Gazë: Gati 400 shkelje të Izraelit ndaj marrëveshjes së armëpushimit

Autoritetet në Gaza akuzojnë Izraelin për qindra shkelje të marrëveshjes së armëpushimit, duke thënë se ato rrezikojnë drejtpërdrejt civilët dhe përkeqësojnë krizën humanitare.

Sipas Ismail Thewabteh, drejtor i Zyrës së Medias në Gaza, Izraeli ka kryer 393 shkelje të dokumentuara që nga hyrja në fuqi e armëpushimit. Ai tha se këto sulme synojnë të trembin popullsinë, të rrisin shkatërrimin dhe të minojnë çdo mundësi stabilizimi.

Thewabteh deklaroi se situata humanitare në Gaza është “jashtëzakonisht e rëndë”, me më shumë se 80% të spitaleve jashtë funksionit, mungesë të thellë ushqimesh dhe bllokim të ndihmave nëpër pika kufitare. Ai theksoi se më shumë se 70 mijë palestinezë janë vrarë dhe mbi 170 mijë janë plagosur gjatë dy viteve të luftës para marrëveshjes së armëpushimit.

Sipas tij, shkeljet përfshijnë:

  • 113 raste të qëllimit me armë ndaj civilëve dhe banesave,
  • 17 hyrje tokësore ku ushtria izraelite kaloi “vijën e verdhë”,
  • 174 sulme tokësore dhe ajrore,
  • 85 shpërthime të banesave dhe objekteve civile.

Nga këto sulme janë vrarë 279 civilë dhe plagosur 652 të tjerë, ndërsa 35 persona janë arrestuar.

Ai shtoi se ndonëse gjendja humanitare është e vështirë, rendi i brendshëm në Gaza është i qëndrueshëm falë punës së forcave të sigurisë, që mbrojnë qendrat e zhvendosjes dhe sigurojnë funksionimin e shërbimeve bazë.

Në lidhje me ndihmat, Thewabteh akuzoi Izraelin se ka lejuar vetëm 30% të kamionëve të ndihmave të hyjnë në territor dhe se ushqimet e lejuara janë “të pamjaftueshme dhe jo thelbësore”. Ai theksoi se ndalimi i hyrjes së produkteve bazë, si mishi dhe proteinat, përbën “politikë të urisë së qëllimshme”.

Ai apeloi për ndërhyrje të menjëhershme nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë SHBA-në dhe vendet garantuese të marrëveshjes, për të ndaluar sulmet dhe për të mbrojtur popullsinë civile në Gaza. /mesazhi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne