“E prishë institucionin e familjes”- BIK shprehet kundër fertilizimit të asistuar dhe martesave të gjinisë së njëjtë

Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, është shprehur kundër projekt-kodit civil që lejon martesat e gjinisë së njëjtë, si dhe projektligjit për shëndetin riprodhues. Saktësisht, për fertilizimin e asistuar.

Tërnava këto deklarata thuhet se i ka bërë përgjatë një takimi me kryetaren e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Duda Baljen. “Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin e institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës me Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, ku ndër të tjera edhe një herë u potencua shqetësimi i Myftiut Tërnava dhe i institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës, rreth ecurisë së miratimit të disa projektligjeve, e në veçanti miratimi i projektligjit për fertilizimin e asistuar, i cili kontribuon direkt në prishjen e institucionit të familjes”, thuhet në njoftimin e BIK’ut.

“Myftiu nuk la pa përmendur edhe takimin e përbashkët që kanë pasur edhe me prijësit e institucioneve të tjera fetare në vend, me të cilët edhe ka nënshkruar deklaratën e përbashkët për kundërshtimin e projektligjit që lejon martesat e së njëjtës gjini”, përfundon njoftimi.

Balje ka kundërshtuar projektligjin për shëndetin riprodhues dhe projektkodin civil sa herë që është dalë në votim në Kuvendin e Kosovës.

Ndaj saj është kërkuar shkarkimi prej pozitës së kryetares në Komisionin e të Drejtave të Njeriut./gazeta10

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne