Foreign Policy: Partia spanjolle Vox urren myslimanët, me përjashtim të atyre që e financojnë

nga Sohail Jannessari, Darren Loucaide.

Partia spanjolle e ekstremit të djathtë Vox nisi fushatën zgjedhore këtë muaj në qytetin e vogël të Covadongas. I ndodhur në një luginë të bukut të rajonit verior të Asturias, me më pak se 100 banorë, Covadonga nganjëherë quhet edhe “djepi i Spanjës”. Sipas narrativës historike të konservatorëve spanjollë, Covadonga ishte vendi i fitores së parë i të krishterëve hispanikë kundër sundimtarëve të atëhershëm muslimanë të Spanjës, dhe fillimi i Rekonquistas, procesi 780 vjecar i rimarrjes së tokave iberike për të ashtuquajturën botë e krishterë.

“Europa është ajo që është në sajë të Spanjës – falë kontributit tonë, që nga Mesjeta, nga ndalja dhe përhapja e Islamit”, tha në një bisedë telefonike për Foreign Policy në rrugë e sipër për në Covadonga, Iván Espinosa de los Monteros, zëvendës sekretar i Vox për marrëdhënie ndërkombëtare dhe një kandidat i zgjedhjeve të prillit. Në lançimin e fushatës, kreu i Vox, Santiago Abascal shtoi: “Historia ka rëndësi, ne nuk duhet të frikësohemi nga thirrjet “Viva España!”

Ndërkohë që e djathta e Spanjës ka qenë relativisht e butë në retorikën anti-islame, duke preferuar që tu vendosë hendek separatistëve në Katalanjë dhe gjetkë, Vox nuk ka treguar aspak intresim për ketë. Një nga polemikat më të hershme të partisë ka qenë një video e ashpër islamofobe që tregonte se në të ardhmen muslimanët kishin vendosur sheriatin në Spanjën jugore dhe e kishin kthyer Katedralen e Kordobas në xhami dhe gratë i kishin detyruar të mbuloheshin. Kohët e fundit numri dy i Vox-it, Javier Ortega Smith, u hetua nga prokurorët spanjollë për gjuhë të urrejtjes, pasi kishte folur për një “pushtim islamik” që ishte “armik i Evropës”.

Duke pasur parasysh islamofobinë e fortë të Vox, ishte një siklet i madh për partinë kur në janar dolën raportimet për financimet iraniane.

Politikat raciste, homofobike dhe seksiste të Vox-it kanë ofruar tashmë mjaft municion për kritikët e saj dhe partitë rivale; pretendimi se Vox u krijua me ndihmën e parave iraniane në vitin 2013 ishte më pak i pritshëm. Megjithatë, Vox nuk u financua vetëm nga iranianët. Realiteti është edhe më i habitshëm.

Dokumentet e dala nga gazeta spanjolle El Pais tregojnë se pothuajse 1 milion euro ju dhuruan Vox-it gjatë periudhës së themelimit të saj në dhjetor 2013 dhe zgjedhjeve të Parlamentit Europian në maj 2014, nëpërmjet mbështetësve të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), një grup iranian në mërgim. NCRI u krijua në vitet 1980 nga Mojahedin-e-Khalq (MEK) dhe një numër disidentësh iranianë dhe grupesh opozitare. Aleatët e MEK-ut më vonë e braktisën NCRI-në, duke bërë që organizata të funksionojë si një pseudonim i MEK-ut.

MEK dhe NCRI debatojnë se ato janë sinonime, por shumë nuk pajtohen me këtë, përfshirë Daniel Benjaminin, ish-koordinator për antiterrorizmin në Departamentin Amerikan të Shtetit, i cili i referohet NCRI-së si “organizatë frontale” e MEK-ut. MEK dhe NCRI gjithashtu kanë edhe të njëjtin lider, Maryam Rajavin. Qeveria e SHBA-së dhe një vendim i Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara pohojnë se NCRI është një pseudonim i MEK-ut, ndërsa një raport i Rand Corp i vitit 2009, i sponsorizuar nga Zyra Amerikane e Sekretarit të Mbrojtjes, i referohet NCRI-së si një “vartëse e Mek-ut.”

MEK faturohet nga politikanët amerikanë si Rudy Giuliani dhe këshilltari aktual i Sigurisë Kombëtare Xhon Bolton si opozitë e ligjshme ndaj qeverisë aktuale iraniane. Por MEK gjithashtu shfaqet edhe si një ish-organizatë islamisto-marksiste. Ajo u hoq nga lista amerikane e organizatave terroriste vetëm në vitin 2012, duke ngritur pyetjen se pse mbështetësit e një grupi të tillë do të deshin që të mbështesnin një parti islamofobe spanjolle të ekstremit të djathtë sikurse është Vox.

Në Spanjë flitet shumë edhe për lidhjet e Vox me ish-shefin strategjik Steve Bannon të Presidentit Donald Trump, i cili pasi u takua vitin e kaluar në Uashington me një figurë të lartë të partisë, premtoi se do të udhëtojë në Spanjë në një të ardhme të afërt. Megjithatë financimi misterioz i lidhur me MEK-un tregon një marrëdhënie tjetër kontraverse.

Me Vox-in që pritet të fitojë më shumë se 10 për qind të votave në zgjedhjet spanjolle të kësaj fundjave, përfundimi mund të jetë ngritja e një qeverie të re të krahut të djathtë, siç ndodhi në zgjedhjet rajonale në rajonin jugor të Andaluzisë në dhjetor. Kjo do të ishte hera e parë që një qeveri spanjolle të varej nga një parti e ekstremit të djathtë që nga koha e Francisco Francos, dhe kjo do të sille edhe tronditje të forta përgjatë gjithë sistemit politik të Spanjës.

Çështja e financimit të Vox është tani më e nxehtë se kurrë.

Në vitin 1953, një grusht shteti i mbështetur nga SHBA dhe Britania përmbysi kryeministrin e zgjedhur në mënyrë demokratike të Iranit dhe mbështeti një diktaturë monarkiste të drejtuar nga Shah Mohammad Reza Pahlavi. Valë shtypjesh pasuan duke përfshirë edhe ekzekutime, burgosje të mijëra qytetarëve dhe frikësime të shoqërisë civile. Në vakuumin politik që pasoi, u shfaqën shumë grupe radikale. Një grup i tillë ishe edhe MEK, ose Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit. Ai ishte një kombinim i marksizmit dhe islamizmit. MEK-u vendosi të luftojë diktaturën e mbështetur nga Perëndimi, duke pregatitur sulme ndaj rregjimit të shahut dhe synimeve të Uashingtonit. Shahu u përgjigj me dashamirësi, torturoi dhe ekzekutoi udhëheqësit e opozitës, duke përfshirë edhe ata të MEK-ut.

Në muajt që i paraprinë revolucionit islamik të vitit 1979, mijëra të burgosur u liruan, përfshirë edhe Massoud Raxhavi, një figurë e shquar e MEK-ut. Raxhavi ishte një orator i ri karizmatik, i cili e përtëriu organizatën, madje u takua edhe me Ayatollah Ruhollah Khomeinin, udhëheqësin e revolucionit, duke shpresuar që të siguronte miratimin e tij për MEK-un. Khomeini refuzoi. Rajavi pastaj u përpoq të kandidonte si kandidat në zgjedhjet e para presidenciale të Iranit, por duke u përballur me mosmiratimin e Khomeinit, ai u detyrua të largohej. Fituesi i këtyre zgjedhjeve, Abolhassan Banisadr, nuk ishte aleat i Khomeinit. MEK-u pa një mundësi hapjeje dhe u bashkua me Banisadrin.

Në vitin 1981, Rajavi dhe Banisadri u larguan së bashku nga Irani pasi figura e Banisadrit u pezullua dhe u largua nga zyra me bekimin e Khomeinit, ndërsa anëtarët e MEK-ut i humbën betejat vdekjeprurëse në rrugë prej besnikëve të Khomeinit që kërcënonin për kthimin e vendit drejt një lufte civile. MEK-u tani ishte një armik zyrtar i Republikës Islamike, e cila në këtë kohë po zhvillonte një luftë të përgjakshme me Irakun, kështu që MEK-u filloi ta shihte Sadam Huseinin e Irakut si një aleat të mundshëm. MEK filloi të ndihmonte Sadamin në luftën e tij kundër Iranit.

Që nga ky moment, grupi nisi të shihej gjerësisht nga publiku iranian si një pjesë e neveritshme e shoqërisë iraniane. Raportohet se më vonë MEK ndihmoi Sadamin edhe në masakrat e tij kundër kurdëve dhe shitëve irakianë. Siç thuhet edhe në raportin e Rand: “Zyrtarët e MEK-ut mohojnë me forcë çdo përfshirje në mizoritë kundër shitëve dhe kurdëve. … Megjithatë, akuzat për pjesëmarrjen e grupit në masakrat e Sadamit konfirmohen nga raportet e shtypit që citonin Maryam Rajavin kur inkurajonte anëtarët e MEK-ut me fjalët, “Merrini kurdët nën tanket tuaja dhe ruajini plumbat për gardën revolucionare iraniane”. Mediat citojnë edhe kohën kur Sadami i dhuroi Masoud Rajavit medaljonin Rafedeen, një nderim i madh i ushtrisë së Irakut. “Në këmbim, Sadam i ofroi MEK-ut financime pothuajse të pakufizuara dhe një sipërfaqe të madhe toke për të ndërtuar një qytet, rreth 60 milje në veri të Bagdadit dhe vetëm 50 milje larg kufirit iranian.

Kur pushtimi i Irakut në vitin 2003 përmbysi Sadamin, MEK humbi aleatin e tij më të madh.

Vendi filloi të qeverisej tani nga partitë dhe njerëzit që MEK kishte ndihmuar që të shtypeshin. Ata ishin miq të Republikës Islamike të Iranit dhe në kulmin e luftës globale kundër terrorizmit Shtetet e Bashkuara e kishin përcaktuar MEK-un si një grup terrorist. Sipas pohimeve të personave të ndryshëm që kanë lënë grupin, për më tepër, MEK ishte shndërruar tashmë në diçka që i ngjasonte një kulti.

Hassan Heyrani, një ish-anëtar i departamentit politik të MEK-ut, i cili u largua nga MEK në vitin 2018, tha për Foreign Policy mbi ritualet dhe rutinat e grupit të dizajnuara për të nënshtruar plotësisht njeriun, duke përfshirë jetën seksuale të anëtarëve dhe detajet më të imëta të mendimit të lirë, si dhe detyrimin e anetarëve për bindje ndaj liderit të MEK-ut Massoud Rajavit, e cila kalonte deri në adhurim të tij. Gratë duhet që ti përmbaheshin një kodi të rreptë të veshjeve. Sipas Heyranit, anëtarët detyroheshin që ti regjistronin detajet e aktiviteteve dhe mendimeve të tyre të përditshme në fletoret personale dhe pastaj t’i tregonin ato nëpër mbledhjet e grupeve, me një rrezik dënimi dhe turpërimi në publik. MEK nuk iu përgjigj kërkesave për koment për këtë artikull, por përfaqësuesit e tij i kanë mohuar në të kaluarën këto pretendime.

Pavarësisht nga metamorfoza e MEK-ut nga një grup opozitar në një organizatë terroriste, luftënxitësit në administratën George W. Bush vendosën që ta përdorin MEK-un në riformësimin e Lindjes së Mesme. Në vend që gjatë kohës së pushtimit të Irakut amerikanët ti kapnin anëtarët terroristë të grupit, ata u instruktuan që ta mbronin bazën e MEK-ut prej sulmeve të mundshme prej forcave irakiane, milicive të ndryshme të Irakut apo forcave besnike të qeverisë iraniane.

MEK kapi shumë shpejt ndryshimin e zemrës së Uashingtonit. Organizata filloi një fushatë intensive lobimi për të hequr veten nga lista terroriste e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Një varg i gjatë dhe mbresëlënës politikanësh të mëparshëm dhe zyrtarësh aktualë amerikanë punuan për këtë synim, duke filluar nga Giuliani, Boltoni, senatorët e djathtë si Bob Menendez dhe deri tek ish-kryetari i Komisionit Kombëtar Demokratik Howard Dean prej të majtëve. Në Evropë, lista përfshinte Alejo Vidal- Quadras-in, një politikan spanjoll tashmë në pension, i cili më parë kishte shërbyer si një prej 14 nënpresidentëve të Parlamentit të BE-së. MEK u hoq përfundimisht nga lista e terrorit e SHBA-së në vitin 2012 dhe nga lista e BE-së në vitin 2009.

Sipas El País, nga fundi i vitit 2013, spanjolli Vidal Quadras ndihmoi në themelimin e Vox, ndërsa përkrahësit e NCRI-së i siguruan fondet e nevojshme për të ngritur partinë e krahut të djathtë dhe për të kontestuar edhe zgjedhjet evropiane të vitit 2014.

“Që nga dita që u themelua në dhjetor të vitit 2013, në të njëjtën ditë që u regjistrua si një parti politike në Ministrinë spanjolle të Punëve të Brendshme, Vox filloi të merrte fonde prej iranianëve”, thotë Joaquín Gil, një nga gazetarët e El País i cili raportoi i pari financimet e NCRI-së për Vox-in. Donacionet erdhën nga dhjetra burime individuale, nga shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Zvicrën, Kanadanë dhe Italinë. Shumat varionin nga 60 në 35,000 euro, ku në total në periudhën dhjetor 2013 deri në prill 2014, arritën në gati 972,000 euro, pikërisht pak para se të mbaheshin zgjedhjet për parlamentin evropian.

Sipas Gil, Vidal Quadras tha se i kishte “kërkuar miqve të tij të NCRI-së që t’i instruktonin ithtarët e tij se si të bënin një seri transfertash parash.” Vidal-Quadras i tha El Paisit se e kishte informuar liderin e tanishëm të partisë, Abascalin, rreth marrëdhënieve e tij me organizatën, dhe se NCRI do të financonte partinë. Vidal Quadras ka konfirmuar se NCRI organizoi fushatën ndërkombëtare për mbledhjen e fondeve për Vox-in dhe se grupi ishte i gatshëm që këtë çështje ta diskutonte edhe me gazetarët spanjollë. “Ne e dinim se ishte një parti e re, por jo e së djathtës ekstreme”, tha për El Pais një zëdhënës i NCRI-së.

Këto para do të ishin thelbësore për lancimin e partisë. Gil thotë se pa ato Vox nuk do të ekzistonte. Megjithatë NCRI-ja kishte disa vite që ja kishte arritur tashmë qëllimit për ta hequr MEK-un nga lista terroriste e BE-së, prandaj lind pyetja se pse përkrahësit e saj pajtohen të financojnë një parti të vogël spanjolle? Gil pranon se kjo “është tërësisht e pazakontë”.

Kur u pyet rreth lidhjeve të partisë me NCRI-në, Espinosa, zëvendës sekretari i marrëdhënieve ndërkombëtare i Vox, tha për Foreign Policy: “Ne nuk kemi asnjë lidhje me ta”. Financimi i Vox nga NCRI buron nga një “marrëdhënie personale “mes Vidal Quadrasit, i cili e kishte mbështetur organizatën iraniane gjatë gjithë kohës kur ishte në parlamentin e BE-së deri në vitin 2014 kur humbi garën për të fituar një ulëse si pjesë e Vox-it të sapo krijuar. (Vidal Quadras ka qenë më parë anëtar i përhershëm i Partisë Konservatore Popullore të Spanjës në Parlamentin Evropian.) “Ata e mbështetën atë,” pretendon Espinosa. “As partia nuk e ndihmoi qa sa e ndihmoi NCRI-ja. Pas mbarimit të fushatës, kur ai u largua, ata kurrë nuk u kthyen më,” shton Espinoza. “Ashtu sikurse NCRI dhe MEK, edhe Vidal Quadras nuk iu përgjigj kërkesave të shumta për koment mbi këtë shkrim.

Në dhjetor 2013, komisioni zgjedhor i Spanjës u kujtoi partive politike që të huajve nuk u lejohej të financonin partitë gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2014. Ligji zgjedhor i Spanjës ndalon partitë që të marrin para nga subjekte apo individë të huaj 54 ditë para zgjedhjeve, edhe pse financimi i huaj lejohej jashtë periudhës së fushatës.

Ndërkohë që nuk ka prova që Vox të ketë shkelur rregullat spanjolle apo të BE-së mbi financimet, Espinosa në mënyrë të qartë nuk ka shprehur as edhe një shqetësim në lidhje me pranimin e financimeve të huaja: “Unë përpiqem sa të mundem që të marr sa më shumë financime nga jashtë. Nuk them se janë të domosdoshme, megjithatë do të gënjeja nëse nuk do t’ju thosha se askush nga jashtë nuk na ka dhënë donacione.

Espinosa, i cili krahas Vidal Quadrasit ishte pjesë e listës së kandidatëve të VOX për zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 (Vox për pak e humbi një vend), ka vazhduar të theksojë se financimet që nuk kishin lidhje me fushaten zgjedhore ishin krejtësisht të ligjshme, transparente dhe erdhën përmes llogarive të verifikuara bankare nga avokatë, bankierë, dentistë, mjekë që jetonin jashtë vendit”. Megjithatë, financimet e ardhura nga drejtime të ndryshme ngelen ende edhe sot të dyshimta.

Partia Socialiste e Punëtorëve (PSOE) që ndodhet në pushtet në Spanjë dhe ka aktualisht edhe një pakicë në Senat, ka kërkuar nga partia kryesore e Senatit, PP-ja, që të kërkojë që Vox të paraqitet para Komisionit të Hetimeve për Financimet nga Palët. Partia konservatore PP, e cila ndoshta do të kishte nevojë për mbështetjen e Vox-it për të pasur ndonjë mundësi në formimin një qeverie të koalicionit të krahut të djathtë pas zgjedhjeve, ka shprehur shqetësime rreth financimeve të Vox-it. Megjithatë, në vend që t’i kërkonte Gjykatës së Auditimit të Spanjës një hetim për Vox-in, ajo e ndaloi për pak kohë edhe një investigim të Senatit. Espinosa tha për Foreign Policy se partia i ka paraqitur të gjitha dokumentet e lidhura me këtë në Gjykatën e Auditimit.

Espinosa gjithashtu insistoi që financimi i Vox-it nuk kishte ardhur asnjëherë nga “fondacionet, organizatat dhe partitë, por vetëm nga individë”. Por ndërsa donacionet për Vox teknikisht vinin nga anëtarët e MEK-ut sesa drejtpërdrejt nga organizata, dallimi midis “anëtarëve” aktualë të MEK-ut dhe të ashtuquajturve “përkrahës” jashtë organizatës, është një mashtrim, pohon Heyran. “Edhe ata që gjenden në vende të tjera, janë gjithashtu anëtarë. Ata kanë programet e tyre ditore. Në çdo vend ka qarqe të drejtuara nga zyrat e MEK-ut, dhe ata veprojnë sipas urdhërave të tyre,” thotë ai. Përfaqësuesit e NCRI-së dhe MEK-ut nuk iu janë përgjigjur kërkesave të Foreign Policy për të komentuar mbi këtë pretendim.

Me sa shihet MEK ka qenë një i preferuar dhe aleat i Vidal Quadrasit, i cili e ka mbështetur MEK-un për vite me rradhë. Por, siç tha edhe një ish-anëtar i komitetit ekzekutiv të MEK-ut për Politikën e Jashtme, financimet që grupi siguroi gjatë periudhës së Sadam Huseinit ka gjasa të kenë mbaruar, gjë që tregon se grupi sot mund të ketë burime të tjera financiare.

“Moxhahedinët [MEK] janë instrumenti, jo financuesit. Ata nuk janë aq të mëdhenj. Ata lehtësojnë”, thotë Massoud Khodabandeh, i cili dikur pati shërbyer në departamentin e sigurisë të MEK-ut; Khodabandeh dezertoi nga MEK në vitin 1996, një vit para se MEK të përcaktohej nga Departamenti Amerikan i Shtetit si organizatë terroriste. “Ju e shikoni atë dhe thoni, ‘Oh, Moxhahedinët po financojnë [Vox]’ Jo, nuk janë ata. Ata që financojnë atë parti financojnë gjithashtu edhe Moxhahedinët. ”

Khodabandeh thotë se ai vetë ishte përfshirë në transferimin e parave dhe financimet për MEK-un gjatë sundimit të Sadam Huseinit. “Unë shkova në Riad dhe sigurova tre ngarkesa me shufra ari nga agjentët e agjencisë së inteligjencës saudite [në atë kohë] të drejtuar nga Princi Turki bin Faisal. I transferuam ato në Bagdad dhe pastaj në Jordani. Shufrat e arit i shitëm në Jordani”, pohon ai.

Dëshmia e Khodabandehut ngre pyetjen se prej nga vijnë sot paratë e MEK-ut. Edhe Heyrani, një nga dezertorët më të fundit të MEK-ut, tregon gjithashtu për financimet e organizatës në Irak. Ai u tregua i hapur kur u pyet për mbështetjen financiare aktuale të MEK-ut: “Arabia Saudite, nuk ka dyshim, “tha ai. Ndërkohë, pas tërheqjes së SHBA-së nga Iraku, MEK-ut i është ofruar një strehë e sigurt në Shqipëri, pasi ushtria amerikane nuk mundej më që ta mbronte kampin e grupit dhe pasi gjithashtu edhe qeveria irakiane dëshironte largimin e tyre. Hayran thotë se një nga anëtarët e lartë të departamentit politik të MEK-ut i ka treguar se Princi Saudit Turki bin Faisal Al Saud më në fund kishte filluar të bënte “vezën e artë”.

E ashtuquajtura vezë ishte një instalim masiv, ose kampi i vendosur jashtë Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, i cili përdoret tashmë nga MEK si bazë e operacioneve të tij që nga viti 2016. “Habib Rezaei [një prej anëtarëve të rangut të lartë] më tha se do të sillnin disa senatorë amerikanë për ti ekspozuar para shqiptarëve në mënyrë që ata të kuptonim se me kë kishin të bënin”, thotë Heyrani. (Në gusht të vitit 2017, senatori republikan Roy Blunt, John Cornyn dhe Thom Tillis vizituan MEK-un në Shqipëri dhe u takuan me Maryam Rajavin.)

Kanalet televizive shtetërore të Arabisë Saudite i kanë dhënë një mbulim miqësor MEK-ut, ndërsa Princi Turki al-Faisal, ish-shef i inteligjencës së Arabisë Saudite, madje u shfaq në korrik të vitit 2016 në një tubim të MEK-ut në Paris.

“Edhe unë dua ta rrëzoj regjimin,” tha princi teksa u shoqërua nga brohoritjet. Eshtë raportuar gjerësisht se MEK-u ka bashkëpunuar me Mossadin e Izraelit. Sipas zyrtarëve amerikanë bashkupunimi me Mosadin është shtrirë edhe në sulmet kundër shkencëtarëve bërthamorë iranianë. MEK i ka quajtur akuzat për rolin e tyre në vrasjen e shkencëtarëve bërthamorë iranianë krejtësisht të rreme.

Ka dëshmi se udhëheqësit e Gjirit, të frikësuar nga influenca iraniane dhe lëvizjet islamike në vendin e tyre, po ngrohin marëdhëniet me partitë anti-islame në Evropë, siç kanë argumentuar edhe Ola Salem dhe Hassan Hassan për Foreign Policy. Khodabandeh pajtohet me këtë. “Ekziston në të gjithë Evropën,” thotë ai. “Partitë e ekstremit të djathtë anti-BE kanë mbështetje që u vjen nga shumë vende. … Ekziston një mbështetje e jashtme. Eshtë e njëjta mbështetje që ka MEK-u.”

Ekspertët në Shtetet e Bashkuara kanë arritur konkluzione të ngjashme në lidhje me burimin e fondeve të MEK-ut. “Mbështetësit e grupit pretendojnë se paratë vijnë nga kontributet e iranianëve të zakonshëm në mërgim, megjithatë shumat duken tepër të mëdha”, shkruan Benjamin, një ish-zyrtar i antiterrorizmit në Departamentin e Shtetit, i cili shton se shumë besojnë që qeveritë arabe të Gjirit Persik gjenden pas ‘parave të pista’ të MEK-ut.

Sipas një zëdhënësi të NCRI-së që citohet në raportin e El Pais, një parti spanjolle ekstreme, që sapo ka dalë në skenë, nuk duket të jetë një destinacion natyror për mbështetësit e një organizate të dedikuar për përmbysjen e qeverisë iraniane, aq më pak një partie, ideologjia e së cilës nuk ka qenë e njohur për NCRI-në dhe MEK-un në kohën e donacioneve. Për më tepër, qeveritë e Spanjës dhe familja e saj mbretërore kanë gëzuar për një kohë të gjatë marrëdhënie miqësore me monarkitë e Gjirit, duke zvogëluar gjasat që këto qeveri të mbështesin nje parti ekstremiste në Spanjë.

Në fund të fundit, faktet e panjohura më parë që sjell El País mbi financimet e lidhura me MEK-un që janë përdorur për të krijuar Vox-in lënë më shumë pyetje sesa përgjigje. Siç shkroi edhe Benjamin në vitin 2016, “heqja e MEK-ut nga lista e organizatave terroriste të huaja i humbi përfundimisht të gjitha shpresat për të mbledhur më shumë informacione për ithtarët e MEK-ut mbi lidhjet e tyre financiare me grupin, apo për burimet e të gjitha të ardhurave”.

Armiqtë e njohur të qeverisë iraniane mund të jenë gëzuar që financimet e tyre kanë arritur tek një mbështetës evropian i MEK-ut, duke qenë se organizata është promovuar ndërkombëtarisht nga disa si opozitë legjitime iraniane në mërgim, por këta mbështetës të supozuar financiarë as që kanë arritur ” të kuptojnë se paratë e tyre janë përdorur përfundimisht për të financuar një parti të ekstremit të djathtë, ose atyre nuk u ka interesuar fare./foreignpolicy/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne