Futbollisti egjiptian, Muhammed Salah dhuron ndihma për Gazën

Lojtari i njohur i kombëtares së Egjiptit dhe klubit anglez Liverpool, Mohammed Salah ka dhuruar ndihma për të mbështetur palestinezët në Rripin e Gazës, që ndodhet nën sulme dhe bllokadë intensive nga Izraeli.

Drejtori ekzekutiv i Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane, Rami en-Nazar i cili merret me ndihmën për Rripin e Gazës, mori pjesë në një kanal televiziv lokal me telefon dhe dha informacione për këtë çështje.

“Muhamed Salah dhuroi ndihma për popullin palestinez”, tha Nazar duke shtuar se kjo nuk ishte situatë e çuditshme për Salah dhe se nuk është hera e parë që ai e bën këtë brenda apo jashtë Egjiptit.

Nazar nuk ka dhënë informacione për shumën e ndihmës që ka dhënë Salah.

Deklarata mbështetëse e lojtarit egjiptian, Salah erdhi pas reagimeve kundër tij duke shprehur qëndrimin e tij për ngjarjet në Gaza. Është thënë se shumë ndjekës të tij në rrjetet sociale e kanë bërë “unfollow” me arsyetimin se ai ka heshtur për ngjarjet.

– Konflikti Izrael-Palestinë

Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit, mëngjesin e 7 tetorit njoftoi nisjen e sulmit gjithëpërfshirës të emëruar “Tufani i Aksa-së” kundër Izraelit.

Nga Gaza në drejtim të Izraelit u lëshuan mijëra raketa ndërsa grupet e armatosura palestineze kryen bastisje dhe morën kontrollin e pikës kufitare Beit Hanoun-Erez në kufirin Gaza-Izrael. Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet izraelite ndërsa ushtria izraelite filloi sulme ndaj Rripit të Gazës me dhjetëra avionë luftarakë. Në sulmet e kryera nga Gaza kanë humbur jetën 1.300 izraelitë ndërsa janë plagosur 3.436 të tjerë.

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulmet e Izraelit në Gaza janë vrarë 2.750 palestinezë ndërsa janë plagosur 9.700 të tjerë.

Në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar janë vrarë 58 palestinezë dhe janë plagosur rreth 1.250 të tjerë. Gjithashtu në sulmet e Izraelit kanë humbur jetën 10 gazetarë, prej të cilëve 9 në Gaza dhe një në Liban.

Ndërsa në konfliktet e shënuara në kufirin izraelit në jug të Libanit mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite që nga 8 tetori e deri më tani, kanë humbur jetën 3 civilë, 4 milicë të Hezbollahut dhe 2 anëtarë të Lëvizjes së Xhihadit Islamik Palestinez. Në sulmet e kryera nga ana e Libanit humbën jetën 3 ushtarë izraelitë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne