Sot në gjyqin e Mediut u përmend edhe një herë faksi i famshëm që Aldo Bumçi dërgonte për Shkëlzen Berishën.
Prokuroria e Posaçme ka rihapur “plagët e vjetra” sa i takon Gërdecit. Sot u mbajt seanca e radhës ndaj Fatmir Mediut, ndërsa prokurori Arben Kraja ka paraqitur si provë një faks, në të cilin del edhe Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit, Sali Berisha.
Bëhet fjalë për një faks, i cili ka trazuar shpesh mediat; një faks i sekuestruar në Ministrinë e Mbrojtjes, pa numër dhe pa datë, i cili mban shënimin “për z. Shkëlzen Berisha”. Prokurori Arben Kraja deklaroi se shënimi rezulton pjesë e përmbajtjes origjinale të dokumentit të ardhur nga Ministria e Drejtësisë dhe jo një shtesë e mëvonshme.
Sipas SPAK, faksi ka lëndë “mendim për një projektvendim” mbi procedurat e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga përdorimi. Dokumenti është protokolluar në Ministrinë e Mbrojtjes në mars 2007. Prokuroria theksoi se korrespondenca tregon dakordësi parimore nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa adresimi drejt Shkëlzen Berishës e ngre çështjen në nivel ndikimi jashtë hallkave formale të vendimmarrjes.

Ish-sekretarja e ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, Anjola Agolli, në dëshminë e saj dhënë prokurorëve implikoi direkt Bumçin si ushtar të Shkëlzen Berishës në demontimin e armëve në Gërdec.
Agolli ka pranuar se ajo ka dërguar faksin me shënimin “Për Shkëlzen Berishën…” në një numër faksi të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe kujton se “Shkëlzen Berisha erdhi në zyrë dhe u takua me ministrin para se të niste faksin…” Agolli ka shpjeguar procedurën si e ka protokolluar faksin dhe si është dërguar në Ministrinë e Mbrojtjes.
Si Bumçi dhe Berisha kanë folur publikisht lidhur me fax-in dhe kanë zgjedhur gjuhën e mohimit. Ish-ministri i Drejtësisë pasi dilte nga SPAK pretendonte se kjo shkresë është e falsifikuar duke ngritur dyshime tek opozita e asaj kohe.
Por është fakt se ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, nisi faksin për Gërdecin në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes, me një mbishkrim për Shkëlzen Berishën. Nuk dihet ende se ku e ka bazuar Aldo Bumçi këtë vendim, pra për të nisur shkresat zyrtare në adresë të fëmijëve të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Por, Bumçi nuk i raportonte Shkëlzenit vetëm nëpërmjet faksit, por edhe drejtpërdrejt. Takimet konfirmohen nga kabllogrami që ambasada amerikane në Tiranë i ka nisur Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Në një dëshmi, sekretarja e ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, tregoi për të paktën dy takime mes Bumçit dhe Shkëlzenit më 2007-ën. Dhe kur u pyet për një letër që Bumçi i dërgonte Mediut për aprovim të projekt-ligjit që do t’i hapte rrugë çmontimeve në Gërdec, ajo konfirmoi që Bumçi kishte shkruar mbi kapak ‘Për Shkëlzen Berishën’”, thuhet në kabllogram. Ambasada Amerikane i raportonte DASH se të gjithë raportonin te Shkëlzeni, edhe vetë Mediu.
Duhet theksuar se SPAK ka hapur një dosje më vete për Gërdecin dhe po heton trafikun e fishekëve dhe në qendër është Shkëlzen Berisha. Deri tani nuk ka pasur asnjë zhvillim. /Pamfleti















