Firmosja e marrëveshjes së normalizimit Izrael-EBA pritet në mes të shtatorit

Qeveria izraelite shpreson që ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) të zhvillohet në Washington në mesin e shtatorit.

Ministri izraelit i Bashkëpunimit Rajonal, Ofir Akunis, tha për një televizion lokal se data e saktë për nënshkrimin e marrëveshjes nuk është caktuar ende, por presin që ceremonia të zhvillohet në mes të muajit të ardhshëm.

Akunis deklaroi se delegacioni izraelit dhe amerikan, i cili nesër do të arrijë në Abu Dhabi, do të diskutojë me zyrtarë të EBA-së datën e nënshkrimit të marrëveshjes që do t’i hapë rrugën vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve.

“Një nga rezultatet e bisedimeve që do të zhvillohen në EBA nesër do të jetë përcaktimi i datës së marrëveshjes. Shpresojmë që ceremonia e nënshkrimit të mbahet para Rosh Hashanah (Viti të Ri, i cili do të festohet më 18 shtator të këtij viti sipas kalendarit hebraik)”, tha Akunis.

Zyrtarët izraelitë dhe amerikanë, përfshirë presidentin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit Meir Ben-Shabbat dhe këshilltarin e presidentit të SHBA-së Donald Trump, Jared Kushner, do të arrijnë nesër në EBA për një sërë takimesh.

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi më 13 gusht se Izraeli dhe EBA kanë arritur një marrëveshje për “normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre”.

EBA u bë vendi i tretë arab që arriti marrëveshje normalizimi me Izraelin, pas Egjiptit në vitin 1979 dhe Jordanisë më 1994./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne