Bota

“Foshnja qaramane Trump” do ngrihet sërish, aktivistët: Çerek milioni protestues do mbushin rrugët e Londrës

Ndërsa Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të vizitojë Mbretërinë e Bashkuar më 3-5 qershor, aktivistët kundër tij po përgatiten për ta pritur me protesta, ashtu siç ndodhi edhe në vizitën e një viti më parë.

Ndërsa një vit më parë protestuesit ngritën një balonë ku Presidenti Trump paraqitej si një foshnjë me pelena, këtë herë protestuesit anti-Trump, shprehen se po përgatiten për një balonë me ajër të nxehtë, 5 herë më të madhe se ajo e një viti më parë, që do të paraqesë presidentin Trump si një foshnjë qaramane me pelena.

Leo Murray, i cili ndihmoi të mbështeste balonën origjinale prej gjashtë metrash, tha: “Fëmija Trump patjetër do të fluturojë përsëri”.

Ai shtoi për The Guardian: “Ne kemi bluajtur edhe idenë e një tullumbaceje me ajër të nxehtë të Trump, i cili do të ishte rreth pesë herë më i madh se ai. Por do të kushtonte një sasi të madhe parash – mbi 70,000 paund”.

Nga ana tjetër, ministri i Financave, u ka bërë thirrje protestuesve që të heqin dorë nga kjo.

Të njëjtat burime bëjnë me dije, se Bashkia e Londrës pritet të miratojë kërkesën për ngritjen e kësaj balone. Një zëdhënës i Sadiq Khan, shprehet: “Çdo kërkesë për të fluturuar atë në tokë që administrohet nga Autoriteti i Madh i Londrës do të gjykohet sipas kritereve të njëjta si herën e fundit nga zyrtarët e GLA, policia dhe Autoriteti i Aviacionit Civil”.

Pavarësisht kësaj, aktivistët anti-trump, shprehen pesimistë për marrjen e lejes, që një balonë 5 herë më e madhe e “bebes Trump” të ngrihet në Londër. Ata shprehen po ashtu se këtë herë Trump do të pritet me protesta të më shumë se çerek milioni protestues.

“Ne jemi shumë të sigurt se do të ketë më shumë se një e katërta e një milion protestuesish.

Vizita e Trump vitin e kaluar mobilizoi një numër të madh njerëzish, por një vit më vonë ky njeri ka bërë më shumë për të grisur të drejtat e njeriut, për t’u larguar nga normat ndërkombëtare, vazhdoi mohimin e tij të klimës dhe nxiti nacionalizmin e bardhë”, thotë Asad Rehman, drejtori ekzekutiv i War on Want dhe një anëtar i Koalicionit Stop Trump.

OPINIONE