Nga Haxhi Baba Ardit Selmani
Nën thirrjen tradicionale “Bismilahi Rrahmani Rrahim! Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!”, Gjyshata Bektashiane e Elbasanit organizoi dje një Simpozium Ndërkombëtar kushtuar historisë dhe sfidave të bektashizmit, me pjesëmarrjen e studiuesve nga Shqipëria, Ballkani, Europa dhe Azia.
Ky aktivitet, i paralajmëruar disa ditë më parë nga Haxhi Baba Ardit Selmani, mblodhi një numër të madh studiuesish dhe përfaqësuesish të teqeve bektashiane, të cilët kontribuan me referime, dokumente të reja dhe analiza historike që ndriçuan figura dhe ngjarje pak të trajtuara më parë.
Pjesëmarrësit ndërkombëtarë përfshinë:
Dr. Manuel De Jesús Núnes Chavarria – Spanjë
Prof. Dr. Radwa Omar – Egjipt
Dr. Erdal Kalayci – Austri
Prof. Asoc. Dr. Memish Merdan – Bullgari
Prof. Dr. Metin Omer – Rumani
Prof. Dr. Fahri Maden – Turqi
Halife Baba Haxhi Dursun Gumusoglu – Turqi
Dr. Alban Dobruna – Kosovë
Ndërsa nga Shqipëria kontribuan me kumtesa Dr. Ermir Gjinishi, Prof. Dr. Shyqyri Hysi dhe studiues të tjerë të njohur të fushës.
Simpoziumi hodhi dritë mbi teqetë historike bektashiane, si ajo e Kajgysus Sulltanit, teqeja e Baba Demirit në Bullgari dhe teqeja e Baba Rexhebit në SHBA, duke sjellë fakte të reja, dokumente historike të pazbuluara më parë dhe dëshmi që madhërojnë traditën e bektashizmit shqiptar. Studiuesit theksuan gjithashtu sakrificat e klerikëve shqiptarë, rolin e tyre fetar e atdhetar dhe kontributin në ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore.
Sipas organizatorëve, kënaqësia dhe entuziazmi i besimtarëve, intelektualëve dhe studiuesve të shumtë që morën pjesë në këtë veprimtari ishte i jashtëzakonshëm.
Në emër të Gjyshatës së Elbasanit, u shprehën falënderime të veçanta për:
Znj. Klodiana Spahiu, nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë, për praninë dhe mbështetjen ndaj veprimtarive shkencore e fetare.
Z. Albert Malaj, kryetar i Bashkisë Memaliaj, për ndihmën e vazhdueshme dhe fjalët inkurajuese në këtë simpozium.
Halife Baba Haxhi Dursun Gumusoglu, për qëndrimin e tij dinjitoz dhe rolin si urë komunikimi midis komuniteteve bektashiane, si dhe për fjalën e tij kushtuar Haxhi Baba Faik Selmanit.
Sheh Hysen Shehu, kryetar i tarikatit alveti të Jugut të Shqipërisë, për kontributin dhe vëmendjen e treguar ndaj bektashinjve shqiptarë.
Sheh Redi Sheko, për mbështetjen e tij të vazhdueshme.
Sheh Vullnet Merja, për mbështetjen dhe për transmetimin e Kuranit Qerim dhe të Ehli Bejtit.
Komunitetin Bektashian Ballkanik, për bashkëpunimin e shkëlqyer me Gjyshatën e Elbasanit.
Të gjithë studiuesit ndërkombëtarë e vendas, të cilët me kontributin e tyre ngritën nivelin shkencor të kësaj veprimtarie.
Organizatorët e cilësuan simpoziumin si një vlerë të madhe për zhvillimet bashkëkohore të bektashizmit shqiptar, duke theksuar se rruga e Hynqar Haxhi Bektash Veliut mbetet udhërrëfyesi i vëllazërisë dhe harmonisë së besimtarëve.
Në përmbyllje, u shprehën lutjet tradicionale:
“Allahu xhel-le shanuhu na pastë në mbrojtje! Ehli Bejti a.s. na ndihmoftë! Amin!”
















