Shqiperia

Dyshimet për sulm terrorist në ndeshjen Shqipëri-Izrael, shpallen të pafajshëm 4 të arrestuarit

Gazetari i “Panorama” raporton se vendimi eshte marre sot nga Gjykata e Posacme Antikorrupsion per shtetasit Bekim Protopapa, Ergys Faslija, Xhezair Fishti dhe Medat Hasani.

Ata u vune ne pranga ne vitin 2016 si të dyshuar për një sulm terrorist në ndeshjen Shqipëri-Izrael.

Tashmë drejtësia shqiptare me pushimin e çështjes i ka shpallur të pafajshëm katër shtetasit e sipërmendur ndaj dyshimeve të mëparshme.

Këta shtetas dyshoheshin për veprat penale “Vepra me qëllime terroriste”, “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Organizata Terroriste”.

Kërkesa për pushimin e kësaj çështjeje është bërë nga vetë Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ose SPAK siç njihet të cilën Gjykata e pranoi duke pushuar masat e sigurisë ndaj tyre.

Katër shtetasit Bekim Protopapa, Ergys Faslija, Xhezair Fishti dhe Medat Hasani, bashkë me disa shtetas kosovar u arrestuan si të dyshuar se kishin kontakte me terroristë të ISIS në vitin 2015 si Lavdrim Muhaxheri apo edhe të tjerë xhihadistë dhe radikal nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.

Pavarësisht këtyre dyshimeve policia dhe prokuroria nuk arritën asnjëherë që të sigurojnë këto prova që pretendojnë dhe për të cilat bënë arrestimet duke bërë që pas më shumë se 3 vitesh të marrin pafajsinë.

Një vit pas arrestimit, në nëntor të 2017-ës Bekim Protopapa, Ergys Faslija, Xhezair Fishti dhe Medat Hasani  u lanë me masën e sigurisë “arrest shtëpie” pasi prokuroria nuk dërgoi asnjë provë në gjykatën e shkallës së parë për krime të rënda duke bërë që të përfundojnë afatet ligjore për mbajtjen në paraburgim dhe duke detyruar gjykatën që të vendosë “arrest shtëpie” për të katërt.

Në kërkesën e prokurorisë për pushimin e çështjes thuhet se janë administruar në cilësinë e provës materiale ligjëratat në rrjetet sociale për shtetasin Xhezair Fishti, janë kryer kontrolle banesash dhe janë pyetur shumë persona, janë sekuestruar telefona dhe kompjutera, janë kryer përgjime dhe janë pyetur vetë të arrestuarit të cilët nuk kanë pranuar asnjë prej akuzave dhe se madje disa prej tyre nuk njihen me njëri-tjetrin, prova aspak të mjaftueshme as për t’i dënuar por as për t’i mbajtur në paraburgim katër shtetasit e sipërpërmendur.

Prokuroria thotë se nuk u arrit të provohej akti terrorist  dhe nuk është arritur të gjehen as mjetet përkatëse që organi i akuzës kishte dyshime siç janë armët, banesat apo edhe mjete të tjera logjistike për të kryer aktin terrorist.

Prokuroria është dorëzuar në fund duke thënë se me këtë nivel provash të grumbulluar në ngarkim të dyshuarve nuk mund të ngrihet akuzë ndaj tyre e jo më të dërgohen për gjykim duke bërë që tri akuzat ndaj tyre për terrorizëm në ndeshjen Shqipëri-Izrael të bien poshtë përfundimisht dhe tashmë shtetasit Bekim Protopapa, Ergys Faslija, Xhezair Fishti dhe Medat Hasani të dalin të pafajshëm pas një procesi që bëri shumë zhurmë dhe zgjati mbi 3 vite./PANORAMA

OPINIONE

INTERVISTA