Pionierët e aviacionit turk: Pilotët që hapën një epokë të re

Rruga drejt suksesit është shtruar me dështim, përkushtim dhe sakrificë, dhe pionierët e aviacionit turk i kanë përjetuar të gjitha këto në ekpseriencat e tyre të para

Historia e aviacionit turk filloi vetëm 10 vjet pasi vëllezërit Wright në vitin 1903 fluturuan për herë të parë me një avion me motor të kontrolluar. Në vitin 1912, Perandoria Osmane i dërgoi studentët e saj në shkollat e Aviacionit Evropian për të mësuar detaje teknike si dhe për të pilotuar këto makina të sapo shpikura. Trajnimi i parë i aviacionit turk u zhvillua në qendrën Yesilköy me 17 aeroplanë të blerë në Evropë.

Kur shpërtheu Lufta e Parë Botërore, pavarësisht gjendjes së keqe të avionëve, pilotët osmanë u treguan të guximshëm dhe ju bashkuan bombardimeve. Gjatë këtyre kohërave të vështira, pilotët trima vunë emër. Ata u bënë pionierë të aviacionit turk dhe bënë histori. Kjo është historia e tre pilotëve turq që hapën një epokë të re në aviacionin turk dhe që vdiqën duke shërbyer në krye të detyrës.

Mehmet Fethi Bey

Kapiten Mehmet Fethi, i cili ishte piloti i parë në historinë turke, vdiq gjatë një aksidenti me avion. Ai lindi në Ayazpasa, Stamboll në 1887. Pas diplomimit nga Çarkçi Ameliye, një shkollë e mesme e specializuar në operacionet e inxhinierisë detare, punoi nëpër fabrika të ndryshme ushtarake si teknik. Si pjesë e nismës së aviacionit e nisur nga Perandoria Osmane, ai u dërgua në Akademinë e Aviacionit që ndodhej në Brooklands, Angli në qershor 1912, duke u bërë një nga dy oficerët e inxhinierisë në ekip që morën arsimin e aeromekanikës.

Duke pasur komandën e aspekteve teknike të aeroplanëve, Fethi Bey u nderua me Medaljen e Argjendtë në janar të vitit 1914 për shërbimet e tij në front gjatë Luftës Ballkanike. Në nëntor 1913, ai kreu fluturimin e parë VIP në historinë e aviacionit turk, duke mbajtur në avion Qemal Pashën dhe Talat Pashën, dy burrështetasit e njohur të kësaj periudhe. Po të njëjtën ditë, ai gjithashtu mbajti në të njëjtin aeroplan Osman Vehbi Beun, një korrespondent gazete, duke shënuar në këtë mënyrë fluturimin e parë në historine e aviacionit turk në të cilin u transportua një civil. Me Belkisa Sevket Hanimin në avion, ai hodhi nga lart broshura për të mbledhur donacione për fushatën e blerjes së aeroplanëve në emër të Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Grave.

Në atë kohë, u caktua një fluturim për të mënjanuar sadopak trishtimin pas humbjes në luftërat Ballkanike dhe për të demonstruar se Perandoria Osmane mund të përdorte me sukses mjetet më të fundit të shkencës dhe teknologjisë ashtu sikurse Perëndimi. Fluturimi do të niste nga Stambolli dhe do përfundonte në Egjipt. Ai do të përshkonte territoret e Anadollit dhe të Lindjes së Mesme të perandorisë për tu treguar forcave që përpiqeshin të nxisin kaos në Lindjen e Mesme se perandoria ishte ende e fuqishme. Ky fluturim do të provonte gjithashtu se shteti osman tregonte kujdes ndaj çdo pjesë të territorit të vet dhe ishte i aftë për ti arritur dhe kontrolluar këto vende. Ky fluturim u emërua zyrtarisht me emrin “Udhëtimi Ajror Stamboll-Aleksandri”(Istanbul-Alexandria Air Travel). Në këtë udhëtim, kapiteni 27-vjeçar Mehmet Fethi Bey dhe vëzhguesi Lt. Sadik Bey do të pilotonin avionin Bleriot i quajtur “Muavenet-i Milliye” ndërsa piloti Lt Nuri Bey dhe vëzhguesi kapiten Ismail Hakki Bey do të pilotonin avionin Deperdussin i quajtur “Prens Celalettin”. Duke pasur një rëndësi kritike për Perandorinë Osmane, fluturimi ngjalli kuriozitet të madh për shtypin dhe publikun.

Më 8 shkurt 1914, aeroplanët nisen nga Stambolli pas një ceremonie madhështore pavarësisht motit me shi. Aeroplani i drejtuar nga Fethi Bey dhe Sadik Bey ndoqi rrugën Stamboll-Eskisehir-Afyonkarahisar-Konya-Tarsus-Alepo-Homs-Bejrut-Damasku dhe më në fund u ul me sukses në Damask. Në Damask plotët dhanë shumë intervista për disa gazeta. Megjithatë, aeroplani u rrëzua pranë Liqenit Taberije për arsye teknike, ndërsa po fluturonte nga Damasku për në Jeruzalem më 27 shkurt. Dy pilotët e guximshëm humbën jetën në aksident, duke u bërë martirë.

Pilotët e aeroplanit tjetër, piloti Lt Nuri Bey dhe vëzhguesi kapiten Ismail Hakki Bey, morën pjesë në funeralin e shokëve të tyre duke shkuar nga Homsi në Damask me avionin e tyre “Prens Celalettin”. Pas faljes së xhenazeve të ndjekura nga një masë e madhe njerëzish, pilotët dëshmorë u varrosën në një varrezë afër varrit të Salaudin Ejubit në Xhaminë Emevije.

Nuri Bey

Piloti Lt Nuri Bey e vazhdoi fluturimin pas aksidentit, por ai e humbi jetën pasi avioni i tij u rrëzua në det gjatë ngritjes nga Xhafa më 11 mars. Kapiteni Ismail Hakki Bey, i cili ishte gjithashtu në aeroplan, i mbijetoi aksidentit të rrëzimit. Lt Nuri Beu u varros në të njëjtën varrezë me dy kolegët e tjerë. Gjatë fluturimit të tij të fundit, Lt Nuri Beu kreu edhe shërbimin e parë postar të aviacionit në historinë e aviacionit turk.

Piloti kapt Salim Bey dhe vëzhguesi kapt Kemal Bey u caktuan për të përfunduar fluturimin. Aeroplani Bleriot i sapo blerë i quajtur “Edremit” u dërgua së pari në Bejrut nëpërmjet një anijeje. Duke u nisur nga Bejruti më 1 maj, aeroplani u ul në Aleksandri më 15 maj duke ndjekur rrugën Jeruzalem – Arish-Port Said – Tell El Kebir-Kajro-Saqqara-Maadi-Kajro-Tanta-Aleksandri. Aviatorët u pritën me interes të madh në Egjipt dhe një kartolinë u shtyp në përkujtim të fluturimit të tyre.

E gjithë Turqia u pikëllua për humbjen e aviatorëve. Në vitin 1934, qyteti i Megri Muglas u quajt Fethiye në kujtim të Mehmet Fethi Beut. Gjithashtu, gjatë viteve 40, një bust përkujtimor u ngrit në kujtim të Mehmet Fethit ndërsa një memorial i hapur në Fethiye në vitin 2004 shfaqi poezi të shkruara për të nga poetë të ndryshëm.

Eventi historik prej Stambollit në Aleksandri, i cili përfshiu një fluturim prej 2,250 kilometrash, u soll në rendin e ditës me projektin e krahëve të artë në vitin 2001. Si pjesë e projektit, e realizuar me bashkëpunimin e transmetuesit shtetëror të Turqisë TRT dhe Komandës së Forcave Ajrore Turke, fluturimi historik u përsërit me avionë të ngjashëm origjinalë. I paraqitur si një dokumentar me tre episode, fluturimi nisi pas një ceremonie të mbajtur në Stamboll më 15 maj 2001 dhe përfundoi në Aleksandri duke i qëndruar besnik rrugëtimit origjinal.

Monumenti i bërë në kujtim të Fethi Beut, Sadik Beut dhe Nuri Beut, dëshmorët e parë në historinë e aviacionit turk, ngrihet në një park që ndodhet përballë ndërtesës së vjetër të bashkisë në lagjen Fatih të Stambollit. Monumenti i lartë 7.5 metra i përbërë nga dolomiti dhe bronzi u projektua nga arkitekti Vedat Tek. Shtyllat e thyera të monumentit simbolizojnë fluturimin e paplotësuar të nisur për një ideal të lartë. Edhe në vendin ku ndodhi rrëzimi në vitin 1914 është ngritur një monument. Ky monument u soll në axhendën e Turqisë në vitin 2000 me përpjekjet e instruktorit Bülent Yilmaz të historisë së aviacionit në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme.

Eribe Kartal Hürkus

Eribe Kartal Hürkus, njihet si pilotja e parë femër në historinë e aviacionit turk. Ajo lindi në Stamboll më 30 tetor 1918. Si mbesa e Vecihi Hürkusit, një nga pionierët më të shquar të historisë së aviacionit turk, Eribe Hürkusi e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë së saj me xhaxhain e saj, pasi babai i saj, komandant Bedrettin Bey, ishte martirizuar. Eribe Hürkusi u njoh me aviacionin gjatë viteve të saj të fëmijërisë. Ajo ndoqi shkollën Vecihi Sivil Tayyare (Aviacion Civil) në lagjen Kadiköy të Stambollit dhe e mësoi aviacionin kur ishte vetëm 16 vjec. Pasi xhaxhai i saj filloi të punonte në institucionin e zogjve i sapo themeluar në Ankara, ajo vazhdoi arsimin e saj në Ankara. Aty mori trajnime kërcimi me parashutë dhe e përfundoi me sukses provën e saj të parë më 24 tetor 1936 para ceremonisë së Ditës së Republikës. Më 29 tetor, ajo mori një aeroplan Caudron 59 për të realizuar hedhjen e saj të fundit me parashutë. Gjatë hedhjes nga aeroplani në lartësinë 600 metra, parashuta e saj nuk u hap. E plagosur shumë rëndë pas rënies, ajo humbi jetën në spital. E aksidentuar për vdekje në moshën 18 vjeçare, Eribe Kartal Hürkus u bë femra e parë martire në historinë e aviacionit turk. Shumë personalitete të kohës, duke përfshirë edhe kryeministrin Ismet Inönü, shprehën ngushëllimet e tyre për vdekjen e saj, ndërkohë shkrimtarë të shumtë shkruan ese dhe artikuj rreth saj./dailysabah/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne