Bota

Ekspertët e OKB-së kërkojnë hetime për vrasjen e 15-vjeçarit palestinez

Ekspertët e OKB-së për të drejtat e njeriut të enjten bënë thirrje për një hetim të paanshëm dhe të pavarur lidhur me vrasjen e 15-vjeçarit palestinez nga forcat izraelite të sigurisë në një protestë në Bregun Perëndimor nën pushtim këtë muaj, duke përmendur mungesën e përgjegjësisë.

Ekspertët Michael Lynk, raportues special për situatën e të drejtave të njeriut në territoret e okupuara palestineze që nga viti 1967 dhe Agnes Callamard, raportuese speciale për ekzekutime jashtëgjyqësore dhe arbitrare, në një deklaratë theksuan se ata janë “thellësisht të shqetësuar nga mungesa e përgjithshme e përgjegjësisë për vrasjet e fëmijëve palestinezë në vitet e fundit”.

Thuhet se vrasja e Ali Ayman Abu Aliya nga forcat izraelite të Mbrojtjes ishte në rrethana kur nuk ka pasur kërcënim për vdekje ose plagosje serioze për forcat izraelite të sigurisë dhe është një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar.

“Forca e qëllimshme vdekjeprurëse është e justifikuar vetëm kur personeli i sigurisë përballet me një kërcënim të menjëhershëm të forcës vdekjeprurëse ose dëmtimit serioz”, theksuan ata.

Më 4 dhjetor, të rinjtë palestinezë në fshatin Al-Mughayyir protestuan kundër ndërtimit të një vendbanimi të paligjshëm izraelit aty pranë.

Informacionet e mbledhura nga organizatat e shoqërisë civile dhe Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut tregojnë se ata kanë hedhur gurë ndaj forcave izraelite të sigurisë, të cilët u përgjigjën me plumba metali të veshura me gomë, gaz lotsjellës dhe me municion të gjallë, theksuan ekspertët.

Abu Aliya u godit në bark me një plumb të qëlluar nga një ushtar izraelit nga rreth 100-150 metra.

Ai ndërroi jetë atë ditë më vonë në spital.

Ekspertët e të drejtave të njeriut theksuan se nuk janë në dijeni të ndonjë pretendimi se forcat izraelite të sigurisë ishin në rrezik.

Ata theksuan se Abu Aliya ishte fëmija i gjashtë palestinez që jetonte në Bregun Perëndimor e që u vra në vitin 2020 nga forcat izraelite të sigurisë duke përdorur municione të gjalla.

Lynk dhe Callamard theksuan se 1.048 fëmijë palestinezë janë plagosur nga forcat izraelite të sigurisë në të gjithë territorin e okupuar palestinez midis 1 nëntorit 2019 dhe 31 tetorit 2020.

“Fëmijët gëzojnë të drejta të veçanta të mbrojtura sipas ligjit ndërkombëtar”, thanë ata.

“Secila prej këtyre vrasjeve ngre shqetësime të thella në lidhje me respektimin e Izraelit ndaj detyrimeve të tij solemne për të drejtat e njeriut dhe ligjin humanitar si një fuqi okupuese”.

Forcat izraelite të sigurisë njoftuan se do të hetojnë vrasjen e Abu Aliya.

Por, ekspertët theksuan se hetimet nga forcat izraelite të Mbrojtjes për të shtënat fatale ndaj palestinezëve nga ushtarët e tyre rrallë rezultojnë në përgjegjësi të përshtatshme.

Ata theksuan se organizatat e shoqërisë civile kanë dokumentuar 155 vdekje të fëmijëve palestinezë nga forcat izraelite të sigurisë duke përdorur municione të gjalla ose armë të kontrollit të turmës që nga viti 2013.

Vetëm tre aktakuza për akuza penale janë lëshuar për vepra të lidhura drejtpërdrejt me ato vrasje./AA

OPINIONE