Bota Ekonomi

Franca gjobit “Google” dhe “Amazon” me 135 milionë euro

CNIL në deklaratën e saj tha se dy degët e kompanisë Google (Google LLC dhe Google Ireland) janë gjobitur me 100 milionë euro ndërsa një degë e Amazon-it me 35 milionë euro

Berlin

Komisioni Kombëtar Francez për Informacionin dhe Liritë (CNIL) gjobiti kompanitë Google dhe Amazon me 135 milionë euro për “vendosjen e reklamave në kompjuterët e përdoruesve pa miratimin paraprak dhe pa siguruar informacion të mjaftueshëm”, transmeton Anadolu Agency (AA).

CNIL në deklaratën e saj tha se dy degët e kompanisë Google (Google LLC dhe Google Ireland) janë gjobitur me 100 milionë euro ndërsa një degë e Amazon-it me 35 milionë euro.

Thuhet se kompanitë u ndëshkuan për vendosjen e reklamave në kompjuterët e përdoruesve pa pëlqimin e tyre paraprak.

Deklarata thekson se nëse përdoruesi hyn në faqen e internetit Google të Francës (Google.fr) dhe Amazon (amazon.fr), në kompjuterin e tij automatikisht shfaqen “cookies” për qëllime reklamimi ndërsa përdoruesi nuk ndërmerr asnjë veprim paraprakisht.

Shpjegimi i Komisionit thotë se ‘cookies’ për reklama “mund të vendosen vetëm pas pëlqimit të përdoruesit”, duke shtuar se Google dhe Amazon kanë shkelur rregullat për marrjen e pëlqimit paraprak të përdoruesit.

“Google njoftoi në shtator të vitit 2020 se kishte ndaluar reklamimin e paautorizuar në kompjuterët e përdoruesve. Megjithatë, përdoruesit që vizitojnë faqen e tyre ose nuk janë informuar sa duhet ose nuk janë sqaruar kurrë që ‘cookies’ janë vendosur në ekranet e kompjuterëve të tyre”, tha CNIL.

OPINIONE