Deklaratat e fundit të Kryeministrit Edi Rama, ku përdori termin “autik” në një kontekst përçmues, kanë shkaktuar zemërim dhe indinjatë në opinionin publik. Ndër reagimet më të forta vjen ai i Brixhida Muçës, drejtuese e qendrës “Lumtur Dhimbjen”, e cila i është drejtuar publikisht me një qëndrim të prerë dhe njerëzor:
“Kur përdor fjalën ‘autik’ si ofendim, nuk je thjesht duke bërë politikë – je duke lënduar ata që kanë më shumë nevojë për mirëkuptim. Autizmi nuk është mangësi, nuk është turp. Është mënyrë tjetër e të parit të botës.”
Muça e cilëson të papranueshëm një fjalor të tillë nga “kryeshërbëtori i popullit”, duke theksuar se ofendime të tilla vijnë pikërisht nga ata që duhet të ishin në krah të më të brishtëve, jo t’i përdornin si mjet nënçmimi.
“Nuk është çështje politike, por njerëzore. Nëse kemi humbur ndjeshmërinë për më të pambrojturit, çfarë na ka mbetur si shoqëri?”
Muça përfundon me një mesazh të fortë: ajo nuk pranon të heshtë, sepse heshtja është bashkëfajësi në përçmimin që pushteti i bën dinjitetit njerëzor./gazetaimpakt

















