Fevziu, Vlahutin dhe Progres Raporti i BE

Nga Fatos Lubonja

Para fillimit të Kampionatit Botëror të Futbollit, në korridoret mediatike gëluan komentet mbi ikjen e mundshme të Fevziut nga “Klani”, me argumentin se ky televizion ka degraduar në cilësinë e programeve të veta, çka e bënte Fevziun të mos ndihej mirë në atë ambient. E vërteta është se ky argument nuk bindi kurrkënd. Sikur ai të mos ishte thënë fare filloi thashethemnaja: “A do të ikë vërtet apo jo; pse po ikën, ku e ka hallin?”. Fakti që vetë Fevziu u kujdes ta bënte publike “dilemën” e tij, e ushqeu edhe më shumë këtë thashethemnajë. Më cinikët thanë se kjo ishte një formë shantazhi ndaj Frangajt për të rritur rrogën. Të tjerë se Fevziu nuk e bënte për lekë, por për influencë, pasi Rama, ndryshe nga Berisha, tashmë nuk mban asnjë lidhje me të, por të gjitha “problemet” i zgjidh me Frangajn dhe Zamirin. Disa thanë se e bënte thjesht për protagonizëm. Nuk mungoi teza se kjo mund të jetë shenjë deliri në rritje e Fevzos, ashtu sikurse ajo se ai po nxiton të braktisë anijen e Sandrit dhe Zamirit pasi ka parandjerë furtunën që do t’i fundosë oligarkët dhe, në këtë rast, u fol edhe për një shitje të mundshme të shtëpisë në Rolling Hills.

 Nuk i rreshtova këto teza për t’u marrë me to dhe Fevziun, por për të vënë në dukje se zurnaja e tyre mbuloi heshtjen rreth argumentit mbi degradimin e Klanit, zëvendësoi mungesën e kërkimit të shkaqeve të degradimit nga Fevziu, si dhe të përgjegjësisë që kemi të gjithë ne që kemi punuar në “Klan” për këtë degradim. Edhe kur u mor vesh se Fevziu i kishte dhënë fund dilemës, duke mbetur në “Klan”, askush nuk ngriti pyetjen nëse ai kishte nënshkruar ndonjë kontratë me Frangajn për përmirësimin e programeve apo kishte bërë thjesht kontratë page. Pastaj filloi Kampionati Botëror dhe ne filluam të merremi me atë se cili është më i mirë, Ronaldo apo Messi.

Nuk do të isha ulur as unë të shkruaja këtë shkrim sikur të mos më kishte ngacmuar në fillim një lajm dhe pastaj një intervistë e zonjës Vllahutin për Lapsi.al. Lajmi qe ai se Edi Rama ka përgatitur një projektligj, sipas të cilit, për të përmirësuar cilësinë e televizioneve private, do të rriste taksat tona. Kurse intervista e zonjës Vllahutin më tërhoqi vëmendjen pasi thoshte se ky projektligj i dukej “i pazakontë”, “i çuditshëm” po t’u referoheshe praktikave europiane. https:// lapsi.al/2018/06/21/vlahutin-per-lapsi-altv-te-private-nuk-mund-te-financohen-meparate-e-taksapaguesve/

Nuk mund të mos i lidhja këto dy lajme me rastin Fevziu dhe të mos i rikthehesha edhe një herë një çështjeje thelbësore: atë nëse Shqipëria e Ramës ka bërë progres, siç thotë raporti i BE-së që zonja Vllahutin përfaqëson në Tiranë, apo jemi futur në një rrugë “të pazakontë” e “të çuditshme”, që e ilustron edhe projektligji në fjalë.

* * *

Të gjithë e pranojnë se një nga treguesit kryesorë të progresit është ecuria e mediave. Çfarë do të thoshte për këtë debati i munguar mbi ikjen e Fevziut? Besoj se, përtej arsyeve që mund ta kenë shtyrë Fevziun, shumica e teleshikueseve dhe gazetarëve pajtohen me pohimin mbi degradimin e “Klanit”, që nuk është thjesht dhe vetëm problem i programeve të argëtimit, ku e vuri theksin Fevziu, por mbi të gjitha i cilësisë dhe vërtetësisë së lajmeve, i mungesës së investigimit, i debatit politik gjithnjë e më fals e shterp, ku peshën kryesore e ka vetë programi i Fevziut. Me fjalë të tjera, i misionit që duhet të ketë një medie.

Po cili është shkaku? Kjo është çështja. Sepse vetëm kur dimë shkakun, mund të gjejmë edhe terapinë. Fevziu i bishtnoi kësaj pyetjeje, sepse, sipas meje, përgjigjja nuk i intereson, jo pse nuk e di. Ashtu turbull, ai përçoi idenë se fajtori i këtij regresi ishte ekskluzivisht pronari Frangaj, por pa na e shpjeguar se çfarë ka ndodhur: kemi të bëjmë thjesht e vetëm me individin Frangaj apo me një sistem mediatik të ngritur në Shqipëri, të destinuar të degjenerojë.

Në këtë pikë të shkrimit më duhet të vë në dukje se tash e mbrapa, kur flas për “Klanin”, kam parasysh edhe “Top Chanell” si televizion kombëtar, por edhe mediat në tërësi.

* * *

Për të kuptuar shkakun e degradimit do të na duhet patjetër ta kthejmë kokën prapa sepse vetë termi degradim nënkupton një gjendje në raport me një të kaluar. E pra, dua t’i kujtoj publikut (dhe në mënyrë të veçantë politikanëve ligjbërës, pronarëve, kolegëve gazetarë dhe zonjës Vllahutin) se ka ekzistuar një kohë kur gjëra si këto, ku na duket gjithnjë e më normale që “Klan” të varet vetëm nga Sandri, apo që Kryeministri Rama të ulet me Sandrin dhe të hartojë një ligj për t’i dhënë atij lekë nga paratë publike, nuk na dukeshin aspak normale. Madje, mund të them se as në ëndrrat më të këqija të asaj kohe nuk e kemi imagjinuar se Sandri dhe keqpërdorimi i pushtetit mediatik prej tij dhe Rama e keqpërdorimi i pushteti politik prej tij, mund të arrinin deri në këtë pikë.

E kam fjalën për kohën kur kolegët perëndimorë vinin e na mësonin se si të evitohej që mediat të keqpërdoreshin. Le të kujtoj vetëm disa gjëra, që sot duken si mbetje arkeologjike. Një nga mësimet kryesore ka qenë ai se politikat editoriale në media duhet t’i hartonte një bord i përbërë nga njerëz të fushës me kompetencë dhe integritet; se prej tyre varej cilësia që do ta bënte një medie më të suksesshme në treg, duke u sjellë fitime edhe pronarëve të tyre. Dhe kujtoj se nga fundi i viteve ‘90 dhe fillimi i mileniumit të ri ka pasur borde të tilla. Por, në vend se këta të inkurajoheshin e forcoheshin nën shenjën e progresit, erdhën duke u eliminuar nën shenjën e regresit. Nëse “Klani” do të kishte pasur një bord të tillë dhe jo vetëm Sandrin dhe Fevziun, do të kishte tjetër cilësi të programeve dhe tjetër etikë gazetareske.

Po kujtoj gjithashtu, se në vitet në fjalë u propozua edhe një projektligj kundër konfliktit të interesit që duhej të ndalonte një pronar gazete apo televizioni të zotëronte edhe biznese që mund ta shtynin të tjetërsonte natyrën e veçantë që ka biznesi mediatik; shërbimin ndaj publikut. Por edhe ky projektligj nuk u bë asnjëherë ligj, sepse pronarëve dhe politikanëve, por edhe disa gazetarëve, nuk u interesoi dhe zhdukën edhe debatin për të. Përsëri them se, sikur Sandri e Fevziu të mos kishin filluar të merreshin me ndërtime e privatizime dhe kthime pronash, por vetëm me “Klanin”, vërtet do të kishin pasur më pak para e prona, por shoqëria nëpërmjet “Klanit” do të kishte pasur tjetër cilësi informimi, formimi dhe argëtimi.

Le të shkojmë më tej. Kujtoj gjithashtu se na ishte një kohë kur, për të pakësuar mundësinë që një pronar i vetëm të keqpërdorte median e tij, ne kishim një ligj, të sugjeruar nga përvojat e vendeve demokratike, që u impononte televizioneve kombëtare tre aksionerë. Dhe kështu lindi “Klani”. Sigurisht, ky ligj nuk siguronte pavarësi perfekte, por ishte më garantues. Po ja, gjithmonë në emër të regresit, erdhi një ditë kur Sandri i hoqi qafe, me ndihmën e pushtetit të Berishës, dy pronarët e tjerë, që fatkeqësisht ishin me humbësin Nano. Gjithsesi, megjithëse i lidhur ngushtë me Sandrin, Berisha nuk e ndryshoi këtë ligj dhe Sandri u detyrua ta ndajë “Klanin” me familjarët e tij. Derisa i erdhi rilindësi Rama, me të cilin rilidhi lidhjet e vjetra dhe ndryshoi ligjin, duke bërë që një pronar i të vetëm të mund ta ketë plotësisht në dorë televizionin kombëtar. Dhe jo vetëm, por, në 2016, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Sandrit që edhe “ABC”-në ta ketë 100% të vetën dhe jo vetëm 40% siç e kishte më parë.

Po ne gazetarët ç’bëmë përpara këtyre hapave që na ngushtonin qartazi lirinë e shprehjes? Pako gjë, për të mos thënë asgjë, për të mos thënë se një pjesë u bënë edhe aktorë në mbështetjen e keqbërësve.

Pra, kjo historia e projektligjit që i jep Sandrit para të tjera publike, që të shërbejë si megafon i qeverisë, nuk është një rrufe në qiell të kaltërt siç i qenka dukur zonjës Vllahutin, e cila, edhe kur arriti më në fund të shprehte një mosaprovim ndaj një projektligji që ka hartuar Rama, nxitoi ta trajtojë atë si një lapsus që Ministria e Financave e paska korrigjuar në kohë. Jo dhe jo. Këtu s’kemi të bëjmë me një gjë “të pazakontë”, por me zakonin e mbrapshtë të procesit të shkallëshkallshëm regresiv të keqpërdorjes së mediave për kapjen e shtetit nga oligarkia.

Një zakon që nuk do të ishte bërë dot kurrë i tillë vetëm nga babëzia e Sandrit pa dorën e ligjbërësve keqbërës të politikës dhe pa bashkëpunimin direkt apo indirekt të të gjithë neve që punojmë në media; një zakon që është i lidhur me shumë mbrapështira të tjera që po bën qeverisja që zonja Vllahutin mbështet; një zakon që ka sjellë vetëm një progres: rritjen  e xhepave dhe rritjen e pushtetit të atyre që hartojnë këto ligje dhe varfërimin dhe nënshtrimin progresiv të të tjerëve./ GAZETA PANORAMA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne