Ekipi saudit i ofroi Khashoggit çaj para drogimit dhe masakrimit

Zbulohen momentet e fundit të vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi.

Një anëtar i ekipit saudit prej 15 vetësh që u dërguan në Stamboll për të vrarë Khashoggin, i kishte ofruar atij fillimisht çaj, para se gazetari të drogohej dhe të copëtohej, raportoi Washington Post (WP), duke cituar zyrtarë që flisnin me kushte anonimiteti.

“Khashoggi u përgjigj po, me një zë që tregonte qartë se ai e kishte ndjerë se kjo mirësjellje parashikonte diçka më të keqe”, tha një zyrtar, i cili kishte dëgjuar regjistrimin e momenteve të fundit të gazetarit.

Artikulli i WP-së tregon më tej se një anëtar i ekipit e informoi Khashoggin se ai po kthehej në Arabinë Saudite, gjë për të cilën ai kishte “sjellë një shiringë të mbushur me qetësues mëse të mjaftueshëm për të qenë vdekjeprurës”.

Zyrtarët thanë gjithashtu se nuk dukej se kishte qëllime për ta mbajtur të gjallë Khashoggin.

“Tmerri pasoi me tingullin e një motori elektrik, me sa duket një sharrë që njëri prej specialistëve të ekipit, një ekspert i skenës së krimit i Ministrisë së Punëve të Brendshme Saudite, po përdorte për të copëtuar trupin e Khashoggit.”

Khashoggi, një gazetar dhe kolumnist saudit për The Washington Post, u zhduk pasi hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor për të marrë disa dokumente për martesën e tij të ardhshme.

Pasi u tha fillimisht se ai e kishte lënë i gjallë konsullatën, disa javë më vonë administrata saudite pranoi se gazetari ishte vrarë brenda në konsullatë, duke fajësuar për vdekjen e tij vetëm disa agjendë të dalë jashtë kontrollit.

Zyrtarët e pashpresë sauditë u munduan që ti ndalnin përpjekjet e policisë dhe inteligjencës turke për të kryer një hetim të detajuar brenda konsullatës dhe rezidencës. Dy ekspertë të toksikologjisë dhe një ekspert kimik u lejuan të fusnin duart në provat para se zyrtarët sauditë të lejonin autoritetet turke të hetonin këto ndërtesa.

Pavarësisht kërkesave turke, Arabia Saudite nuk e ka lejuar ende Turqinë që të hetojë as kopshtin e konsullatës dhe as pusin e saj.

Turqia ka kërkuar bashkëpunim më të plotë nga autoritetet saudite dhe ka folur gjithashtu për hapjen e një hetimi ndërkombëtar. Ajo ka kërkuar gjithashtu ekstradimin e të dyshuarve të vrasjes në mënyrë që ata të mund të përballen me drejtësinë në Turqi./yenisafak/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne