Nga Evarist Beqiri
Paturpësia u foli sërish qytetarëve me gjuhën e zakonshme të denigrimit, në një përpjekje të dëshpëruar për të mbuluar tjetërsimin e kujtesës historike të Vlorës. Për të shpëtuar fytyrën e një projekti pa transparencë, na trumbetohet papritur një fond për “rilindjen” e godinës së “Klubit Labëria”, e cila në fakt po sakrifikohet dhe margjinalizohet për t’i hapur rrugë tjetërsimit.
Nuk jemi kundër nderimit të historisë së komunitetit hebre. Kujtesa e shpëtimit të tyre nga shqiptarët është pjesë e krenarisë sonë. Në Vlorë ekziston “Rrugica e Hebrenjve” dhe pikërisht aty mund të ngrihej një muze, në shtëpitë ku ata kanë jetuar realisht. Vlora ka një detyrim sipëror: trashëgiminë e shtetit shqiptar dhe të atyre që e krijuan atë.
Është hipokrizi e pastër të flasësh për “transformime epokale”, kur Muzeu Kombëtar i Pavarësisë dergjet në degradim të plotë fizik dhe konceptual. Nëse ky pushtet paska vërtet vullnet për të nderuar historinë, pse nuk bën një muze monumental dhe elitar për Pavarësinë? Pse nuk ngrihet një panteon i vërtetë për Atin e Kombit, Ismail Qemal Vlorën, aty ku lindi shteti? Pse nuk po ndërtohet akoma një monument dinjitoz për Atin Themelues, në Tiranë?
Vlora ka nevojë për një Muze Historik dinjitoz, ku mund të përfshihet edhe historia e komuniteteve që kanë qenë pjesë e këtij qytetit ndër shekuj. Ndërkohë, në Vlorë nuk po ndërtohet histori, aty po fshihet identiteti ynë. E nisën me Sheshin e Flamurit, po e bitisin me Klubin Labëria. Debati nuk është thjesht dhe vetëm urbanistik. Ai është debat për demokracinë tonë. Një pushtet që fshin historinë me ekskavatorë dhe pa pyetur qytetarët, ka vetëm fasadën e demokracisë.
Një komb që nuk nderon vetveten, nuk mund të nderojë të tjerët. Është koha që heshtja qytetare të marrë fund!
/mcntv.al

















