Eksperti francez i shkencave politike: Është absurde që Franca mbështet Haftarin

Nga: YUSUF ÖZCAN

Charles Saint-Prot, Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës së Kërkimeve Gjeopolitike në Paris, e përshkroi udhëheqësin e forcave të armatosura jolegjitime në lindje të Libisë, Khalifa Haftar, si një person të rrezikshëm, duke e quajtur mbështetjen e Francës për komandantin renegat si “absurde”.

“Është e pakuptimtë të mbështetet Haftari. Ai është një njeri i rrezikshëm”, tha politologu francez Saint-Prot në një intervistë për Anadolu Agency (AA).

“(Presidenti Emmanuel) Macron dhe (ministri i Jashtëm Jean-Yves) Le Drian nuk dinë asgjë në lidhje me politikën e jashtme. Mbështetja e Francës për Haftarin është e gabuar. Për më tepër, Haftar ka mbetur jashtë lojës”, thotë Saint-Prot, duke theksuar se Franca duhet ta rishikojë politikën e saj për Libinë.

“Franca tani duhet të ndryshojë politikën e saj dhe të mbështesë vetëm (kryeministrin libian Fayez) al-Sarraj. Franca, e cila thotë se është e përkushtuar për të drejtat e njeriut, duhet të marrë parasysh varret masive në Libi. Franca duhet të ndryshojë plotësisht politikën e saj dhe t’i afrohet Ankarasë. Nuk ka kuptim të fillosh luftë kundër Turqisë”, shtoi ai.

Saint-Prot tha se Turqia është një forcë në Mesdhe, ndërsa në lidhje me politikën anti-turke të Francës, ai shprehet:

“Politika nuk bëhet kështu. Franca ka mbetur jashtë lojës. Nuk e dëshiron këtë, por ecën në rrugë të gabuar. Franca e shpalli Turqinë si armikun kryesor. Ky është një gabim. Turqia ka më shumë arsye sesa Rusia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për të ndërhyrë në Libi. Rusia dhe EBA nuk janë fuqi lokale. Pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, Turqia është një fuqi në nivel lokal dhe në Mesdhe”.

Saint-Prot shprehet i shqetësuar që “Franca qeveriset nga ideologjitë”.

“Franca e ka izoluar veten në çështjen libiane. Mbështetja e Francës për Haftarin është absurde. Për më tepër, Haftar ka mbetur jashtë lojës. Ka mospërputhje në politikën franceze. Në të vërtetë, problemi është se Franca nuk dëshironte që Turqia të ndërhynte në Libi. Kjo nuk është normale. Unë nuk e kuptoj këtë qëndrim të Francës. Turqia nuk duhet të jetë në shënjestër”, tha ai, duke shtuar se Macron dhe qeveria franceze “i kanë menaxhuar në mënyrë amatore” krizat në shumë fusha.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare dhe Kombet e Bashkuara (OKB) janë i vetmi autoritet që legjitimojnë qeverinë libiane.

“Franca duhet t’i japë fund politikës së saj të errët dhe të pakuptueshme. Është vërtetuar se Haftar ka mbaruar dhe kjo është një gjë e mirë, sepse Haftar ka hedhur poshtë sistematikisht zgjidhjen politike dhe ka intensifikuar krizën, duke mos bërë asgjë tjetër”, shprehet Saint-Prot.

Duke nënvizuar se Franca gjithashtu duhet të dënojë krimet e bëra nga Haftar, Charles Saint-Prot gjithashtu tha se Parisi duhet para së gjithash t’i afrohet Ankarasë dhe t’i përkushtohet sërish politikës së saj të miqësisë që daton nga shekulli i 16-të.

Ai përfundoi duke thënë se është koha që Franca t’i japë fund qëndrimit armiqësor./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne