është goxha e zhvilluar në fushën e mbrojtjes, sot kanë qenë 3 dronë nesër mund të jenë pajisje apo gjëra të tjera, partneriteti do të vazhdojë. Sa i përket gjysmës së pyetjes së parë për telefonatën duhet të pyesni Ramën, unë nuk mund të kthej dot një përgjigje se çfarë ka thënë Rama dje, por dua të theksoj dhe mund ta them këtë që pjesa e pastrimit të Fetos nga Shqipëria nuk është vetëm çështje e Turqisë, ajo është çështje edhe e shtetit Shqiptar. Pra ato janë të rrezikshëm.

Ky pastrim nuk duhet bërë vetëm për Turqinë, duhet të bëhet për një të ardhme më të sigurt edhe për vendin tuaj. Patjetër që do të marrim përfundime për këtë temë dhe zhvillime ka dhe dua të theksoj që organizata Feto për vazhdimin e partneritetit dhe zhvillimin e marrëdhënieve miqësore. Nuk do t’i lejomë të helmojnë të ardhmen midis dy shteteve. Unë si ambasador e kam një nga punët e mia primare këtë çështje dhe dua ta theksoj sot edhe përpara jush edhe përpara ndërkombëtarëve, kjo është një punë që ne do t’i shkojmë deri në fund”, tha Atay./Tpz 

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne