Rajoni

Fletushka kundër Ramës dhe Zaevit në Maqedoni, thirrje kundër shqiptarëve

Ditën e sotme nëpër të gjithë Maqedoninë janë ngjitur trakte dhe janë shpërndarë fletushka kundër kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe kreut të LSDM­së, Zoran Zaevit. Ky i fundit akuzohet se po shkatërron Maqedoninë me platformën shqiptare dhe kërkon krijimin e Shqipërisë së Madhe. Po kështu, në këto trakte antishqiptare bëhet thirrje për mobilizimin e maqedonasve ndaj shqiptarëve, çka mund të çojë në shpërthim të dhunës, shkruajnë mediat në Maqedoni.

Kështu vlerësojnë ish­kryetari i Kuvendit, Stojan Andov dhe analisti politik Ismet Ramadani. Analisti Ramadani madje nënvizon se tani vetëm faktori ndërkombëtar mund të zgjidhë situatën e krijuar, përmes etiketimit të drejtpërdrejtë të thelluesve të krizës. Ish­kryetari i Kuvendit, Stojan Andov, deklaron se me zvarritjen e shpalljes së zgjedhjeve, edhe udhëheqësit e komunave por edhe ato të pushtetit qendror janë të pavlefshëm. Andov deklaron se patjetër duhet të bëhet hapi i parë për zgjidhjen e krizës, pasi nëse ajo zgjatet mund tu kushtojë qytetarëve me jetë. “Unë shpresoj se nuk do të ketë përleshje ndëretnike për shkak se problemi kryesor është mes partive politike maqedonase, mes atyre që votuesit i kanë maqedonas. Ata duhet ti bëjnë hapat e parë.

Sipas meje hapi i mirë dhe i parë do të ishte të largohen disa dyshime nëse nuk kanë bazë, dhe Zaev ta publikojë marrëveshjen që e ka bërë me partnerët, të shihet se çka ka pranuar dhe çfarë jo, e kështu me radhë”, ka thënë Stojan Andov, ish­kryetar i Parlamentit për Tv Shenja. Andov nënvizon se Kuvendi duhet patjetër të rikonstituohet, pasi konstituimi i tij nuk është vetëm verifikimi i mandateve por edhe zgjedhje e trupave të domosdoshëm dhe kryetarit të Kuvendit, ndërsa këtë mund ta arrijnë shumica e deputetëve të cilët kanë të drejta dhe obligime të posaçme dhe mund të formojnë Qeveri./Dritare.net

OPINIONE

INTERVISTA