Erdogan: BE-ja po përpiqet të shkëputet nga Turqia, mund të ndajmë rrugët nëse është e nevojshme

Presidenti i Turqise, Recep Tayyip Erdogan, tha se vendi i tij do të vlerësojë zhvillimet e fundit në lidhje me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Pas këtyre vlerësimeve, ne mund të ndajmë rrugët me BE-në nëse është e nevojshme”, tha Erdogan në një konferencë për media në Stamboll para nisjes për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York.

BE-ja “po përpiqet të shkëputet” nga Ankaraja, tha ai në lidhje me raportin e Parlamentit Evropian për vitin 2022 për Turqine.

Po ashtu, presidenti turk tha se Turqia ka zgjeruar propozimin për të udhëhequr bisedimet trepalëshe për rajonin e Karabakut të Azerbajxhanit, duke përfshirë këto dy vende dhe Armeninë fqinje, duke shprehur gjithashtu gatishmërinë për diskutime katërpalëshe që do të përfshinin Rusinë.

“Ne u përcollëm atyre (Azerbajxhanit dhe Armenisë) propozimin tonë për një takim trepalësh nën udhëheqjen tonë. Përtej qasjes trepalëshe, ne bëmë gjithashtu një propozim katërpalësh”, deklaroi Erdogan.

“Nuk ka pasur ende asnjë përgjigje”, tha ai për propozimin katërpalësh, duke vënë në dukje se do ta diskutojë këtë çështje me homologun e tij azerbajxhanas Ilham Aliyev.

Në lidhje me aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO, ai tha se nëse terroristët do të lejohen të zhvillojnë demonstrata nën mbrojtjen e policisë në vendin skandinav, kjo tregon se Stokholmi po dështon të “përmbushë detyrat e tij” sipas marrëveshjes me Ankaranë për t’i dhënë dritë jeshile pranimit të tij në aleancë./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne