Evropa, elita dhe publiku

Shumë pak mund të kenë dëgjuar për ekzistencën e kopshteve zoologjike në Evropë. Jo për kafshët, por, për njerëzit ! Kopshte, që duke nisur nga fundi i shekullit të 19-të (1877) dhe deri në shekullin e 20-të (1931), ekspozonin qeniet njerëzore, herë vetëm, por herë-herë edhe në shoqërinë e kafshëve të tjera. Kjo, për të argëtuar masat, për të shuar kuriozitetin e tyre popullor dhe për të dëfryer fëmijët. Elitat politike të Parisit, Berlinit, Londrës, Madridit, apo Brukselit, të mbështetura nga ato shkencore, përveç ekspozitave kombëtare, organizonin edhe ekspozita universale, ku krenoheshin me gjetjet, që sillnin “krijesat e reja” të perandorive të tyre koloniale.

Dokumentimet historike shfaqin anën e fshehur të një historie, përtej kufijve të njerëzores. Të abuzuar, familjarë, të rritur si edhe fëmijë, iu ofroheshin herë të zhveshur, apo edhe me rroba klounësh masave popullore, për argëtim. Shpeshherë të detyruar të ndesheshin me gorillat dhe shpeshherë të kërcenin. Me tabela përshkruese mbi të dhënat fizike, por edhe me këshilla si p.sh.: “Të mos i ushqejnë, se janë të ushqyer”. Spektatorët, sa të mbërthyer nga kurioziteti, sa të stepur nga etiketimet e tyre të larmishme, si kanibalë, mishngrënës, me lëkurë të butë, apo të ashpër etj, dhe herë të frikur nga mosnjohja e tyre, reagonin po në të njëjtat forma të pa-emancipuara, që reagohet edhe në ditët e sotme, në një kopsht zoologjik, ndaj kafshëve të vetmuara. Vetëm Franca, ka të dokumentuar rreth 100 milionë spektatorë në kopshtet zyrtare zoologjike për njerëzit, në një sërë qytetesh të mëdha të saj, si Parisi, Bordoja, Marseja, Strasburgu, apo Lioni. Një fenomen i legjitimuar edhe nga shkencëtarët. Sipas shpjegimeve të historianit francez Paskal Blonshar, kopshtet zoologjike njerëzore, të përforcuara nga një fjalim shkencor, shoqërojnë kalimin nga një racizëm shkencor, në një racizëm kolonial. Dhe ajo që bënin shkencëtarët, sipas Blonshar, ishte inkurajimi i kuriozitetit, i ndjesisë estetike, i ngjalljes së elementit të surprizës tek vizitori, më shumë se, sa t’i shpjegonin atij arsyet, që i lejonte atyre, këtë vënie në spektakël të tjetrit.

Belgjikë

Liezh-Belgjikë

Paris

Paris

Marsejë

Lion

Afishet, kartolinat, reklamat dhe gazetat kanë dokumentuar gjurmët e një racizmi të fortë në Evropë, të një ideologjie të mirë ndërtuar dhe të mirë strukturuar në kuadrin e një politike, që në fund të fundit, nuk synonte veçse të legjitimonte dhunën e kolonizatorëve. Duke rrënjosur në mendjen e opinionit publik evropian, “të huajin primitiv”, “të egrin”, “barbarin”.

Por, mbi të gjitha, të një politike që kërkonte të instrumentalizonte Frikën, që ata ndillnin !

Është kjo frikë, që psikologjia rekomandon rëndom të eliminohet në forma të zakonshme, përmes krijimit të kontaktit me objektin apo subjektin, që krijon frikën.

Sot, 86 vite më vonë, në Evropën e ditëve të sotme, është pikërisht ky terreni ku luhet, frika e instrumentalizuar në forma të strukturuara, nga ekstremizmi dhe populizmi i djathtë. Frikë, që përdoret për të mbajtur të distancuar integrimin mes komuniteteve, për të penguar komunikimin dhe shkrirjen sociale, por edhe për të mbjellë farën e përçarjes.

Një instrumentalizim, që duket se e ka tashmë një terren të gatshëm, paragjykimin e rrënjosur. Atë paragjykim, që antropologu dhe politikani Antenor Firmin, e shpjegon përmes librit të tij “Mbi pabarazinë e racave njerëzore”, si një forcë që të bën të besosh, se një ngjyrë pak a shumë e bardhë është një shenjë superioriteti, duke ngelur përjetësisht e rrënjosur edhe në mendjet më të mira, pavarësisht të gjitha fakteve, që tradhtojnë hipokrizinë! Një libër, i shkruar dhe i botuar, për t’iu kundërvënë publikisht, shkrimtarit francez Artur de Gobino dhe esesë së tij, që mbronte superioritetin e racës ariane dhe inferioritetin e njerëzve me ngjyrë.

Elita vs. Publiku

Por, si shfaqen sot të pozicionuar ndaj të huajit, imigrantit dhe refugjatit, elita dhe publiku evropian ?

Një studim i fundit britanik, i Institutit Mbretëror të Çështjeve Ndërkombëtare, ka ofruar të dhëna interesante në lidhje me perceptimin e dy grupimeve në lidhje më këtë çështje. Të dhëna, që flasin për një ndryshim radikal të perceptimeve mes tyre, ku logjika elitare, liberale dhe e emancipuar bie ndesh me pikëpamjen e mbyllur me nuanca konservatore, të një publiku të gjerë evropian.

Elita, (bëhet fjalë për një kampion të intervistuarish me më shumë se 1800 persona të pyetur: përfaqësues qeverish të 10 vendeve anëtare; të njerëzve të botës së sipërmarrjes dhe të biznesit; të medias dhe të shoqërisë civile), vlerëson në shumicë se, imigracioni ka qenë pozitiv për vendin e tyre dhe se ka pasuruar jetën kulturore. Ajo e refuzon idenë se imigracioni ka një ndikim negativ mbi kriminalitetin; refuzon idenë se imigrantët janë barrë mbi sistemet sociale dhe mohon gjithashtu mundësinë, se imigrantët po i marrin vendet e punës, vendasve.

Publiku evropian, përkundrazi, shfaqet tërësisht në kontrast me perceptimin e elitës. Në tërësi publiku vlerëson se, imigracioni ka një ndikim negativ mbi vendin e tyre; refuzon idenë se imigracioni ka pasuruar jetën kulturore në vend; ka bindjen se, kriminaliteti është theksuar për shkak të imigracionit; se imigrantët janë barrë për sistemin social dhe se kërcënojnë vendet e punës për autoktonët. Publiku evropian, shfaqet gjithashtu i shqetësuar në lidhje me evoluimin etnik dhe kulturor të vendeve të tyre, si edhe ka prirje të shprehet negativisht, ndaj migrimeve ekonomike jashtë BE-së.

Që prej vitit 2015, kriza e madhe e ushqyer nga konfliktet e armatosura dhe mungesa e stabilitetit politik në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, ka shkaktuar flukse refugjatësh, që kërkonin t’i largoheshin zonave të luftimit. Por, se studimi vëren se, pasojat sociale apo humanitare, nuk mjaftojnë për të shpjeguar frikën e publikut, përballë krizës së refugjatëve.

E njëjta qasje, konstatohet edhe mbi zgjerimin e mundshëm evropian, ndaj vendeve të reja. Të dy grupimet janë thellësisht të ndara, mbi çështjen e zgjerimit. Studimi është fokusuar mbi opinionin në lidhje me zgjerimin aktual, si edhe mbi perspektivën e aderimit në BE, të vendeve të reja.

Publiku evropian ndan bindjen se, “zgjerimi i BE-së, ka shkuar shumë larg”; shprehet kundër aderimit turk në BE; mendon në lidhje me Islamin dhe myslimanët, se mënyra e jetesës së tyre nuk përputhet aspak me mënyrën e jetesës së evropianëve dhe vlerëson se, imigracioni mysliman duhet ndalur.

Dhe sërish, elita evropiane, nuk ndan aspak të njëjtën bindje si publiku. Edhe pse shfaqet e dyzuar, teksa 49% e saj shprehet kundër aderimit turk në BE, dhe 42% e saj shprehet në favor të anëtarësimit, me kusht që Turqia të vërë në jetë reformat, në një shumicë prej 58% ajo shprehet pro zgjerimit të mëtejshëm të BE-së; nuk mendon se imigracioni mysliman duhet ndalur dhe nuk mendon se, mënyra e jetesës së evropianëve është e papërputhshme me atë të myslimanëve.

Evoluimi i elitës evropiane, në lidhje me çështjen e të drejtave të të huajve, të imigrantëve, dhe të refugjatëve, që në thelb prekin të drejtat e njeriut, është i një niveli thuajse të paimagjinueshëm, në krahasim me vetëm disa dekada më parë. Edhe pse me nuanca, që prekin vendet e Evropës Qendrore dhe ato Lindore, duke i diferencuar në këtë konsiderim, ato ngelen shenjë e patjetërsueshme e një emancipimi dhe maturimi mendor. Maturim, që u shfaq pas gërmadhave të Luftës së Dytë Botërore dhe u konsolidua në mënyrë të vazhdueshme, përmes gjashtë dekadave në vijim.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne