Edi Rama burgos shqiptarët. Vetëm dy herë në ditë jashtë

Nga nesër do të ngushtohet orari për të dalë jashtë si këmbësor. Kështu, të gjithë do të kenë vetëm dy fasha orare për të dalë, nga 06:00 e mëngjesit deri në 10:00 dhe pasdite nga ora 16:00 deri në 18:00, në total vetëm 6 orë. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se kushdo që shkel këtë rregull të ri, do të gjobitet me 10 mijë lekë dhe nuk do të marrin asnjë ndihmë nga shteti nga paketa e solidaritetit në kushtet e një situate që kreu i qeverisë e quan luftë. Kështu, nëse një qytetar që del nga shtëpia jashtë këtyre orare, dhe për shembull rezulton të jetë punëtor që duhej të qëndronte në shtëpi për shkak të mbylljes së një biznesi ku ai mund të punonte, nuk do të marrë pagën, që do të shlyhet në sajë të një plani financiar të qeverisë për të mbështetur biznesin nga buxheti i shtetit.

Sipas kësaj mase të re kufizuese që Rama bëri publike në një postim në Facebook, edhe ata që do të dalin në fashën orare të lejuar, do duhet të jënë vetëm, dhe jo të shoqërohen me persona të tjerë, pikërisht për të shmangur kontaktet dhe grumbullimet që nuk respektojnë distancën.

“Mesa duket nuk po kuptohemi siç duhet me disa që s’duan ta marrin vesh se nuk është kohë shëtitjesh. Nga nesër dalja e këmbësorë do të kufizohet vetëm në fashat orare 06.00 – 10.00 dhe 16.00 – 18.00. Nga nesër do të ndalohet dalja në këmbë rrugëve me persona të tjerë në krah!. Shkelja e këtyre rregullave do të ndëshkohet me gjobë 10.000 lekë dhe shkelësit nuk do të marrin asnjë ndihme shtetërore nga paketa financiare e solidaritetit në kushtet e kësaj lufte! Boll! Një pakicë e vogël fare individësh të papërgjegjshëm nuk mund të sabotojnë sakrificën e një populli të tërë, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të njerëzve të tjerë! Ndjesë 1000 herë po kjo është luftë dhe s’ka asnjë rrugë tjetër! Frikë aspak, kujdes po! me hir ose me pahir! Dielli aty do jetë prapë, ndërsa jetët e humbura nuk kthehen më!”, shkruan Rama.

Ky reagim i fortë i kryeministrit, erdhi pas një vëzhgimi që Report Tv bëri sot thuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë, ku qytetarët duke shkelur rregullat e duke shfaqur zero ndërgjegjësim dolën në rrugë në grumbullime, në parqe publike e buzë detit duke shfrytëzuar edhe temperaturat e larta të kësaj të mërkure.

Para këtij vendimi, masa kufizuese ishte e tillë: Qytetarët mund të dilnin deri në orën 18:00, dhe nëse kapeshin në rrugë pas këtij orari, gjobiteshin sërish me 10 mijë lekë të rinj. Ndërkohë, kush ka ardhur nga zonat të kuqe të infektuara nga COVID-19 dhe dalin nga shtëpia, pra që shkelin vetëkarantimin, gjobiten me 700 mijë lekë të rinj./shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne