Rajoni

Shkup – U shënua 23 prilli, Dita e Fëmijëve

Nxënësit turq, shqiptarë, maqedonas, boshnjakë dhe romë, të shoqëruar nga një orkestër e instrumenteve folklorike, parakaluan nëpër Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe arritën në sheshin “Filipi i Dytë”, ku u organizua një aheng për më të vegjlit.

Me një organizim të Shoqatës Kulturore Artistike “Yeni Yol” nga Shkupi dhe me mbështetjen e kompanisë TAV Maqedoni, të martën u mbajt manifestim me rastin e festës kombëtare të Turqisë, 23 Prilli – Dita e Sovranitetit Kombëtar dhe e Fëmijëve.

Nxënësit turq, shqiptarë, maqedonas, boshnjakë dhe romë, duke filluar nga shkolla fillore “Tefejjuz”, të shoqëruar nga një orkestër e instrumenteve folklorike, parakaluan në Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe arritën në sheshin “Filipi i Dytë”, ku u organizua një aheng për më të vegjlit.

Ushtruesi i detyrës kryetar i shoqatës “Yeni Yol”, Halil Abdullah, tha se manifestimi këtë vit mbahet për herë të tretë dhe se kësaj here, me rastin e 23 Prillit, kanë vendosur të organizojnë parakalim dhe aheng për fëmijët në hapësirat e jashtme të qytetit

Duke dërguar mesazh nga Shkupi për të gjithë fëmijët në botë, Abdullah theksoi se të gjithë fëmijët anembanë botës kanë të drejtë të jetojnë në paqe dhe lumturi.

“Fëmijët janë fëmijë kudo që të ndodhen në botë. Andaj, është e drejtë e tyre të jetojnë në paqe dhe lumturi. Kjo në fakt për të gjithë ne do të thotë shoqërim, të bëjmë diçka së bashku. Në qoftë se ne jemi në gjendje për të kontribuar që fëmijët t’i bëjmë të lumtur, atëherë edhe ne jemi krenar”, deklaroi Abdullah.

Përkundër motit me shi, zbavitja në Sheshin “Filipi i Dytë” vazhdoi me fëmijët e veshur me kostume të larmishme të komuniteteve të ndryshme etnike që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, me lojëra, muzikë dhe vallëzim.

Krahas Shoqatës Kulturore Artistike “Yeni Yol” nga Shkupi, pjesëmarrës ishin edhe ansamblet “Emin Duraku” dhe “Liljan” nga Shkupi dhe nxënës të shkollave të ndryshme fillore. (Anadolu Agency-AA)

OPINIONE