Gaza, afër 100 palestinezë vriten nga sulmet izraelite në 24 orët e fundit

Basal tha se një nga sulmet më vdekjeprurëse kishte në shënjestër një shtëpi të banuar në Tel Zaatar në qytetin verior Jabalia, duke lënë të vdekur të paktën 40 njerëz

Gaza

Agjencia e Mbrojtjes Civile ka bërë të ditur se sulmet izraelite kanë vrarë afër 100 banorë të Rripit të Gazës së bllokuar në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu. Zëdhënësi i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Mahmoud Basal, tha se masakrimet izraelite morën jetën e afër 100 palestinezëve vetëm në 24 orët e fundit. Basal tha se një nga sulmet më vdekjeprurëse kishte në shënjestër një shtëpi të banuar në Tel Zaatar në qytetin verior Jabalia, duke lënë të vdekur të paktën 40 njerëz.

“Shërbimi i Mbrojtjes Civile është ende me aftësi të kufizuara në veri të Gazës për shkak të sulmeve izraelite, me mijëra njerëz pa kujdes humanitar dhe mjekësor”, tha ai. Që nga 5 tetori, Izraeli ka nisur një operacion tokësor në shkallë të gjerë në veri të Gazës për të parandaluar rigrupimin e grupit të rezistencës palestineze Hamas. Megjithatë, palestinezët akuzojnë Izraelin se kërkon të pushtojë zonën dhe të zhvendosë me forcë banorët e saj.

Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, vetëm që nga 5 tetori janë vrarë mbi 2.300 njerëz nga sulmi izraelit. Izraeli ka nisur një luftë gjenocidale në Rripin e Gazës pas sulmit të Hamasit tetorin e vitit të kaluar, duke vrarë të paktën 44.400 njerëz, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe duke plagosur mbi 105 mijë të tjerë.

Më 21 nëntor, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi ​​urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën vdekjeprurëse në Gaza./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne