Facebook vlerëson një kult iranian që njihet për vrasjen e qytetarëve amerikanë

nga Jefferson Morley.

Facebook ka një politikë të jashtme e cila me sa duket anon nga Izraeli dhe nga disa iranianë të krisur.

Muajin e kaluar, gjiganti i mediave sociale njoftoi se (me sygjerimin e Këshillit të Atlantikut, Digital Forensic Lab [DFRLab]) kishte fshirë 783 asete, faqe, grupe dhe llogari, të cilat kompania i cilësoi se kishin qënë të lidhura me një rrjet me bazë në Iran dhe që kishin kryer “sjellje të koordinuara joautentike”.

Këshilli i Atlantikut është një institut i studimeve strategjike me bazë në Uashington që i është dedikuar multilateralizmit dhe “shoqërive të drejta” që mishërohen tek elita multilaterale amerikane. Ai është gjithashtu edhe konsulenti i Facebook në lidhje me ato që duhen lejuar për tu publikuar në platformën më të madhe të mediave sociale në botë.

Ndër problemet e cituara nga DFRLab ishin pesë faqe në Facebook që lidheshin me konfliktin izraelito-palestinez dhe që “kishin paragjykime të forta në favor të Palestinës”. Sinjali miratues u dha, ato u fshinë.

Tani mund të rrini të qetë se Facebooku i ka hequr të gjitha ato faqe me paragjykime të forta në favor të Izraelit – oh prisni pak. Faqja e Facebookut e të shtrenjtit Netanjah është akoma e hapur. E hapur është edhe faqja e AIPAC-ut. Paragjykime të forta në favor të Izraelit? Sinjali miratues është ok.

Ju lutem, jo shaka pa kripë

Një tjetër faqe facebooku në gjuhën hebraishte e quajtur @Polcartoons, u syrgjynos. Të ketë pasur edhe kjo faqe shkelje? Facebook / DFRLab tha se ajo kishte permbledhur dhe pubilkuar karikatura të ndryshme të mediave izraelite që satirizonin Kryeministrin Benjamin Netanjahu dhe ndjesitë politike konservatore izraelite.

A mund ta imagjinoni guximin e këtyre iranianëve? Çfarë lloj shenjtanësh interneti paskan qënë ata që janë tallur me kryeministrin Netanjahu?! Edhe në hebraisht! Të shkretët, ndjesitë e pambrojtura të politikës konservatore izraelite gjenden nën një sulm të padrejtë të huaj! Nga hakerat iranianë! Dhe në Facebook! Me keqardhje ju informojmë se një sjellje e tillë, nuk do të tolerohet nga byroja politike në Palo Alto.

Kult

Një faqe e tretë që ka kryer shkelje e quajtur @StopMEK, u hoq për arsyen e promovimit të pikëpamjeve kundër Muxhahedinëve të Popullit të Iranit, ose MEK-ut. Faqja i ishte përkushtuar denoncimit të MEK-ut, një organizate iraniane që i është kundërvëne liderit fetar të vendit. MEK përshkruhet nga Facebook / DFRLab si “grupi më i madh dhe më aktiv i opozitës kundër lidershipit të Republikës Islamike të Iranit”.

Kjo deklaratë është kaq falso saqë duket edhe qesharake. Parlamenti iranian, Mexhlisi, ka aq fraksione të organizuara që kritikojnë presidentin Hassan Rouhani saqë janë shumë herë më të mëdha dhe më aktive sesa MEK. Masih, lëvizja online kundër-hixhabit në vend që sfidon lidershipin fetar të Republikës Islamike, ka 2.1 milionë ndjekës, shumë më tepër sesa MEK-u i vogël.

Me dashje ose pa dashje, facebooku i është nënshtruar një fushate propagandistike të krisur.

Mbështetja për Sadamin

Këtu kemi korrespondenten diplomatike Barbara Slavin lidhur me historinë për të ardhur keq të MEK-ut:

“MEK, një grup kultist marksisto-islamik, përgjegjës për vdekjen e gjashtë amerikanëve në Iran para revolucionit të vitit 1979, humbi në luftën për pushtet pas revolucionit dhe u arratis në Irak ku u pozicionua në anën e Sadam Huseinit në luftën kundër Iranit 1980-88. Maryam Rajavi, e veja e kreut të MEK-ut Masoud Rajavit, jeton në një kompleks jashtë Parisit … ”

Nga viti 1997 deri në vitin 2012, MEK u regjistrua nga qeveria amerikane si një “organizatë e huaj terroriste”. Kur Human Rights Watch vizitoi një kamp të MEK-ut në Irak në vitin 2010, investiguesit dokumentuan abuzimet e gjera me të drejtat e njeriut.

“Shqetësime serioze”

Faqja e internetit e Departamentit të Shtetit thotë:

“Departamenti nuk i harron aktet terroriste të kaluara të MEK-ut, përfshirë këtu edhe përfshirjen e tij në vrasjen e shtetasve amerikanë në Iran në vitet 70 dhe sulmin në tokën amerikane në vitin 1992. Departamenti ka gjithashtu edhe shqetësime serioze rreth MEK-ut si organizatë, veçanërisht në lidhje me akuzat për abuzime të kryera kundër anëtarëve të vet. ”

Shumica e vëzhguesve joqeveritarë, të cilët nuk kanë marrë para nga MEK, e konsiderojnë grupin si kult politik.

Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton e hoqi grupin nga lista amerikane e terrorizmit në vitin 1992 sepse MEK pagoi miliona dollarë për ish-zyrtarët amerikanë nga të dy partitë kryesore që të flisnin nëpër tubimet e MEK-ut. John Bolton dhe Rudy Giuliani kanë marrë para nga MEK. Po ashtu edhe Bill Richardson dhe Howard Dean.

Sipas Slavin-it, grupi financohet nga Arabia Saudite, e cila ka nxitur konflikte të ndryshme në Lindjen e Mesme. Në një shkrim për Zërin e Amerikës, Slavini tha:

“Përkundër pretendimeve të MEK-ut, tek kjo organizatë kultiste nuk ka asgjë demokratike, e cila ju kërkon anëtarëve të vet që të divorcohen dhe të mbeten beqarë dhe të angazhohen nëpër aksione luftimi të stilit maoist vetë-poshtërues. Anëtarëve që arrijnë të shpëtojnë nga ky grup ju duhen periudha të gjata kohore për ardhjen në normalitet.

A nuk e di Facebook dhe DFRLab se MEK është një grup i padobishëm, veprimet e të cilit janë kontradiktore me parimet e deklaruara të Këshillit të Atlantikut? Apo Facebooku dhe Këshilli dëshirojnë të promovojnë një grup të krisurish për arsyet e tyre, ndoshta të lidhura me politikën aktuale amerikano-saudite të armiqësisë ndaj Iranit?

Ajo për të cilën mund të themi me siguri është se MEK-u ka një faqe në Facebook. Faqja iraniane e facebookut @StopMEK është zhdukur.

Kërkesat për përgjigje drejtuar zyrës së shtypit në Facebook nuk kanë erdhur akoma./salon/Gazeta Impakt

Jefferson Morley është një shkrimtar i vjetër, redaktor dhe korrespondent kryesor i the Deep State, një projekt i Institutit të Pavarur të Medias. Ai ka qenë reporter dhe redaktor në Uashington, D.C, që nga viti 1980. Ai kaloi 15 vite si redaktor dhe reporter në Washington Post. Ka qënë një pjesëtar i stafit të Arms Control Today dhe redaktor për Salon në Uashington. Ai është redaktor dhe bashkë-themelues i JFK Facts, një blog i lidhur me vrasjen e JFK. Libri i tij i fundit është The Ghost: The Secret Life of CIA Spymaster James Jesus Angleton.

burimi: salon/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne