“Euro-Med”: Ushtria izraelite ka plaçkitur sende në vlerë prej miliona dollarësh në Gaza

Organizata Euro-Mesdhetare për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut (Euro-Med) njoftoi se ushtria izraelite në Gaza ku vazhdon sulmet e saj teksa vazhdon gjenocidin, ka kryer “vjedhje sistematike” në shtëpitë e civilëve palestinezë. Në një deklaratë nga “Euro-Med” me qendër në Gjenevë thuhet se ushtarët izraelitë në Gaza “nuk kanë kryer vetëm vrasje, por në të njëjtën kohë edhe veprime imorale të tilla si vjedhje të pronave dhe plaçkitje gjatë bastisjeve në shtëpitë e civilëve palestinezë”.

Sipas informacioneve që “Euro-Med” ka siguruar nga dëshmitarët, ushtria izraelite krahas vjedhjes së sendeve personale të civilëve palestinezë, parashikohet se ajo mund të ketë plaçkitur edhe sendet me vlerë prej dhjetëra miliona dollarësh.

– “Vlera e parave që ushtarët morën nga shtëpia ime është mbi 10 mijë dollarë”

Palestinezi 40-vjeçar Tabet Salim në një prononcim për “Euro-Med” tha se ushtarët izraelitë bastisën shtëpinë e tyre në jug të Gazës, arrestuan atë vet dhe dy djemtë e tij dhe se ushtarët i vodhën sendet e arit dhe paratë në shtëpi. Salim tha se edhe pse është liruar dy ditë më parë ai nuk ka informacion lidhur me fëmijët e tij. “Vlera e parave që ushtarët morën nga shtëpia ime është mbi 10 mijë dollarë”, tha Salim duke shtuar se gjithashtu nga shtëpia e tyre janë vjedhur ar në pothuajse të njëjtën vlerë.

Ndërsa edhe një grua me emrin Umm Muhammed Garbiya që jeton në lindje të Gazës, shpjegon se ushtarët izraelitë hynë në mënyrë të dhunshme në shtëpinë e saj dhe më pas i morën me forcë bizhuteritë e saj prej ari. Garbiya tha se gjatë bastisjes u arrestuan bashkëshorti dhe djali i saj. Një tjetër banor i Gazës, Huseyin Al-Tanani tha se për t’u larguar nga sulmet izraelite u strehuan në një shkollë të OKB-së pranë tyre dhe se gjatë kësaj ushtria izraelite kreu bastisje ndaj shtëpisë së tyre.

Duke renditur sendet që ushtria izraelite ka vjedhur nga shtëpia e tyre, Tanani tha se “Teksa janë vjedhur një kompjuter dhe sasi e madhe parash, në shtëpi është bërë një rrëmujë e madhe”.

– Në videon e ushtarit izraelit sheh byzylykun që bleu me pagën e parë si mësuese

Ndër të tjera paraqitet edhe deklarata e 34-vjeçares palestineze, Alia Al-Najar e cila tha se në njërën prej videove të publikuar nga ushtarët izraelitë ka njohur bizhuteritë e saj prej ari. Najar theksoi se në mesin e këtyre bizhuterive ka parë edhe byzylykun që kishte blerë me pagën e parë si mësuese. Gruaja e re ka bërë edhe komentin “hajdutë”, para se ushtarët izraelitë të fshinin pamjen (videon).

Në një tjetër pamje, një ushtar izraelit tregon një varëse argjendi me mbishkrimin “prodhuar në Gaza” dhe thekson se do t‘ia dhurojë të dashurës së tij. “Euro-Med” bëri thirrje për hetim ndërkombëtar gjithëpërfshirës dhe të paanshëm për shkeljet e rënda që Izraeli ka kryer kundër popullit në Rripin e Gazës dhe pronës së tyre. Forcat izraelite dy ditë më parë konfiskuan 10 milionë shekel (rreth 2.7 milionë dollarë) në bastisjet ndaj disa byrove të këmbimit valutor dhe kompanive në Bregun Perëndimor nën pushtim./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne