Erdogan: Shqetësimi i SHBA-së s’është sistemi S-400, por pse Turqia vepron me vullnetin e saj

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të shtunën se shqetësimi i SHBA-së nuk ka të bëjë me blerjen e sistemit raketor S-400 nga Rusia, por me atë se pse Turqia po vepron me vullnetin e saj në lidhje me zhvillimet në rajon, sidomos në Siri.

“Është shumë e qartë se për çfarë flitet, në cilat kushte dhe në çfarë mënyre është duke e blerë Turqia këtë sistem të mbrojtjes ajrore. Çështja e blerjes së sistemit S-400 nuk ka lidhje as me NATO-s, as me projektin F-35 dhe as me sigurinë e SHBA-së, këtë e dinë mirë ata që e njohin këtë çështje”, deklaroi kreu i shtetit turk gjatë Takimit 5. Rinor të Fondacionit Rinor të Turqisë (TUGVA), mbajtur në Sallën e Sporteve “Seyrantepe” të Diyarbakirit, qytet në juglindje të Turqisë.

Duke pyetur “përse po ushtrohet ky presion ndaj Turqisë për blerjen e sistemit S-400”, Erdogani theksoi se qëllimi është diçka tjetër.

“Çështja nuk ka të bëjë me raketat S-400, por me atë se pse Turqia po vepron me vullnetin e saj në lidhje me zhvillimet në rajon, sidomos në Siri. Fatkeqësisht, dua të them se ka edhe disa qarqe në vendin tonë, të cilat ofrojnë mbështetje, ndonjëri haptazi dhe ndonjë tjetër fshehurazi, për erërat që fryjnë kundër nesh. Por çfarëdo që të bëjnë, përpjekjet e tyre janë të kota. Turqia nuk do të kthehet kurrë nga kjo rrugë në të cilën ajo ka hyrë për të ardhmen dhe pavarësinë e saj, ku ajo ka paguar një kosto si 15 Korriku (2016) duke dhënë edhe dëshmorë. Ne nuk i kemi harruar ata që sot na bëjnë presion, se si dje i mblodhën dhe i morën sistemet aktuale ndërkohë që në territoret tona binin bombat dhe raketat e terroristëve. Shpresojmë që si shumë ngjarje në të kaluarën, edhe këtë ne do ta zgjidhim me gjykim të shëndoshë, ashtu si e kërkon logjika dhe interesat e përbashkëta”, u shpreh ai.

Në vijim, lideri turk rikujtoi se vendi i tij ka kërkuar më parë nga shtetet mike e aleate mjete ajrore pa pilot dhe dronë të armatosur.

“Por na thanë se ‘për fat të keq nuk i lejon Kongresi’. E çfarë ndodhi më pas? Ne i prodhuam vetë dronët e pa armatosur dhe ata luftarakë. Tani jemi duke prodhuar gjithashtu modele edhe më të avancuara”, shtoi Erdogani.

Duke shprehur besimin se bashkë me rininë do të arrijnë edhe objektivat e vendit për vitin 2023, i cili përkon me 100-vjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë, ai sqaroi se më pas të rinjve do t’u besojnë vizionet për vitet 2053 dhe 2071.

“Ne mbase s’do të kemi mundësi t’i shohim ato ditë, por të rinjtë tanë do t’i shohin”, tha Presidenti Erdogan mes të tjerash./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne