Bota

Europa përfshihet nga një valë e paparë e të nxehtit

Vala e të nxehtit këtë qershor në mbarë Europën, sipas shkencëtarëve është më e fortë dhe më e pazakontë sesa normalisht, për shkak të ndryshimeve klimatike.

Zjarre të fuqishme pyjore morën me dhjetëra jetë njerëzish gjatë këtij muaji në Portugali. Temperaturat e larta detyruan autoritetet në Francë, Zvicër e Holandë të dilnin me plane emergjence për vapën, ndërsa Britania është përballur me qershorin më të ngrohtë që prej vitit 1976. Ekspertët ndajnë bindjen se ngrohja e motit për arsye që lidhen me aktivitetin njerëzor, i rriti me 10 herë gjasat e një përvëlimi të tillë në pjesë të ndryshme të kontinentit të vjetër. Këtë qershor, termometri shënoi gati 3 gradë mbi normalen në Europë. 64 vdekje u shkaktuan nga zjarret, që edhe vet ishin pasojë e valës së të nxehtit në Portugali. Spanja u detyrua të zhvendoste rreth 1.500 njerëz nga shtëpitë e pushimit dhe banesat e tyre. “Kemi zbuluar një lidhje shumë të fortë mes të nxehtit rekord të këtij muaji dhe ndryshimit të klimës të ardhur si pasojë e ndërhyrjeve të njeriut”, thotë Geert Jan van Oldenborgh, i Institutit Mbretëror holandez të Meteorologjisë. Në vende si Spanja, Portugalia e Franca, këto ndryshime – sipas tij, – mund ta shtojnë deri në 4 herë mundësinë e përballjes me të nxehtin ekstrem. Dhe nuk përfundon këtu. Mundësitë që episode të tilla të bëhen gjithmonë e më të shpeshta do të rriten, nëse nuk merren masa për reduktimin e emetimeve të gazit karbonik. “Muajt përvëlues nuk janë më një fenomen i rrallë me klimën që kemi tani”, arsyeton Robert Vautard, i Organizatës së Klimës dhe Shkencave Mjedisore “LSCE”, i përfshirë edhe ai në studim. “Një të nxehtë të tillë qershori duhet ta presim më shpesh, – vazhdon ai, – dhe nëse nuk kalohet në veprim, nga mesi i shekullit ai mund të kthehet në normë”./ PT

OPINIONE