FMN: “Skenderbeu” Edi Rama po e mbyt Shqiperine ne borxhe

Në deklaratën përmbyllëse të ekipit për konsultimin, FMN i rrëzoi qeverisë Rama një nga nismat që ajo ka mbrojtur më shumë: Partneritetin Publik Privat (PPP) apo koncesionet.FMN vlerëson se PPP-të janë me rrezik fiskal dhe fshehin borxhin publik.

  • Partneritetet Publike Private (PPP): Programi ambicioz i autoriteteve për investime publike nëpërmjet PPP-ve paraqet risqe të konsiderueshme fiskale. Është me rëndësi parësore fuqizimi i zbatimit të kuadrit të PPP-ve dhe fillimi i shfrytëzimit të kompetencave ligjore të zgjeruara rishtazi të Ministrisë së Financave për vlerësimin dhe monitorimin e projekteve PPP. Në dallim nga praktika e tanishme, ndikimi që kanë PPP-të në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të reflektohet me transparencë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare të kontabilitetit publik.

Alarmin se borxhi i Shqipërisë po rritet në mënyrë galopante në mënyrë tinzare me PPP –të e kishte dhënë në parlament kryetari i PD, Luzlim Basha, gjatë diskutimeve të programit të qeverisë.

“Rama II do ta zhysë Shqipërinë në një krizë të pashmangshme financiare për shkak se ajo e kthyer borxhin në instrumentin kryesor jo vetëm të investimeve, por edhe të shërbimeve, sikurse Rama I mori 3 miliardë USD borxhe në tre vitet e para.

 Përveç marrjes së detyrueshme të borxhit nga institucionet financiare, Ramë II ka përgatitur një skemë dinake të marrjes së borxhit të fshehtë përmes të të ashtuquajturave skema të partneriteti publik – privat..

Skema është e thjeshtë: në vend që qeveria të marrë borxh vetë për investimin apo ofruar shërbimin, Rama II nënshkruan fillimisht një kontratë të gjatë me një privat për t’i paguar çdo vit koston e investimit apo shërbimit nga paratë e qytetarëve. Pastaj, privati, me këtë kontratë garanci shkon në bankë dhe merr hua të shtrenjtë në sistemin bankar dhe me këtë kryer investimin publik, jo privat. Kështu, edhe pse qeveria ka një borxh afatgjatë ndaj privatit, kjo nuk regjistrohet si borxh publik, ndërkohë që rreziku i privatit është zero”, deklaronte Basha.

Një tjetër kritikë vjen nga FMN për detyrimet e prapambetura dhe rimbursimin e TVSH, disa prej praktikave të anatemuara nga Rama kur ishte në opozitë dhe që pak pas ardhjes në pushtet deklaroi se u kishte dhënë zgjidhje.

  • Shlyerja dhe parandalimi i detyrimeve të prapambetura:Deri në fund të muajit qershor, njësitë e qeverisjes qendrore dhe vendore kanë akumuluar detyrime të prapambetura sa 1,1 për qind e PBB-së. Kjo përfshin edhe 0,3 për qind të PBB-së si detyrime të prapambetura në formën e rimbursimit të TVSH-së. Për të parandaluar krijimin e detyrimeve të prapambetura, autoritetet duhet të përmirësojnë procesin e rimbursimit të TVSH-së, të fuqizojnë masat kontrolluese për angazhimet kontraktuale, sidomos në Ministrinë e Energjetikës dhe Infrastrukturës, të shtrijnë aksesin në sistemin informatik të Thesarit edhe në njësitë e qeverisjes vendore, të regjistrojnë të gjitha angazhimet e pabuxhetuara dhe të regjistrojnë faturat e papaguara.

FMN ka goditur drejpërdrejtë edhe nismën më të fundit të kryeministit për të bashkuar doganat me tatimet.

  • “Njoftimi për bashkimin e administratave tatimore dhe doganore është mirë të rikonsiderohet edhe një herë, po të kemi parasysh risqet e larta të cënimit të mbledhjes së të ardhurave dhe reformat që po bëhen në administratën tatimore. Më në përgjithësi, riorganizimi i administratës së qeverisjes qendrore është mirë të zbatohet me vëmendje të veçantë tek efekti funksional”.

Përsa i përket perspektivës së rritjes ekonomikë, FMN parashikon ngadalësim në vitin 2018, vit kur parashikohet të mbyllen edhe investimet për ndërtimin e gazsjellësit TAP, projekt që ka mbajtur për dy vjet në këmbë investimet e huaja.

  • “Në vitin 2018, rritja është parashikuar të bjerë paksa në 3,7 për qind, me rënien e investimeve nga projektet e mëdha të lidhura me energjetikën”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu, ngadalësim pritet të ketë edhe në konsolidimin fiskal. Veç parashikimeve, kostatohet se deri tani efikasiteti tatimor ka qenë i ulët, mirëpritet taksa e pronës në bazë të vlerës, ndërsa kritikohet përjashtimi që qeveria i bëri biznesit të vogël nga taksat, në prag të fushatës zgjedhore.

  • Efikasiteti tatimor është i ulët në krahasim me vendet fqinje, duke pasqyruar pragje të larta tatimore dhe nivel të ulët të përmbushjes së detyrimeve nga tatimpaguesit. Mbështetja shumë e lartë në tatime të veçanta ka çuar gjithashtu në elasticitet të ulët tatimor në raport me PBB-në. Misioni e mirëpret zbatimin e planifikuar të një tatimi mbi pronën që mbështetet në vlerën e pronës dhe përmirësimin e përmbushjes së detyrimeve tatimore dhe rekomandon masa të tjera shtesë si indeksimi i akcizave sipas inflacionit për të ruajtur vlerën reale, taksën e transferimit të pronësisë si hap tranzitor drejt futjes tatimit të bazuar në vlerën e pronës, akcizat mjedisore dhe zgjerimin e bazës tatimore. Autoritetet nuk duhet të japin më përjashtime të reja tatimore, trajtime preferenciale apo të ulin shkallët tatimore. Struktura e TVSH-së dhe e tatim- fitimit për bizneset e vogla duhet të marrë në konsideratë një regjim të thjeshtuar për ta minimizuar barrën për administratën tatimore”, nënvizon FMN.

Ashtu si në deklaratat e mëparshme FMN kërkon vëmendje për zgjidhjen e problemit që shkaktojnë në ekonomi kreditë me probleme, që pengojnë rimëkëmbjen e kreditimit, veçanërisht për shoqëritë e mëdha. Raporti në tërësi duket i balancuar mes kritikave dhe vlerësimeve. Por kritikat janë ato që rrëzojnë reformat dhe nismat kryesore të qëeverisë Rama. Për shkak të këtyre kritikave, FMN dhe Qeveria nuk arritën dakordësinë për të nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi. /Lapsi.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne