Gaza, formohet klubi i parë i futbollit për fëmijë me ekstremitete të amputuara

Në Rripin e Gazës, i cili që nga viti 2006 është nën bllokadë izraelite, është formuar një klub futbolli i cili përbëhet nga fëmijë palestinezë me ekstremitete të amputuara, raporton Anadolu Agency (AA).

Klubi është formuar nën mbikëqyrjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq ndërsa fëmijët palestinezë në klub i stërvit sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Futbollit për fëmijë me këmbë të amputuara, Simon Baker.

Nga Komiteti konfirmuan se bëhet fjalë për klubin e parë të futbollit për fëmijët me ekstremitete të amputuara në Lindjen e Mesme.

Ayse Abdullah është 10 vjeçe dhe është anëtare e këtij klubi. Amputimi i dorës së majtë, kushtet e vështira të jetesës në Gazën e bllokuar janë faktorët pse ajo nuk mund të thotë sot se kishte një fëmijëri të bukur në Gaza.

Ayse ka zënë vendin e portierit në klubin e sapoformuar, ndërsa thotë se është e lumtur që sot megjithatë mund të merret me sport. Ajo thekson se futbolli i ka rikthyer vetëbesimin.

“Përmes këtij sporti mund të dëshmojë forcën time, mund të tregojë aftësitë e mia që posedoj”, tha Ayse, qëllimi i së cilës është që një ditë të marrë pjesë në gara ndërkombëtare.

Zëdhënësi i Kryqit të Kuq për Gazën, Suheyr Zakut për AA tha se klubi i futbollit për fëmijë me ekstremitete të amputuara në Gazë është klubi i parë i këtij lloji në Lindjen e Mesme.

“Qëllimi jonë është të mbledhin fëmijët e Gazës të cilëve u është amputuar njëra këmbë ose dorë për t’i socializuar dhe kthyer në shoqëri”, tha Zakut. Ai shtoi se Simon Baker do t’i stërvisë fëmijët palestinezë gjatë gjysmë vitit të ardhshëm.

Në Gazë ekzistojnë pesë klube futbolli me ekstremitete të amputuara, në të cilat marrin pjesë rreth 60 lojtarë. Zakut thekson se Kryqi i Kuq ka për qëllim t’u ofrojë mbështetje të gjitha këtyre klubeve dhe t’u mundësojë të marrin pjesë në gara ndërkombëtare./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne