Erdogan: Prioriteti ynë është gjetja e një zgjidhjeje të vazhdueshme për Qipron

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha se “Prioriteti ynë është gjetja e një zgjidhjeje të vazhdueshme për çështjen e Qipros që do të sigurojë të drejtat legjitime dhe sigurinë për popullin turk qipriot”.

Erdogan mori pjesë në paradën e zhvilluar në bulevardin Dr. Fazıl Küçük me rastin e 37-vjetorit të themelimit të Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC).

Në një fjalim të mbajtur këtu, Erdogan tha se ndajnë përzemërsisht gëzimin dhe emocionin e turqve qipriotë të cilët kanë të drejta të barabarta në ishullin e Qipros. “Republika Turke e Qipros Veriore është burim krenarie për ne si shteti i dytë i pavarur i popullit turk pas Republikës së Turqisë. Flamujt tanë me gjysmëhënë dhe yll të cilët valëviten dhe shihen nga Anadolli në horizontin në Mesdhe dhe nga këtu në Anadoll tregojnë pikën ku ka arritur kauza jonë kombëtare”.

“Pavarësisht sulmeve të panumërta kundër ekzistencës tonë, turqit qipriotë jetojnë në tokat e tyre me kokën lart, me dinjitet dhe të lirë. Vëllezërit tanë qipriotë turq po e shikojnë të ardhmen e tyre me më shumë shpresë dhe besim. Sigurisht që në këto ditë nuk kemi arritur lehtë, ne kemi arritur në secilin nga sukseset tona në këtë tokë duke paguar çmime të rënda si rezultat i luftimeve të vështira”, tha Erdogan.

Më tej Erdogan shprehu falënderime për të gjithë ata që kanë kontribuar në ngritjen e popullit qipriot turk veçanërisht liderin e luftës për liri Dr. Fazıl Küçük dhe themeluesin presidentin, Rauf Denktaş.

“Qiproja, e cila ka vulën e civilizimit tonë për 1.400 vjet dhe të perandorisë Osmane për rreth 450 vjet, fatkeqësisht ka përjetuar një periudhë të trazuar ku ka mbizotëruar pasiguria për 1.5 shekujt e fundit. Vazhdojnë ende problemet politike lidhur me Qipron e cila u stabilizua ‘de facto’ me operacionin e Paqes të vitit 1974 që ne kryem pas masakrave dhe sulmeve në rritje të qipriotëve grekë”, tha Erdoğan duke shtuar se:

“Prioriteti ynë është gjetja e një zgjidhjeje të drejtë, të përhershme dhe të vazhdueshme për çështjen e Qipros që do të sigurojë të drejtat legjitime dhe sigurinë për popullin turk qipriot. Si palë turke, që në fillim ne kemi demonstruar një vullnet shumë të fortë në këtë drejtim, kemi ofruar ide konstruktive, kemi bërë përpjekje me qëllim të mirë, por përpjekja e vetëm njërës palë nuk është e mjaftueshme për të hapur kyçin e zgjidhjes”.

Ai tha se në referendum Qiproja turke tha “Po” ndërsa Qiproja jugore “jo”.

“Të gjitha këto janë të vërteta të përjetuara, por a e përmbushi premtimin Bashkimi Evropian pavarësisht këtyre hapave që u ndërmorën? Jo. Edhe ata nuk i përmbushën premtimet e dhëna. Nuk ia dhanë Qipros Turke mbështetjet administrative dhe financiare që duhet t’ia jepnin. Edhe sot gënjejnë sikur gënjyen atë ditë. Sidomos si rezultat i negociatave që kanë vazhduar në këto 50 vitet e fundit tashmë ne e dimë shumë mirë këtë të vërtetë që me grekët qipriotë është e pamundur të ndërtohet partneriteti i cili u prish me forcën e armës në vitin 1963 dhe që u eliminua plotësisht me grushtin e juntës greke në 1974”, shtoi Erdoğan.

Lidhur me situatën e Qipros presidenti Erdoğan vuri në dukje se “Sot në Qipro ka dy popuj, dy shtete të ndara. Ashtu sikurse e tha edhe presidenti Ersin Tatar, duhet të bisedohet dhe negociohet zgjidhja me dy shtete të bazuar në barazi sovrane”.

Presidenti Erdoğan tha se “Ka vetëm një viktimë në çështjen e Qipros dhe ato janë turqit e Qipros të cilët janë injoruar dhe që u janë grabitur të drejtat për vite”.

Pasi njoftoi se burimet e energjisë në Mesdheun Lindor duhet të ishin një mundësi për bashkëpunimin, Erdoğan potencoi se “Por, ne nuk mundëm ta marrim shpërblimin e përpjekjeve tona me qëllim të mirë. Kryesisht vendet evropiane ashtu sikurse nuk vlerësuan mundësitë diplomatike, u përulën ndaj llastimeve të Greqisë dhe Qipros greke. Të gjitha paralajmërimet e bëra në këtë proces nga Turqia dhe Qiproja Turke u injoruan fatkeqësisht nga komuniteti ndërkombëtar. Edhe sot ne themi po atë çfarë kemi thënë edhe atë kohë. Në Mesdheun Lindor nuk mund të prodhojë paqe dhe stabilitet asnjë ekuacion ku nuk përfshihen vendi ynë dhe Republika Turke e Qipros Veriore”.

Ai tha se janë të vendosur për të mbrojtur të drejtat e tyre në Mesdheun Lindor dhe se përjetimet në periudhën që lanë pas është tregues i shenjës së vullnetit të mirë. Erdoğan tërhoqi vëmendjen se zgjidhja në mënyrë të përshtatshme me dialogun, ligjin ndërkombëtar dhe drejtësinë janë në mesin e prioriteteve të tyre.

“Ka vetëm një viktimë në çështjen e Qipros dhe ato janë turqit e Qipros të cilët janë injoruar dhe që u janë grabitur të drejtat për vite”, theksoi Erdoğan i cili bëri të ditur se “Do të vazhdojmë aktivitetet tona të shpimit dhe kërkimeve sizmike në Mesdheun Lindor deri kur të sigurohet një marrëveshje e drejtë”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne