Dubrovniku u pastrua me aksion për 3 ditë, plehrat e shndërrojnë plazhin e Velipojës në landfill

Bregdeti i Velipojës, një nga aktraksionet më të bukura të Adriatikut në veri, ka marrë pamjen e një landfilli.

Me këtë situatë, qytetarët u përballen këtë të diel, në vend të relaksimit, që kërkonin të shijonin këtë fundjavë. Prej ditësh, mbetjet që lumenjtë dhe përrenjtë i sollën në breg, praktikisht mbeturinat e hedhura pa përgjegjshmëri nga cilido, si një hakmarrje e vërtetë e natyrës, kanë mbetur aty.

Një pjesë të tyre, deti Adriatik i mori me vete dhe i çoi në Dubrovnik, që siç raportuan mediat atje, kjo është një situatë që përsëritet thuajse çdo vit. Por ndryshe nga ajo çfarë po përjeton prej ditësh Velipoja, bregdeti i një prej destinacioneve turistike më të njohura kroate, u pastrua brenda tre ditëve nga autoritet vendase.

Ndërkohë, autoritetet lokale në Shkodër janë të përgjumura përballë kësaj situate emergjente, ku për pastrimin duhej të kërkonin edhe ndihmën e forcave të ushtrisë, për këtë emergjencë mjedisore.

Por autoritetet i kanë sytë te aksioni i datës 10 dhjetor për pastrimin, ku kanë paralajmëruar angazhimin rreth 1 mijë vullnetarë nga organizata mjedisore, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, si dhe punonjës të Bashkisë Shkodër.

Teksa janë në pritje të kësaj date, mbetjet do të mbeten në breg si një kërcënim serioz, pasi efektet negative janë të shumta, plastika futet në këtë mënyrë në zinxhirin ushqimor përmes produkteve të detit e nga ana tjetër, plehrat masive shkatërrojnë habitatin natyror.

Situata në Velipojë është alarmante, ndërkohë bregdeti shqiptar përballet vazhdimisht me një situatë të ngjashme, pasi lumenjtë sjellin tonelata mbeturinash, që hidhen pa kriter përgjatë rrjedhës së tyre, duke i shkaktuar mjedisit një dëm me pasoja të mëdha./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne