Erdogan: Gëzuar krishtlindjen qytetarëve turq të krishterë dhe të gjithë botës kristiane

Me rastin e festës së krishtlindjes më 24 dhjetor, Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, publikoi të dielën një mesazh urimi për të gjithë qytetarët e besimit të krishterë.

“Në përputhje me vlerat e qytetërimit të cilit i përkasim, ne vazhdojmë të kultivojmë sikurse dhe të kaluarën parimin për të mos bërë dallime ndërmjet njerëzve sipas origjinës, racës, gjuhës, fesë dhe sektit të tyre. Për ne është me rëndësi të madhe që të gjithë qytetarët tanë të jetojnë lirisht kulturën, besimin dhe traditën e tyre”, deklaroi kreu i shtetit turk.

Duke theksuar se Turqia shtrihet mbi një hapësirë gjeografike, ku kultura dhe tradita të ndryshme kanë bashkëjetuar në paqe e harmoni për shekuj me radhë, Presidenti Erdogan tha se diversiteti trajtohet si pasuri e shoqërisë dhe komunitetit dhe se respektimi i ndërsjellë është një segment i rëndësishëm që konsolidon edhe më shumë unitetin e paqen kombëtare.

“Uroj që festa e krishtlindjes, të cilën qytetarët tanë të krishterë e kremtojnë në kuadër të besimit të tyre, të kontribuojë në zhvillimin e solidarësisë dhe klimës së respektit të ndërsjellë. Gëzuar krishtlindjen qytetarëve tanë të besimit të krishterë dhe të gjithë botës së krishtere”, u shpreh lideri turk në urimin e tij me rastin e festave të fundvitit./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne