Gazetari Gjergji Erebara ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me debatet dhe komentet që po qarkullojnë në lidhje me protestat për Zvërnecin.
Në reagimin e tij, Erebara paralajmëron për atë që e cilëson si një përpjekje të organizuar për të nxitur komente antisemite dhe për ta paraqitur protestën si një lëvizje me karakter antisemitik.
“Kujdes nga antisemitizmi! Këto ditë është vënë re një tentativë e shumëfishtë për të nxitur komente antisemite në lidhje me protestat për Zvërnecin. Kujdes! Qartazi makineria e disinformimit po përpiqet të paraqesë protestuesit si turmë antisemitësh”, shkruan ai.
Gazetari kritikon gjithashtu disa deklarata që, sipas tij, lidhen me teori konspirative dhe nuk kanë lidhje me çështjen e Zvërnecit. Sipas Erebara-s, përfshirja e pretendimeve të tilla dëmton kauzën e protestës dhe largon vëmendjen nga shqetësimet reale të ngritura nga qytetarët.
Në përfundim, ai thekson se lufta kundër dezinformimit është thelbësore për ruajtjen e kohezionit dhe besueshmërisë së protestës, duke nënvizuar se, sipas tij, Izraeli nuk ka lidhje me çështjen e Zvërnecit përtej përdorimit si metaforë në debatet publike./gazetaimpakt



















