Gati 99% kalues në Gjuhën Shqipe, por ata që shkëlqejnë janë me pikatore! Vetëm 31 nxënës, ekselentë

Ashtu si të gjitha provimet e tjera, edhe i fundit, ai i lëndës me zgjedhje rrodhi në rrjetet sociale vetëm pak minuta pasi maturantët ishin futur për t’u testuar. Fillimisht u publikua teza e Ekonomisë, më pas e Fizikës, Biologjisë dhe Qytetarisë. Kujtojmë se edhe më herët në provimet e Gjuhës së Huaj, Letërsisë dhe Matematikës, tezat e provimit dolën në rrjete sociale vetëm disa minuta pasi kishte filluar testimi. Me këtë, mijëra maturantë mbyllën dje ciklin e provimeve me detyrim e me zgjedhje për t’u bërë gati drejt një sfide të re, atë të garës për të zënë një ulëse në universitet.

Nga 28 mijë maturantë që u futën në krye të herës, numri firoi në 26 mijë në provimin e fundit, ndërsa kandidatët potencialë pritet të jenë shumë më pak se aq. Pasi maturantët dolën nga provimi i fundit, Ministria e Arsimit bëri publike notat e provimit të dytë, atij të Gjuhës Shqipe e Letërsisë, provim, i cili u realizua më 10 qershor. Referuar të dhënave të gjeneruara nga uebsiti i MAS, provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë e kanë kryer në total 26 mijë e 453 maturantë, 309 prej të cilëve rezultuan mbetës pasi janë vlerësuar me notën 4.00.

Sakaq, ekselentë rezultojnë të jenë vetëm 31 maturantë të cilët kanë arritur të marrin notën maksimale 10.00. Kalueshmëria për këtë provim është 98.83% ndërsa nota mesatare është 7.25. Mbi shtatë mijë maturantë, ose 1/3 e totalit morën këtë notë, ndërsa pjesa dërrmuese është në kufirin e 6-7 dhe 8-9. Krahasuar me vitet e kaluara, rezultatet duken në përmirësim.

Nëse në vitin 2022 u morën vetëm katër dhjeta, në vitin pasardhës u morën 15 dhe aktualisht kemi 31 nota maksimale. Po ashtu edhe numri i mbetësve ka ardhur në rënie, nga 444 në 309. Referuar rezultateve sipas qarqeve, më të lartin e ka Vlora me një mesatare akumulative të të gjithë maturantëve prej 7.79, ndjekur me një diferencë të ngushtë nga Korça, Tirana, Shkodra, Elbasani dhe Durrësi. E përbashkëta e tyre është se janë të gjitha qytete të mëdha. Kukësi, Dibra e Gjirokastra renditen të fundit në performancën e maturantëve në provimin e Gjuhës Shqipe e Letërsisë./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne