Në planin global, Presidenti Thaçi është një sharlatan që nuk kupton asgjë, nuk lexon asgjë. Për politikat globale Presidenti i Kosovës informohet prej portaleve dhe rrjeteve sociale, ose prej ndonjë raportimi të cekët të ndonjë diplomati të Kosovës, të harruar në ndonjë ambasadë. Vizita e tij e fundit për këtë vit, në Ankara, ishte në këtë frymë
Në postimin e tij në “Facebook”, Presidenti Hashim Thaçi, lidhur me vizitën e tij në Turqi, e nënvizon fuqishëm pritjen me nderimet më të larta që i është bërë në Ankara. Këtu Presidentin e tradhton shpalosja e qëllimit të vërtetë të vizitës në Ankara.
Për të, duke qenë në masë të madhe i izoluar ndërkombëtarisht, posaçërisht në Bashkimin Evropian dhe SHBA, kishte rëndësi parësore aparenca, gjë e cila nuk mund të thuhet edhe për homologun e tij turk, Recep Taip Erdogan. Ky i fundit është i interesuar në përmbajtje, posaçërisht në caktimin e standardeve të përbashkëta me Thaçin, se çka quajmë terrorizëm e çka jo. Në këtë drejtim, Presidenti i Kosovës e kaloi provimin para liderit autokrat turk.
Thaçi, siç mund ta lexojmë dhe dëgjojmë nga deklaratat e tij, bëri kompromise qesharake, u nënshtrua pa kushte, vetëm që fotografia të dalë mirë në Kosovë. Thaçi beson se populli i Kosovës vetëm shikon, e nuk lexon. Ai ka shkuar në Turqi, duke i pasur në mendje pamjet televizive që do të jepen prej atje, pra, ai krah për krah me udhëheqësit e Turqisë, i vetëdijshëm se kritikët e tij nuk do të mund t’i zbehin mesazhet që ai do t’i dërgojë.
Një strategji e tillë në plan afatshkurtër mund të jetë e efektshme. Ai do të arrijë efekt momental. Duke qëndruar për krah një udhëheqësi të fuqishëm botëror, siç është Erdogani, normalisht që duket interesante në publik. Njësoj do të dukej edhe një paraqitje krah Putinit, ose edhe të liderëve të tjerë, që në përmbajtje janë kontroversë dhe të dyshimtë, por që fillimisht populli nuk i sheh si të tillë. Shto këtu faktin se populli në Kosovë, një shumicë, e sheh me të drejtë Turqinë si një vend mik, e që edhe më tutje nuk mund të bëhet dallimi i qartë në mes shtetit dhe udhëheqësit.
Mirëpo, pasi të qetësohen dallgët, kur të ketë marrë fund abuzimi fotogjenik, do të dalin plehrat mbi sipërfaqe, që në këtë rast janë zotimet, ose ajo për çfarë është biseduar dhe për çfarë Kosova ka marrë zotime në Ankara. E zotimet janë të atilla që e portretizojnë njeriun Thaçi shumë më të rëndësishëm se sa Presidentin Thaçi.
Do ta shohim se si njeriu Thaçi, individi, komplet agjendën presidenciale e ka vënë në shërbim personal. Ai nuk është bërë President, që individin ta vërë në shërbim të shtetit, por anasjelltas. Ai është bërë President, që shtetin ta vërë në dispozicion të tij.
Individi Thaçi, politikani, kurrë nuk e ka pasur reputacionin më fragjil sesa e ka tash. Për këto arsye ai po përpiqet dëshpërueshëm që ta përdorë një shtet të tërë, dorën në zemër mjaft të dobët, për të përfituar politikisht. Për këtë ai nuk po zgjedh mjete. Duke qenë që mjetet reale që i ka në dispozicion, ato të mundshmet pra, janë mjaft të kufizuara, ai e ka rritur shkallën e zotimeve, duke kaluar në territore të rrezikshme.
I tillë është përkushtimi i tij për t’i shpallur terroriste të gjitha ato grupe që e kanë këtë status në Turqi. Në shtete normale, të etabluara, kjo do të ishte arsye e mjaftueshme për ta shkarkuar një president. Ne nuk presim që një gjë e tillë të ndodhë edhe në Kosovë, sepse edhe më tutje nuk ka kushte për llogaridhënie të tilla të sofistikuara, mirëpo ka kushte për t’ia bërë një analizë kësaj deklarate cinike të Presidentit Thaçi, e bërë saktësisht për qëllime të politikës agresive të Presidentit Erdogan, që sikurse Thaçi, por në përmasa shumë më serioze, është krejtësisht i izoluar prej Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve.
Zotimi i Thaçit ndaj Turqisë për unifikim të standardeve të terrorizmit po bëhet në momentin kur Erdogan i ka ulur në minimum, ose i ka politizuar dhe personalizuar kriteret se çka është terrorizëm e çka nuk është. Standardet e Erdoganit për terrorizmin aktualisht janë në përputhje të plotë me standardet ruse, e në kundërshtim me ato perëndimore.
Nëse flasim në terma konkretë, atëherë padyshim që për organizatën ISIS ka përkrahje nga të gjitha palët që është organizatë terroriste. Por nuk ishte ISIS-i nënteksti i deklaratës së Thaçit, e as nënteksti i kërkesës turke. Se ISIS-i është organizatë terroriste, këtu nuk ka kurrfarë paqartësie, e madje as nevoje që të thuhet një gjë e tillë me megafon. Ose edhe nëse thuhet, atëherë thuhet në mënyrë konkrete. Çështja është diku tjetër, prandaj është folur në mënyrë abstrakte. Është menduar në organizatën FETO, e udhëhequr nga Fetullah Gulen, për të cilën nuk ka pajtueshmëri globale. Gulen është terrorist, sipas standardeve turke, por nuk është sipas atyre amerikane, e qartazi as sipas atyre evropiane.
Deri dje kjo organizatë nuk ishte as sipas standardeve tona. Segmente të caktuara të kësaj organizate operojnë legalisht edhe në vendin tonë. Fëmijët e politikanëve, edhe ai i Presidentit Thaçi, janë shkolluar dhe po shkollohen aty. Mirëpo, pas ditës së djeshme, pas deklaratave të Thaçit në Ankara, një gjë e tillë, teorikisht, do të duhej të ndryshonte.
Mirëpo, meqenëse Thaçi është një mashtrues lokal, me tendencë për t’u bërë mashtrues rajonal, këtë kërcënim të tij të bërë nga Ankaraja, duhet marrë me shumë rezerva. Është shumë pak e mundshme që ai edhe do të provojë ta jetësojë kërcënimin e tij kur të kthehet në Kosovë. Në Ambasadën Amerikane në Kosovë, Thaçi do të gënjejë duke thënë se kishte menduar në ISIS-in, e assesi në Gulenin. Kjo është shumë komike, ashtu siç është edhe Republika e Kosovës. Me gjëra të tilla ne duhet të qeshim, por duke qenë të vetëdijshëm se po qeshim në kurriz të tragjedisë sonë.
Udhëheqësi më i lartë i shtetit është edhe mashtruesi kryesor i shtetit. Figurë joserioze në planin ndërkombëtar, por i rrezikshëm në planin lokal.
Thaçit dhe Erdoganit duhet t’iu besojmë vetëm kur merren vesh për projekte ekonomike, gjë të cilën besoj edhe e kanë bërë në margjina të bisedave të tyre për probleme globale. Vetëm në këtë rast ia vlen të merren parasysh zotimet e Thaçit, sepse tashmë kemi fakte të mjaftueshme për t’i besuar atij, duke pasur në mendje Aeroportin, KEDS-in e edhe biznese të tjera të tyre.
Në planin global, në terma të përgjithshëm, Thaçi është një sharlatan që nuk kupton asgjë, e as nuk lexon asgjë. Për politikat globale Presidenti i Kosovës informohet prej portaleve dhe rrjeteve sociale, ose prej ndonjë raportimi të cekët të ndonjë diplomati të Kosovës, të harruar në ndonjë ambasadë.
Le të shërbejë ky editorial edhe si një përmbledhje për punën e Thaçit, Presidentit të Kosovës, gjatë këtij viti. /Express