Festa në kontejner! Realiteti ndryshe në Thumanë me familjet e pastreha

Festat e fundvitit i gjetën shumë familje mes atmosferës festive dhe ngrohtësisë së shtëpive të tyre, por për disa të tjerë, realiteti ishte krejt ndryshe. Në Thumanë të Krujës, familja e Hava Lleshit e priti natën e ndërrimit të viteve duke lëvizur mes një kontejneri të vogël dhe shtëpisë së dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019.

Gjatë shtatzënisë kemi qenë në çadra, që na u ofruan nga një qendër dhe pastaj na u dha kontejneri nga një kishë dhe ishte banesa e shumëkërkuar dhe më e sigurta në ato momente për ne…”-shprehet Hava Lleshi, nënë e dy fëmijëve të mitur. Në dimrin e ftohtë dhe në vapën përvëluese të verës, jeta në kontejner është një sfidë mbijetese, ndaj familja me dy fëmijë të mitur, njëri prej të cilëve është me çrregullim të spektrit autik, i kalon ditët në shtëpinë e dëmtuar.

 “Nuk kemi ku të shkojmë dhe s’kam pas mundësi ekonomike të iki me qira. Edhe bonus qiraje nuk kemi marrë. Është një vend shumë i vogël për të jetuar gjithë kohës brenda…”

Premtimet për fondin e rindërtimit kanë mbetur të parealizuara. Për Havan dhe familjen e saj, pasiguria për të nesërmen është pjesë e përditshmërisë.

“Shkuan 5 vite dhe këtë vit na kanë thënë që do t’i marrim. Tani nuk e di. Presim fondin që të na vijë nga shteti. Uroj të jetë festa e fundit që e kalojmë në të.”

Në një kohë kur shumë familje të tjera të prekura nga tërmeti tashmë kanë marrë shtëpi të reja, historia e saj është një kujtesë se tërmeti ka lënë plagë të hapura për disa të tjera që ndjehen të harruara mes varfërisë dhe pasigurisë për një të ardhme më të mirë.

“Gjëja më e parë që kërkoj është banesa. Vetëm të shikoj fëmijët brenda në shtëpi, mos të kenë këto vuajtje që po kalojnë. Kam dhe një kërkesë tjetër. Vajzën e kam me autizëm dhe më është ofruar një ndihmë që ta dërgoj vajzën në terapi falas, por nuk kam pasur mundësi ekonomike për ta dërguar. Kam nevojë të më mundësohet rrugëtimi dhe kjo do të ishte diçka shumë e madhe për mua.”

Nevoja për ndihmë dhe solidaritet mbetet e pranishme, për t’u siguruar që asnjë familje të mos presë Vitin e Ri mes kontejnerëve dhe frikës për jetën në shtëpitë e pabanueshme./TCH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne